Cilët janë ditët më fertile?

Çfarë është dritarja fertile?


Intervali që përfshin ditët fertile të një cikli menstrual quhet ndryshe edhe dritare fertile. Ky interval fillon 5 ditë përpara dhe mbaron 24 orë pas ovulacionit. Kontakti seksual në këto ditë ka shanset më të mëdha për të dhënë shtatzani.

Shembull i llogaritjes se diteve fertile ne nje cikel 28 ditor.

Çfarë është Ovulacioni?


Ovulacioni është proçesi lëshimit (celjes) së një ovociti matur (vezë e pjekur) nga vezorja. Më pas ovociti udhëton nëpër tubin e Fallopit ku mund të fertilizohet. Nqs spermatozoidet kanë arritur në tubin e Fallopit, atëherë ka shanse që veza të fertilizohet nga njeri prej këtyre spermatozoideve, duke krijuar kështu një embrion.

Shtatzania teknikisht është e mundur vetëm nqs do të ketë kontakt seksual në një nga 5 ditët përpara dhe në ditën e ovulacionit. Por ditët me më shumë probabilitet janë 3 ditët që paraprijnë ovulacionin dhe dita e ovulacionit.

12 deri në 24 orë pas ovulacionit, dritarja fertile mbyllet dhe femra e ka thuajse të pamundur shtatzaninë për atë cikël menstrual.

Si ta kuptojmë kur ndodh ovulacioni?


Njohja e momentit të ovulacionit do të ndihmonte ciftet në programimin e kontaktit seksual në momentin e duhur dhe për rrjedhojë do të optimizojë shanset për shtatzani. Çdo femër tani e ka shumë të lehtë përmes aplikacioneve të ndryshme në smartphone të rregjistrojë menstruacionet në një grafik. Dita e parë e menstruacioneve quhet gjithnjë dita 1 e ciklit.   Dita e fundit e ciklit është dita përpara ardhjes së menstruacioneve të ardhshme.

A ovulojnë të gjitha femrat në të njëjtën ditë të ciklit?


Jo. Kohëzgjatja e ciklit menstrual varion nga 21 në 35 ditë. Studimet tregojnë se më pak se gjysma e femrave kanë një cikël 28 ditor. Përderisa kohëzgjatja është karakteristikë që ndryshon, atëherë edhe dita e ovulacionit mund të jetë e ndryshme për femra të ndryshme. Kjo do të thotë se jo të gjitha femrat do të kenë ovulacion në ditën 14 të ciklit. Për fat të keq kjo nuk kuptohet as nga shumë mjekë.

  • Nqs kohëzgjatja mesatare e ciklit është 28 ditë, atëherë ovulacioni ndodh rreth ditës 14 dhe ditët më fertile janë ditët 12, 13 dhe 14.
  • Nqs kohëzgjatja mesatare e ciklit është 35 ditë, atëherë ovulacioni ndodh rreth ditës 21 dhe ditët më fertile janë ditët 19, 20 dhe 21.
  • Nqs kohëzgjatja mesatare e ciklit është 21 ditë, atëherë ovulacioni ndodh rreth ditës 7 dhe ditët më fertile janë ditët 5, 6 dhe 7.

Nqs e keni të pamundur të llogarisni kohëzgjatjen mesatare të ciklit tuaj, atëherë mjafton të keni kontakt seksual cdo 2-3 ditë dhe në këtë mënyrë do të keni mbuluar edhe dritaren fertile.

Categories : Blogu i fertilitetit
error: Content is protected !!