Infertiliteti: një sëmundje që duhet të rimbursohet!

Infertiliteti është një sëmundje, trajtimi i të cilës duhet të rimbursohet si çdo sëmundje tjetër.  Kjo për vetë faktin e barrës së madhe financiare dhe sociale që kjo sëmundje transmeton në çiftet infertile. Çdo çift infertil ka të drejtën të kërkojë rimbursim të trajtimeve të infertilitetit për sa kohë që kontribuon në skemën e sigurimeve shëndetësore. Mungesa e rimbursimit në trajtimet e infertilitetit duhet të konsiderohet si një padrejtësi ndaj kësaj pjese të popullatës.

Infertiliteti … një sëmundje trajtimi i të cilësh kushton!


Trajtimi i infertilitetit varion në varësi të shkakut. Të gjitha këto kushtojnë! Për të mos përmendur këtu edhe procesin e diagnozës i cili kërkon analiza dhe egzaminime që edhe ato kanë një vlerë të konsiderueshme. Në trajtimet përfshihen kirurgjia (laparotomi, laparoskopi, histeroskopi), stimulimet hormonale dhe metodat artificiale të riprodhimit.

Që prej vitit 1978, trajtimi më madhor i infertilitetit është provuar të jetë Fertilizimi In Vitro (IVF), një nga metodat e riprodhimit artificial (ART) përmes të cilës tashmë kanë ardhur në jetë mbi 8 milionë fëmijë në mbarë botën. Mirëpo, metodat e riprodhimit artificial janë të kushtueshme dhe për fat të keq jo të përballueshme nga të gjitha çiftet infertile. Kjo sjell si pasojë shtyrjen e trajtimit apo marrjen hua tek familjarë apo miqtw. Të gjitha këto shtojnë kohën e humbur, ulin shanset për sukses dhe, rrisin stresin, ankthin dhe konfliktin tek çifti.

Infertiliteti … një sëmundje dikur e neglizhuar kudo dhe nga të gjithë!


Në vendet e zhvilluara, evolucioni i politikave shëndetësore në dekadat e fundit bëri që të rritej gjithnjë e më shumë roli i shtetit në rimbursimin e diagnozës dhe trajtimit të sëmundjeve të ndryshme duke sjellë rritjen e numrit të sëmundjeve për të cilat ofrohej rimbursim financiar. E megjithatë infertiliteti e ka pasur shumë të vështirë të futej në listën e sëmundjeve që përfitonin rimbursim në diagnozë dhe trajtim.

Por që të bindeshin qeveritë për të pranuar infertilitetin si sëmundje që duhet të rimbursohej, duhet që më parë vetë mjekët profesionistë në mjeksinë riprodhuese ta përkufizonin infertilitetin si një sëmundje.

Përkufizimi i infertilitetit si një sëmundje e cila prek një funksion bazik të njeriut (riprodhimin!) është një fakt i pranuar që në fillim të viteve ’90 të shekullit të kaluar si nga Shoqata Europiane e Riprodhimit Human dhe e Embriologjisë (ESHRE) ashtu edhe nga Shoqata Amerikane e Mjeksisë Riprodhuese (ASRM). Megjithëse me një vonesë gati 20 vjeçare, në 2009, edhe Shoqata Botërore e Shëndetësisë (WHO) vendosi ta përkufizojë edhe ajo infertilitetin si një sëmundje e sistemit riprodhues të përcaktuar nga pamundësia për të arritur shtatzaninë pas 12 muajve ose më shumë kontaktesh seksuale të pambrojtura. Kjo bëri që infertiliteti të përfshihej edhe në klasifikimin ndërkombëtar të sëmundjeve (ICD).

Si rezultat, në dy dekadat e fundit gjithnjë e më shumë vende filluan të fusin infertilitetin dhe trajtimet e tij në politikat e rimbursimeve.

Realiteti botëror …


Situata në lidhje me rimbursimin financiar për trajtimet e infertilitetit është e ndryshme në vende të ndryshme. Ajo varion nga rimbursim i plotë, i pjesëshëm deri në pa asnjë lloj rimbursimi. Infertiliteti është një sëmundje e cila ashtu si edhe shumë sëmundje të tjera duhet të trajtohet në kohën e duhur. Dihet tashmë që shanset për sukses në Fertilizim In Vitro reduktohen me rritjen e moshës tek femra. Në shtetet ku ka politika rimbursimi për Fertilizimin In Vitro, çiftet arrijnë të kryejnë trajtimin në kohën e duhur duke marrë kështu edhe shanset maksimale.

Kompanitë e sigurimeve vazhdojnë të hezitojnë të fusin infertilitetin dhe Fertilizimin In Vitro në listën e tyre të sëmundjeve apo trajtimeve për të cilat ato duhet të derdhin financa. Kjo pasi ato vazhdojnë ende ta shikojnë të pasurit e një fëmije si një zgjedhje, duke mos mundur të kuptojnë se për një pjesë të popullatës të pasurit e një fëmije është një pamundësi për shkak të diagnozës së infertilitetit. Megjithatë në shtetet me politika shëndetësore solide ky hezitim sa vjen edhe reduktohet.

Ky ndërgjegjësim gjithnjë në rritje ndaj infertilitetit si sëmundje, tashmë vihet re edhe në politikat e punësimit të kompanive të ndryshme. Janë të shumta rastet ku kompanitë për të rritur aftësinë rekrutuese në kontratën e punësimit u ofrojnë kandidatëve përveç rrogës edhe mbulimin e shpenzimeve për trajtime të ndyshme infertiliteti.

Një pjesë e konsiderueshme e popullatës aktive …


Infertiliteti takohet në 10 – 15 % të çifteve dhe kjo është një përqindje e cila ka tendencën të rritet. Dhe për nga mosha, bëhet fjalë për një pjesë shumë aktive të popullatës. Shumica e çifteve infertilë janë të punësuar dhe kontribuojnë për rjedhojë edhe në skemën e sigurimit shëndetësor.

Janë të shumta arsyet se përse infertiliteti është një problem gjithnjë e më i shpeshtë, por më i rëndësishmi është rritja moshës për martesë. Tashmë femra projekton të bëhet nënë në të 30-at një periudhë të jetës së saj biologjike në të cilën fertiliteti i saj është më i reduktuar se në të 20-at. Kjo lidhet me rolin gjithnjë e më të madh të femrës në shoqëri pasi ajo investon më shumë kohë dhe energji në studime, karrierë dhe pozitë.

Është fakt se në vitet e fundit, edhe në Shqipëri është ulur lindshmëria. Nqs kjo tendencë vazhdon atëherë kjo do të sjellë një plakje të popullsisë dhe një pakësim të popullatës aktive e cila është baza e zhvillimit ekonomik të çdo shoqërie.

Për momentin Shqipëria ka një skemë rimbursimi shëndetësor e cila funksionon në mënyrë optimale për sëmundjet kardiake, tumorale, diabetin dhe shumë sëmundje të tjera.

Por ka ardhur koha që Shqipëria të diskutojë edhe mundësinë e rimbursimit (qoftë edhe parcial) të trajtimeve të infertilitetit. Kjo jo vetëm për të korrigjuar një padrejtësi ndaj një pjese të popullatës që kontribuon në skemë, por edhe për të frenuar sadopak ritmin e plakjes së popullatës. Rimbursimi i infertilitetit është edhe më i dobishëm nqs do ta gjykonim strikt nga aspekti makro-ekonomik. Paraja e hedhur për rimbursime në infertilitet kanë si target pjesën më aktive të popullatës dhe shton direkt këtë pjesë aktive.

Categories : Blogu i fertilitetit
error: Content is protected !!