Kujdesi për dhëmbët gjatë shtatzanisëA duhet të mbushen dhëmbët gjatë shtatzanisë?

Gjatë shtatzanisë, shëndeti i dhëmbëve luan një rol shumë të rëndësishëm në mirëqënien e nënës dhe të fetusit. Pavarësisht se ky është një fakt i njohur, një pjesë e madhe e shtatzanave ende hezitojnë të shkojnë te dentisti për shkak të opinioneve të pabazuara se trajtimet e dhëmbëve mund të jenë të dëmshme për shatzaninë. Qëllimi i këtij materiali është të sqarojë se çfarë lejohet dhe çfarë nuk lejohet lidhur me shëndetin e dhëmbëve gjatë shtatzanisë.

Të vjellat, çrregullimet hormonale dhe rritja e konumit të karbohidrateve (sheqernave) gjatë shtatzanisë mund të dëmtojë dhëmbet dhe gingivat tek nëna. Kjo mund të shfaqet me karies dhe / ose hemorragji gjatë larjes së dhëmbëve.  Në disa raste, këto dëmtime mund të kene efekt negativ edhe mbi fetusin. Infeksionet e rënda të dhëmbëve apo gingivave mund të rrisin rrezikun për lindje premature ose edhe për tromboza.

Vizitat tek dentisti janë shumë të rëndësishme në mbajtjen e një shëndeti oral optimal për të minimizuar rreziqet e mësipërme. Më poshtë janë përgjigjet e tre prej pyetjeve më të shpeshta të lidhura me shëndetin oral që gratë shtatzana i drejtojnë mjekut gjinekolog dhe / ose atij dentist:

  • A është e dëmshme anestezia e përdorur nga dentisti gjatë shtatzanisë?
  • A mund të mbush një dhëmb / dhëmballë gjatë shtatzanisë?
  • A lejohet radiografia për dhëmbët gjatë shtatzanisë?

A është e dëmshme anestezia e përdorur nga dentisti gjatë shtatzanisë?

Pavarësisht legjendave, studimet tregojnë të kundërtën. Anestezia lokale është plotësisht e sigurt gjatë shtatzanisë nqs kërkohet të kryhet ndonjë procedurë dentare nën anestezi. Kjo do të thotë se nuk ka asnjë rrezik për anomali për bebin dhe asnjë rrezik për ndonjë humbje shtatzanie apo lindje parakohe.

Për sa i përket procedurave që kërkojnë anestezi gjenerale, është mirë të evitohen pasi anestezia gjenerale mund të jetë e dëmshme për shtatzaninë. Këto procedura (heqja e dhëmballëve apo intervente të tjera madhore në zonën e gojës) është mirë të shtyhen për periudhën pas lindjes nqs është e mundur.

A mund të mbush një dhemb / dhëmballë gjatë shtatzanisë?

Dhimbja nga një dhëmballë apo dhëmb i dëmtuar deri në kanale (me karies të avancuar) dihet që është një urgjencë e vogël dhe që nuk mund të shtyhet. Shtyrja mund të rrezikojë për infeksione serioze të cilat mund të jenë të rrezikshme për nënën dhe shtatzaninë. Mbushja urgjente e dhëmbëve me karies të avancuar mund të bëhet në cfarë dolloj muaji të shtatzanisë. Për procedurat e tjera, si pastrimi i gurëzave apo i pllakëzave është mirë të kryhen brenda trem I dhe II. Në tremujorin III, kryerja e këtyre oprocedurave nuk është e dëmshme, por qëndrimi shtrirë në trem III mund të shoqërohet me dikonfort për nënën. Për procedurat e tjera me karakter kozmetik, si për shembull zbardhja e dhëmbëve është mirë që ato të shtyhen për pas lindjes.

A mund të kryhet radiografi për dhëmbët gjatë shtatzanisë?

Përkundër frikës që ekziston tek femrat nga radiografia e dhëmbëve gjatë shtatzanisë, fakt është që radiografia është shumë e sigurtë si për nënën ashtu edhe për bebin. Pra kemi të bëjmë me një frikë të ekzagjeruar. Kjo sepse tashmë shumica e radiografive të dhëmbëve kanë doza shumë të vogla rrezatimi. Megjithatë, dentistët për të minimizuar akoma më shumë ekspozimin e panevojshëm të zonës së barkut dhe të qafës rekomandojnë vendosjen e brezave mbrojtëse mbi këto zona.

Categories : Blogu i shtatzanisë
error: Content is protected !!