Lëvizjet e bebit gjatë shtatzanisë

Lëvizjet e para të bebit

Shumica e grave shtatzana do ti ndjejnë për herë të parë lëvizjet e bebit të tyre vetëm pas javës së 18-të të shtatzanisë. Femrat në shtatzaninë e parë i ndjejnë disi më vonë këto lëvizje se femrat në shtatzaninë e dytë. Në disa raste, në shtatzaninë e dytë / të tretë, lëvizjet e e para të bebit mund të ndihen që në javën e 13-të – 16-të të shtatzanisë.

Këto lëvizje “të para” përjetohen si lëvizje të imëta të cilat fillimisht mund të jenë të veshtira të diferencohen nga lëvizjet e zorrëve. Megjithatë, kur këto lëvizje fillojnë përsëriten sipas një karakteristike të vazhdueshme, nëna e bën dallimin në mënyrë të qartë.

Si ndryshojnë lëvizjet e bebit gjatë shtatzanisë

Me rritjen dhe zhvillimin e bebit, ai do të lëvizë dhe shtrijë gjymtyrët e tij. Me kalimin e javëve të shtatzanisë, femra do të fillojë të ndjejë levizje më të qarta dhe më të plota në trajtën e goditjeve, kërcimeve apo edhe rrotullimeve. Bebi gjithashtu mund të reagojë ndaj stimujve të ndryshëm si për shembull muzikës, zhurmës së ambientit ose emocioneve të nënës.

Nqs femra shtatzanë është një një pozicion në të cilin bebi nuk ndihet “rehat” atëherë bebi e bën të ditur këtë përmes lëvizjeve përpëlitëse. Nga ana tjetër disa ushqime mund të bëjnë që bebi juaj të jetë më aktiv. Gjithashtu nëna shtatzanë mund të dallojë edhe ritmin e gjumit dhe zgjimit të bebit të saj.

Në tremujorin III lëvizjet e bebit mund të jenë më të forta dhe më të rregullta. Megjithatë, edhe pse lëvizjet fetale janë të rregullta, ato mund të ndryshojnë nga fundi i tremujorit III për shkak se bebi është më i madh dhe ka më pak hapësirë për të lëvizur. Në rast se femra shtatzanë ndjen një reduktim ose një ndryshim të lëvizjeve të bebit, atëherë ajo duhet të drejtohet patjetër tek mjeku.

Si duhet të monitorizohen lëvizjet e bebit?

Është mirë që femra shtatzanë të monitorojë në mënyrë të vazhdueshme lëvizjet ditore të bebit. Kjo sidomos pas javës së 28-të të shtatzanisë. Për të monitorizuar lëvizjet e bebit ato duhet të rregjistrohen në të njëjtën orë çdo ditë.

Kur duhet kontaktohet mjeku?

Nqs rregjistrohen më pak se 10 lëvizje brenda 2 orëve atëherë duhet të kontaktohet mjeku. Një rast tjetër kur duhet ti drejtohemi mjekut është kur ndihet një ndryshim në rregullsinë apo numrin e lëvizjeve të bebit në 3-4 ditët e fundit.

Categories : Blogu i shtatzanisë
error: Content is protected !!