Ndjekja e folikulit …

Të ndjekësh folikulin do të thotë ndryshe folikulometri dhe ka për qëllim përcaktimin e momentit të ovulacionit në një cikël natyror ose në një cikël me stimulim. Është një frazë që shumë femra në kërkim të shtatzanisë e njohin nga vizita me mjekun gjinekolog.

Por a kryhet folikulometria si duhet? E thënë ndryshe … a kryhet ndjekja e folikulit ashtu si duhet? Duke u bazuar në përvojën time dhe më duhet të them se për fat të keq, ndjekja e folikulit nuk kryhet në mënyrë korrekte duke dhënë kështu informacione jo të sakta mbi ovulacionin. Për më shumë lexoni më poshtë …

“Ndjekja e folikulit nuk kryhet me eko abdominale!”

Informacioni i duhur mbi dinamikën e ciklit ovulator mund të merret vetëm përmes ekografisë transvaginale. Nqs ju është ofruar ekografi abdominale për ndjekjen e folikulit atëherë, atëherë ose mjeku përton, ose nuk zotëron ekografi me sondë vaginale ose thjesht nuk ka dijeni se folikulometria kryhet përmes ekografisë transvaginale.

“Në ditën 12 të ciklit nuk kisha folikul dhe mjeku më tha se nuk çel veza”.

Kjo është një frazë që dëgjohet shpesh nga pacientët. Për fat të keq, akoma mendohet se ovulacioni duhet të ndodhë në ditën 14 dhe nqs nuk ka një folikul preovulator në ditën 12 atëherë pacientja ka një çrregullim ovulator. Është totalisht  e pavërtetë. Kjo tregon mos njohje të ciklit menstrual.

Jo të gjitha ciklet menstruale zgjasin 28 ditë! Mund ta kesh ciklin edhe 32 ditësh dhe sërish është jnjë cikël normal! Dhe në këtë rast ovulacionin do ta kesh rreth ditës 18 të ciklit. Pra jo të gjitha femrat kanë ovulacion në ditën 14!

Keni kryer ndjekje të folikulit dhe nuk ju është matur endometriumi?

Edhe kjo tregon mos njohje të ciklit menstrual. Që të ndodhë një shtatzani nuk ka rëndësi vetëm folikuli, veza apo embrioni por edhe një endometër me trashësinë e duhur për ti dhënë mundësi embrionit të implantohet. Le të keni 2-3 folikuj shumë të mirë në dimensione në fund të stimulimit me Clomid, nqs keni një endometër të hollë atëherë gjithë cikli nuk vlen …

Nuk keni kryer analizën e spermës?

Nqs ju ndiqni folikulin dhe partenri juaj nuk ka kryer analizën e spermës, atëherë duhet patjetër edhe në këtë rast të ndërroni mjek. Janë të shumta rastet kur femra merr stimulime për rritjen e folikulit për disa muaj rresht ndërkohë që partneri ka probleme me spermën të cilat nuk janë konstatuar. Kjo shkakton humbje të pajustifikuara të kohës dhe të financave.

Nuk keni kryer kontrollin e tubave?

Nqs ndiqni folikulin dhe nuk keni kryer kontrollin e tubave atëherë patjetër duhet të ndrroni mjek. Si mund të pretendojmë shtatzani spontane nqs tubat nuk funksionojnë si duhet. Në rastin e tubave me defekte atëherë rrezikoni të humbisni kohën apo financat pa asnjë përfitim! Kontrolli i tubave (me HSG ose me HyCoSy) është ekzaminim i detyrueshëm në rastet me infertilitet!

Categories : Blogu i fertilitetit
error: Content is protected !!