A mund të ndikojmë në cilësinë e vezëve?

Për një femër, vezët e shëndetshme janë shumë të rëndësishme për të patur një cikel menstrual normal dhe për të qenë fertile. Përveç faktorit moshë dhe atij gjenetik, ka edhe shumë faktorë të tjerë që ndikojnë në “cilësinë” e vezëve. Me disa ndryshime të vogla në stilin e jetesës mund të ndikojmë në cilësinë e vezëve dhe në rritjen e shanseve për të arritur një shtatzani.

Prej kohësh ishte menduar se femrat janë lindur me një rezervë ovariane të caktuar dhe që nuk mund të prodhojë “të tjera” veç tyre. Në vitet e fundit, kërkimet shkencore kanë gjetur qeliza staminale (stemm cells) edhe në brendësi të indit ovarian. Mendohet që prej këtyre qelizave staminale (ose burimore) të prodhohen ovocite (vezë) të reja. Një gjë e tillë mbetet ende për tu provuar dhe për tu zbatuar në praktikën klinike. Deri atëherë, mosha do të mbetet faktori kryesor në përcaktimin e cilësisë se vezëve.

Sa është intervali deri në ovulimin (çeljen) e një veze?

Duhen rreth 90 ditë për nje ovocit (vezë) të formohet plotësisht. Kjo do të thotë që veza që do të ovulojë këtë muaj, ka filluar rrugetimin e saj të maturimit (pjekurisë) që tre muaj përpara! Kështu që zbatimi i një diete dhe një stili jetese të shëndetshëm duhet të shtrihet në të gjithë këtë interval kohor.

Larg prej alkoolit dhe duhanit!

Duhani përshpejton atrezinë (proçesin e vdekjes qelizore) të ovociteve, dhe ky efekt është i pakthyeshëm. Kimikatet në duhanin e cigareve shkaktojnë mutacione gjentike tek AND e qelizave vezë duke i bërë këto të fundit të paafta për koncepsion (fertilizim). Dihet që femrat lindin me numrin më të madh të vezëve që mund të kenë në jetë, dhe që me kalimin e viteve ky numër do të reduktohet. Kështu që është mirë që kjo rezervë të trajtohet nëmënyrë të shëndetshme dhe të mbahet larg kimikateve të panevojshme.

Menaxhoni stresin!

Stresi mund të prodhojë hormone si kortizol dhe prolaktinë të cilat mund të ndikojnë negativisht në ovulacion. Reduktimi i stresit me anë të aktiviteteve të ndryshme si joga, meditime apo ushtrime fizike mund të jetë i dobishëm në këtë drejtim.

Dieta e shëndetshme

Ashtu si ushqimet e shëndetshme përmirësojnë shëndetin në përgjithësi, ato kanë një efekt pozitiv edhe në ruajtjen e cilësisë se vezeve dhe në promovimin e fertilitetit. Sa më shumë perime, fruta, ushqime të pasura në fibra, arra, bajame; këto janë përbërësit e një diete të shendetshme. Reduktimi i karbohidrateve, ushqimeve të përpunuara, të konservuara, ushqimeve të pasura me yndyrna, i kripës dhe i sheqerit duhet të jetë është ana tjetër e një diete të shendetshme.

Të mbajturit e një peshe normale

Obeziteti është parë të ndikojë negativisht në aktivitetin mitokontrial dhe të rrisë stresin oksidativ, duke reduktuar kështu cilësinë e vezëve dhe fertilitetin. Mund të alterojë gjithashtu edhe balancën hormonale duke ndikuar direct edhe në ovulacion. Synimi është të paturit e një indeksi të masës trupore (BMI) midis 18.5 dhe 24.9.

Rritja e furnizimit me gjak

Shëndeti i vezëve promovohet nga një fluks gjaku i pasur me oksigjen drejt vezoreve. Ky furnizim me gjak mund të reduktohet në kushtet e dehidratimit apo në kushtet e një jete sedentare. Konsumi i sasisë së duhur të likideve dhe aktiviteti fizik është shume i dobishëm në këtë drejtim.

Suplementet …

Nuk ka nevojë të shpenzoni për komplekse multivitaminike të shtrenjta apo edhe të porositura jashtë shtetit nga ndonjë familjar apo i njohur. Ka opsione të ndryshme me më pak kosto që mund të ndihmojnë në këtë drejtim:

  • Coenzima Q10 mund të promovojë funksionin mitokondrial, funksionin anti-oksidativ dhe të përmirësoje cilësinë e vezëve.
  • Melatonina mund të përmirësojë funksionin anti-oksidativ dhe cilësinë e vezëve.
  • Vaji i peshkut i cili përmban DHA (docosahexaenoic acid) dhe EPA (eicosapentaenoic acid), të cilat janë acide yndyrore me Omega-3. Këto mund të ndihmojë në prodhimin e vezëve më cilësore në moshën e avancuar riprodhuese.

Ngrirja e vezëve (Egg Freezing)

Nqs jeni duke planifikuar shtyrjen e të paturit të një fëmije, mënyra më e mirë për të mbrojtur fertilitetin tuaj është ndalimi i orës tuaj biologjike duke ngrirë vezët. Me kalimin e viteve fertiliteti i femrës reduktohet, por vezët e ngrira ruajnë të njëjtën moshë biologjike të momentit kur janë ngrirë.

Categories : Blogu i fertilitetit
error: Content is protected !!