Bartoliniti

Bartoliniti

Bartoliniti


Abcesi i Bartolinit ndodh atëherë kur gjendrat e Bartolinit, të lokalizuara në të dy anët e hyrjes së vaginës, bllokohen dhe infektohen. Pas bllokimit të kanalit të gjendrës Bartolin fillimisht do të formohet kisti i Bartolinit. Nqs ky kist do të infektohet atëherë do të formohet abcesi i Bartolinit. Abcesi i Bartolinit mund të arrijë deri edhe 2 cm në dimensione dhe të shkaktojë shumë dhimbje. Në shumicën e rasteve mjekimi i abcesit të Bartolinit përfundon me sukses, ndërkohë që në 5% të rasteve abcesi rishfaqet sërish.

Përse formohet abcesi i Bartolinit?


Abcesi i Bartolinit formohet pas bllokimit të duktusit (kanalit) të gjendrës Bartolin. Të dy gjendrat Bartolin, me dimensione të bizeles, lokalizohen në të dy anët e hyrjes vaginale. Funksioni i tyre është të lubrifikojnë vaginën. Bakteriet që invadojnë gjendrën mund të shkaktojnë infeksion, edemë dhe bllokim të duktuseve Bartolin. Pas bllokimit në brendësi të gjendrës akumulohet fluid (lëng) duke bërë që gjendra të fryhet dhe tendoset. Nqs infeksion vazhdon, atëherë gjendra abcedohet (mbushet me qelb), tendoset deri sa “çahet” në lëkurë. Abcesi i Bartolinit zakonisht ndodh në njërën anë.

Besohet se bakterie si E. Coli, Klamidia ose Gonorrea janë shkaktarët e këtij infeksioni që shkakton abcesin e Bartolinit.

Çfarë simptomash jep kisti dhe abcesi i Bartolinit?


Mund të duhen deri edhe vite që të formohet kisti i Bartolinit, por abcesi i Bartolinit formohet menjëherë. Zakonisht, simptomat e kistit të Bartolinit janë minore ose mungojne fare. Pacientja thjesht ankon për një fryrje në njërën anë të hyrjes vaginale por jo dhimbje. Abcesi i Bartolinit mund të shkaktojë dhimbje të forta, edemë dhe fryrje të gjendrës, skuqje dhe temperaturë të zonës përreth.

Si diagnostikohet abcesi i Bartolinit? 


Ky abces diagnostikohet me anë të vizitës gjinekologjike. Është gjinekologu që do të ekzaminojë cdo fryrje apo enjtje që lokalizohet në anë të hyrjes vaginale. Pas kësaj mund të merren mostra nga likidi i gjendrës Bartolin për të përcaktuar në se ka infeksione seksualisht të transmetueshme. Për moshat mbi 40 vjec do të merret biopsi nga këto fryrje.

Si trajtohet abcesi i Bartolinit?


Trajtimi i duhur dhe efikasi abcesit të Bartolinit është ai kirurgjikal dhe mund të bëhet nën anestezi lokale ose me sedacion. Gjatë operacionit, do të çahet gjendra dhe do të drenohet jashtë i gjithë materiali purulent që mbush atë. Pas kësaj mund të proçedohet me një ekscizion total të gjendrës Bartolin ose me vendosjen e një kateteri në brendësi të saj për disa javë. Pas kalimit të infeksionit ky kateter mund të hiqet sërish.

Një tjetër teknikë kirugjikale është edhe marsupializimi i gjendrës Bartolin: pas hapjes së gjendrës dhe evakuimit të përmbajtjes së saj, buzët e hapjes suturohen në mënyrë të tillë që ajo të mbetet e hapur në mënyrë që drenimi të mos ndalojë. Zakonisht marsupializimi rezervohet në rastet me kist të Bartolinit dhe jo në rastet me abces. Kuptohet që trajtimi kirurgjikal do të shoqërohet edhe me antibiotikë.

Rezultatet e mjekimit


Në shumicën e rasteve mjekimi i abcesit të Bartolinit përfundon me sukses, ndërkohë që në 5% të rasteve abcesi rishfaqet sërish. Kjo sidomos kur kryhet vetwm drenimi i kistit /abcesit  dhe jo marsupializim apo ekscizion total.

error: Content is protected !!