Çfarë nuk duhet tu themi çifteve infertile?

Në periudha pushimesh ose festash njerëzit mblidhen të kalojnë kohën dhe të festojnë së bashku. Nqs për disa këto janë momente për të kaluar gëzuar apo për tu shplodhur pas shumë muajve punë, për çiftet që përjetojnë infertilitetin këto janë momente shumë të vështira.

Femrat dhe çiftet që janë duke kërkuar një shtatzani u duhet të përballen me pyetje delikate si për shembull: “Hë, kur do e bëni një beb?” “Kur do më bësh gjysh?” “Pse nuk po pi, mos je gjë shtatzanë?” Çifti mund të ketë vite që përpiqet në mënyrë të dëshpëruar për të patur një shtatzani por nuk dëshiron të shprehet. Në mjaft raste del edhe ndonjë shoqe apo kushërirë superfertile me disa fëmijë e cila është plot me këshilla për ditët fertile apo dietën që të bën më pjellore (?!). Ndonjë tjetër mike shtatzanë mund të fillojë të ankohet se “sa e vështirë është të jesh shtatzanë”. Nga ana tjetër, prania e fëmijëve të tjerë në këto mbledhje mund të jetë akoma më trishtuese për femrat që kanë humbur një shtatzani.

Dhe pothuajse të gjitha në fund do të përfundojnë me shprehjet :

“Mos e vri mendjen se do të vijë edhe radha jote”

“Vazhdo pi dhe bëj qef”

“Je shumë e stresuar dhe stresi të dëmton”

“Boll e lodhe mendjen”

“Merr ca pushime dhe do të biesh shtatzanë”

Shumë njerëz që përballen me fertilitetin mund të kenë probleme komplekse me numrin dhe cilësine e vezëve ose të spermës. Në disa raste këto probleme mund të jenë edhe të lindura. Në këto raste, përpara se të shpreheni, duhet të mendoheni sikur jeni përpara ndonjë problemi të lindur me veshkat apo me ndonjë organ tjetër. E pra, të tilla probleme nuk zgjidhen duke u shprehur “relaksohu apo mer pushimet dhe shtatzania do të vijë”. Nqs kjo do të ishte zgjidhja atëherë nuk do të ekzistonin gjinekologët, andrologët, specialistët në infertilitet dhe qendrat e fertilitetit. Puna e tyre mund të zëvendësohej shumë mirë nga agjensitë e udhëtimit apo qendrat e masazhit.

Zgjidhjet gjenden në qendrat e fertilitetit ku kombinohen ekspertiza mjeksore e specializuar dhe teknologjia e avancuar. Shumë syresh harrojnë se shkaqet e infertilitetit janë aq të shumta saqë nuk ekziston një zgjidhje e vetme.

Deri tani është folur shumë për stresin dhe ndikimin e tij në infertilitet, por ende asnjë studim që vërteton se vetë stresi është faktor i pavarur infertiliteti. Ndaj edhe nqs u themi pacientëve “thjesht relaksohu” ne mund të krijojmë ndjenja faji tek personi infertil a thua se është stresi dhe mungesa e relaksimit që kanë sjellë infertiltet. Kjo shprehje kaq e përhapur, thkesht do të shtonte akoma më shumë ankthin dhe mungesën e shpresës.

Çiftet infertile nuk duhet të humbasin shpresën dhe kurajën. Edhe pas shumë viteve infertilitet, shumë paciente arrijnë të kenë një shtatzani në mënyrë natyrale. Është kjo arsyeja se përse unë në praktikën time klinike refuzoj të përdor termin “sterilitet” (term ky që përkufizon rastet që nuk mund të kenë kurrë fëmijë). Për fat të mirë rastet që kanë vështirësi në arritjen e shtatzanisë por që janë sterile janë të rralla. Më të shpeshta janë rastet me infertilitet ose subfertilitet (infertilitet të reduktuar). Fatmirësisht ka mënyra për të ndihmuar fertilitetin: përmirësimi i stilit të jetesës, medikamentet që përmirësojnë ovulacionin, laparoskopia, histeroskopia deri tek metodat artificiale të riprodhimit (Fekondimi In Vitro).

Kështu që sa herë që gjendeni pranë dikujt që po lufton për arritjen e një shtatzanie, është mirë të mos jepni këshilla si ato më lart. E vërteta është se të gjitha këto këshilla janë provuar e stërprovuar më përpara nga çifti. Nqs doni vërtet të ndihmoni më mirë këshillojini konsultën me mjekun specialist.

Categories : Blogu i fertilitetit
error: Content is protected !!