Hidrosalpingsi

Hidrosalpingsi

Cfarë është hidrosalpingsi?


Hidrosalpingsi (Hydrosalpinx – HSX) është një tub Fallopi i zgjeruar. E vetmja situatë që shkakton zgjerim të tubit dhe mbushje të tij me fluid (likid / lëng) është bllokimi i pjesës së tij distal (pjesa larg mitrës). Për këtë arsye quhet ndryshe edhe obstruksion distal (bllokim distal). Për shkak të këtij bllokimi fluidi i prodhuar nga qelizat e shtresës së brendshme të tubit, akumulohet dhe pamundësia për ta evakuuar atë bën që tubi të zgjerohet.

 

Cfarë shenjash mund të japë HSX?


Në shumicën e rasteve HSX nuk shkakton asnjë simptomë. Në disa rste mund të jetë përgjegjës për dhimbje pelvike kronike.

Përse formohet hidrosalpingsi?


Shkaku kryesor që bën që tubi të zgjerohet dhe të formojë një hidrosalpings është sëmundja inflamatore pelvike (PID – Pelvic Inflamatory disease). Infeksioni duke dëmtuar tubat nxit një proces shërimi, i cili bën që pjesa distale (skaji i largët) të mbyllet për shkak të aderencave (ngjitjeve), në këtë mënyrë lëngu që prodhohet në tub e ka të vështirë ose të pamundur të evakuohet. Grumbullimi i tij në tub bën që ky i fundit të zgjerohet.

Çfarë rëndësie paraqet hydrosalpingsi?


  • Rëndësi hidrosalpingsi paraqet vetëm në rastet me infertilitet. Femrat me të dyja tubat e bllokuara kanë nevojë për Fertilizim In Vitro nqs duan të bëhen nëna. Kjo sepse bllokimi i të dy tubave bën të pamundur takimin e vezës me spermatozoidin. Fertilizimi In Vitro është një procedurë e riprodhimit artificial e cila bën by-pass (anashkalon) të tubave: Veza fertilizohet në mënyrë artificiale me spermatozoidin në laborator dhe më pas  embrioni transferohet në mitër.
  • Një femër infertile që ka hidrosalpingx ka shumë mundësi të ketë infertilitet tubar: pra faktori tubar të jetë shpjegimi i infertilitetit të saj. Këtu përffshihen bllokimi i tubave dhe dëmtime të tjera të tubave që dëmtojnë takimin e vezës me spermatozoidin (psh aderenca, dëmtime të fimbriave etj).

Si mund ta zbulojë një femër nqs ka hidrosalpings (HSX)?


HSX mund të zbulohet përmes ekografisë, histerosalpingografisë (HSG) ose gjatë laparoskopisë. Kuptohet që këto duhet të kryhen nga mjekë gjinekologë që merren me trajtimin e infertilitetit.

Hidrosalpings. Pjese e arkives personale. © E. Peçi

Hidrosalpingsi dhe Fertilizimi In Vitro


Studimet kanë treguar se HSX dëmton shanset që ka Fertilizimi In Vitro për sukses. Heqja ose ligatura e tyre përmes laparoskopisë bën që shanset e Fertilizimit In Vitro të mos dëmtohen. Është kjo arsyeja që pacienteve që kanë hidrosalpings dhe janë të programuara për një IVF, tu rekomandohet heqja ose ligatura e hidrosakpingsit përpara se ti nënshtrohen procedurës së Fertilizimit In Vitro. Sado që shumë femrave mund tu duket “e rëndë” heqja e tubave përpara IVF kjo është një nevojshmëri e provuar shkencërisht. Le të mos harrojmë se:

  • Hidrosalpingsi është një tub i dëmtuar tashmë dhe që nuk e kryen funksionin e tij natyral.
  • Nuk ka teknikë kirurgjikale që ta kthejë atë në gjendjen e mëparshme.
  • Në Fertilizim In Vitro nuk është nevoja e tubave!

Përse hidrosalpingsi dëmton shanset e Fertilizimit In Vitro?


Mekanizmat me anë të të cilave HSX mund të dëmtojë shanset e suksesit të Fertilizimit In Vitro janë si më poshtë:

  • Duke ulur shanset për implantim (pra duke ulur shanset që të kemi një test shtatzanie pozitiv pas një procedure IVF):
    • Toksinat (lëndët helmuese) dhe lëngu që përmban tubi i zgjeruar (hidrosalpingsi) mund të kenë një efekt negativ tek embrioni dhe tek endometriumi (shtresa që vesh mitrën nga brenda dhe që mirëpret embrionin).
    • Ul implantimin duke nxitur mikro-kontraksione të uterusit (mitrës).
    • Duke shpëlarë embrionet për shkak se një pjesë e lëngut të hidrosalpingsit mund të “derdhet” në mitër.
  • Duke shkaktuar abort:
    • Hidrosalpingsi shkakton edhe humbje të hershme të shtatzanisë (në tremujorin I), por ende nuk dihet qartë se me cfarë mekanizimi.

Si mund të trajtohet në mënyrë kirurgjikale hidrosalpingsi?


Opsionet që shtrohen përpara një pacienteje me hidrosalpings janë:

  1. Heqja e hidrosalpingsit
  2. Ligatura (mbyllja) ose koagulimi në pjesën proksimale (pra aty ku lidhet me mitrën)
  3. Hapja e pjesës distale dhe lënia e tyre në vend. Ky opsion rekomandohet gjithnjë e më pak.
error: Content is protected !!