Histerektomia

Histerektomia

Çfarë është histerektomia?


Histerektomia është një procedurë kirurgjikale që konsiston në heqjen e mitrës. Mitra është organi ku zhvillohet shtatzania. Gjatë kësaj procedure mund të hiqet e gjithë mitra ose vetëm një pjesë e saj. Pas histerektomisë, femra nuk do të ketë më menstruacione dhe nuk do të ketë më mundësinë të mbetet shtatzanë.

Gjatë histerektomisë, mjekët (nqs është vërtet e nevojshme) mund të heqin edhe tubat e fallopit dhe ovaret (vezoret). Ovaret prodhojnë ovocitet (vezët) dhe hormonet femërore. Qafa e mitrës ndodhet në pjesën e poshtme të mitrës dhe bën lidhjen me vaginën. Të gjitha këto organe lokalizohen në pjesën fundore të barkut të femrës që quhet pelvis.

Nqs femra nuk ka hyrë akoma në menopauzë dhe:

  • I konservon (pra i ruan dhe nuk i heq) ovaret, atëherë ajo mund të hyjë më shpejt në menopauzë se shumica e femrave.
  • Ovaret (vezoret) hiqen gjatë histerektomisë, femra hyn në menopauzë menjëherë. Pacientja në këtë rast duhet të diskutojë me mjekun e saj për mënyrat se si mund të menaxhojë simptomat e menopauzës (flashet dhe atrofinë vaginale).

Llojet e histerektomisë janë si më poshtë:

  • Subtotale (parciale, supracervikale) – kjo lloj procedure heq vetëm pjesën e sipërme të mitrës (trupin), ndërkohë që qafa e mitrës (cerviksi apo kolumi) lihet.
  • Totale – kjo lloj procedure heq gjithë mitrën me gjithë qafën e saj.
  • Radikale – kjo lloj procedure heq gjithë mitrën, qafën e mitrës dhe gjithë indin përreth saj, pjesën e sipërme të vaginës. Kjo teknikë rëzervohet në rastet me kancer.

Si kryhet histerektomia?


Ka mënyra të ndryshme për të kryer një histerektomi. Kjo varet nga ekspertiza e mjekut gjinekolog.

  • Histerektomia abdominale. Kjo procedurë kryhet përmes një incizioni longitudinal apo horizontal (afro 10 cm) në fund të barkut.
  • Histerektomia vaginale. Kjo procedurë realizon heqjen e mitrës nga vagina dhe pa qenë e nevojshme të hapet barku.
  • Histerektomia laparoskopike. Laparoskopi është një teleskop i hollë. Përmes tij mjeku arrin të shikojë në brendësi të barkut tuaj dhe për të kryer procedura të ndryshme kirurgjikale, ndër to edhe histerektomi. Laparoskopia zakonisht kërkon një kohë shumë më të shkurtër për shërim se sa kirurgjia e hapur. Përvec kësaj, aspekti kozmetik i laparoskopisë është absolute pasi nuk le thuajse aspak shenja në lëkurë.
  • Histerektomia vaginale e asistuar me laparoskopi. Heqja e mitrës kryhet përmes vaginës nën drejtimin e laparoskopit.
  • Histerektomia robotike. Mjeku në këtë rast operon në distancë përmes një roboti.

Përse kryhet histerektomia?


Histerektomia indikohet apo mund të nevojitet në rastet e mëposhtme:

  • Kancer të endometriumit, të qafës së mitrës, mitrës apo të vezoreve (ovareve).
  • Mioma (fibromioma / fibroid). Këto janë tumore beninje të mitrës. Në disa raste nuk shfaqin simptoma dhe nuk meritojnë vëmendje, por vetëm një kontroll ekografik çdo 12 muaj. Gjithashtu duhet thënë se ato zvogëlohen në menopauzë, por nuk zhduken! Në disa raste, miomat mund të shkaktojnë hemorragji uterine anormale, dhimbje apo shtypje të vezikës urinare apo të rektumit. Në raste kur trajtimet e tjera (miomektomia, embolizimi) nuk janë më opsion për miomat, atëherë histerektomia është zgjedhja e duhur.
  • Prolapsi i mitrës. Në këto raste kemi të bëjmë me një prolabim të mitrës jashtë barkut përmes vaginës. Kjo ndodh për shkak të dozësimit të sistemit ligamentar / suportues të saj me kalimin e viteve dhe me rritjen e numrit të lindjeve vaginale (sidomos atyre të vështira). Prolapset e mitrës shpesh shoqërohen edhe me prolaps të vezikës urinare (cistocelë) apo të fundit të zorrës së trashë (rektocelë).
  • Endometrioza / Adenomioza. Por vetem ne rastet kur femra nuk deshiron me femije dhe ka shqetesime te cilat nuk trajtohem me medikamente (dhimbje pelvike kronike apo hemorragji uterine anormale).
  • Dhimbja pelvike kronike.
  • Hemorragjia uterine anormale.
  • Hemorragjia postpartum. Në këtë rast, kur të gjitha alternativat e tjera kanë dështuar, histerektomia është e vetmja mundësi për të shpëtuar jetën e femrës..

Për sa kohë ndodh rikuperimi pas histerektomisë?


Duke qenë se bëhet fjalë për një kirurgji madhore, koha e rikuperimit është relativisht më e gjatë se sa në krahasim me procedurat e tjera kirurgjikale gjinekologjike. Kohëzgjatja varet nga mënyra e kryerjes së histerektomisë:

  • Histerektomia abdominale. Kërkon më shumë ditë hospitalizim dhe rikuperimi (riaftësimi për punë) zgjat 4-6 javë.
  • Histerektomia laparoskopike dhe ajo vaginale. Kërkojnë vetëm 24-48 orë hospitalizim dhe rikuperimi ndodh brenda 2-3 javëve.

Cilat janë rreziqet e mundshme të histerektomisë?


Shumica e femrave që kryejnë histerektomi nuk pësojnë asnjë komplikacion, megjithatë në një pakicë prej tyre mund të kemi:

  • Dëmtime të organeve fqinjë (vezikë / uretere / zorrë / enë gjaku)
  • Dhimbje gjatë aktit seksual.
  • Menopauzë të hershme nqs hiqen edhe vezoret.
  • Probleme të lidhura me anestezinë (probleme në frymëmarrje apo në funskionin e zemrës)
  • Alergji nga ilacet e ndryshme.
  • Tromboza (mpiksje të gjakut në brendësi të enëve të gjakut).
  • Hemorragji e brendshme.

I jam nënshtruar histerektomise. Më duhet ende Pap Testi?


Varet nga lloji i histerektomisë (interventi kirurgjikal që heq mitrën) dhe historiku i shëndetit tuaj.

  • Gratë që kanë bërë histerektomi totale për shkaqe jokanceroze, nuk i kanë të domosdoshme Pap testet e rregullta.
  • Gratë që kanë bërë histerektomi për shkak të qelizave jonormale ose kancerit gjenital, duhet të testohen çdo vit për kancerin e vaginës deri sa të kenë 3 teste normale njëri pas tjetrit.
  • Gratë që kanë kryer histerektomi subtotale duhet të bëjnë Pap teste të rregullta.