Infeksionet Urinare

Infeksionet Urinare

Infeksionet urinare janë shumë të shpeshta gjatë shtatzanisë. Nqs nuk trajtohen ato mund të shkaktojnë infeksione serioze të veshkës. Trajtimi i këtyre infeksioneve përfshin antibiotikët. Qëllimi është të mjekohet infeksioni por edhe të parandalohen komplikacionet e mundshme që ky infeksion mund të shkaktojë.

Sistemi urinar …


Urina prodhohet nga veshkat që janë organe që lokalizohen në të dy anët e kolonës vertebrale. Urina derdhet përmes 2 kanaleve të quajtur ureterë në vezikën urinare. Vezika urinare shërben për depozitimin e urinës. Që aty, urina del jashtë në mënyrë të vullnetshme përmes një kanali që quhet uretër (uretra).

Cilat janë llojet e infeksioneve urinare?


Infeksionet uriare shkaktohen nga prania e bakterieve në urinë. Ky kontamimin (ndotje) mund të shkaktojë:

  • Bakteriuri asimptomatike. Është një situatë në të cilën bakteriet kontaminojnë urinën por ende pa shkaktuar ndonjë shenjë apo simptomë tek pacientja.
  • Cistit (infeksion i vezikës urinare). Cistiti është shumë is shpeshtë si gjatë ashtu edhe jashtë shtatzanisë. Shenjat që jep ky infeksion janë dhimbja dhe djegia gjatë urinimit, dhimbje në fund të barkut, gjak në urinë  (hematuri) dhe temperaturë.
  • Pielonefrit (infeksion i veshkave). Ky infeksion është më i rrallë se cistiti por më i rrezikshëm. Zakonisht ndodh si një komplikacion i bakteriurisë asimptomatike dhe cistitit kur ato nuk trajtohen si duhet. Shenjat që mund të japë pielonefritit janë  dhimbje në ije (lozhat renale) dhe gjatë urinimit, ethe, nauze, të vjella, diarre dhe gjak në urinë (hematuri).

Si shkaktohen infeksionet urinare?


Shumica e infeksioneve urinare shkaktohen nga bakterie që vijnë nga zorrët. Këto bakterie nuk shkaktojnë infeksione në zorrë por vetëm kur kolonizojnë sistemin urinar. Në shumicën e rasteve kemi një migrim (spontan ose përmes kontaminimit) të bakterieve nga anusi drejt uretrës dhe vezikës urinare. Në momentin që hyjnë në organet e sistemit urinar këto bakterie fillojnë të shumohen duke kolonizuar dhe shkaktuar infeksion të mukozës së këtyre organeve.

Femrat janë më të predispozuara të bëjnë infeksione urinare për shkak se uretra e tyre është më e shkurtër se ajo e meshkujve. Nga ana tjetër, femrat shtatzanë janë akoma më të predispozuara për infeksione urinare për shkak të ndryshimeve hormonale tipike të shtatzanisë, të cilat shkaktojnë një ngadalësim të fluksit të urinës.

A mund ta rrezikojë shtatzaninë infeksioni urinar?


Në një pjesë të vogël të rasteve infeksionet urinare mund të komplikohen me kontraksione uterine të hershme duke shkaktuar kështu aborte ose lindje para kohe. Për këtë arsye infeksionet urinare duhet të trajtohen në mënyrë korrekte gjatë shtatzanisë.

Analizat urinare gjatë shtatzanisë


Një analizë e thjeshtë urine duhet të kryhet në cdo tremujor të shtatzanisë dhe në cdo rast që pacientja ka ankesa. Në rast se evidentohen bakterie apo në prani të simptomave pacientja duhet të kryejë edhe një urokulturë (kultura apo “mbjellja” e urinës). Trajtimi me antibiotikë duhet të fillojë vetëm në momentin kur përgjigja e urokulturës është gati.

Si trajtohen infeksionet urinare gjatë shtatzanisë?


  • Antibiotikët. Ka një mori antibiotikësh që lejohen gjatë shtatzanisë dhe që kanë një efekt shumë të mirë ndaj infeksioneve urinare. Llojin e antibiotikut dhe dozën do ta përcaktojë gjinekologu në funksion të përgjigjes së analizave të urinës dhe të varësi të ankesave të pacientes. Këto antibiotikë nuk do të dëmtojnë aspak bebin.
  • Qetësuesit e dhimbjeve. Zakonisht për dhimbjet që shkakton infeksioni urinar mund të përdoren paracetamoli dhe buskopani.
  • Konsumi i lëngjeve. Konsumi i lëngjeve është një mënyrë shumë e mirë për të shpejtuar “pastrimin” e urinës. Nga ana tjetër, nqs infeksionet urinare komplikohen edhe me ethe dhe temperaturë konsumi i lëngjeve minimizon edhe rrezikun për dehiidratim.
error: Content is protected !!