IVF klasik apo ICSI?

Kjo është një temë, që për të cilën, për fat të keq jo të gjithë pacientet shfaqin interes. Kjo mbase edhe për shkak të mungesës së informimit.

Dihet që IVF me ICSI është trajtimi i zgjedhur në rastet me probleme të rënda të infertilitetit mashkullor. Por a është mirë që të gjitha rastet me IVF, përfshirë këtu edhe ato me spermogramë normale, fertilizimi nga ana embriologut të kryhet vetëm përmes ICSI-t?

Fertilizim In Vitro ka dy mënyra se si vezët fertilizohen në laborator. IVF klasik (konvencional) dhe ICSI.

  • IVF klasik – Veza (ovociti) vendoset në një epruvetë me 1000-1500 spermatozoide për tu fertilizuar (në mënyrë spontane nga njeri prej këtyre spermatozoideve),
  • ICSI (Mikro-manipulimi, Intra-Citoplazmatik Sperm Injection) – Spermatozoidi injektohet direkt nën drejtimin e embriologut në brendësi të ovocitit (vezës). Pra ICSI vlen edhe për ato raste kur numri i qelizave spermatozoide është shumë i vogël.

Pavarësisht mënyrës se si ndodh fertilizimi, kontrolli i zhvillimit të embrioneve në laborator dhe transferta e embrioneve në mitër është identike.

Në dy dekadat e parë të erës së Fertilizimit In Vitro, u pa se fertilizimi klasik nuk ishte efikas për rastet me probleme të rënda të spermës. Për të përmirësuar këtë pengesë, në vitet 90′ të shekullit të kaluar u zhvillua teknika ICSI e cila përmirësoi në mënyrë të ndjeshme prognozën e rasteve me infertilitet të rëndë mashkullor. Kjo u dha mundësi meshkujve me probleme të rënda të spermës të bëhen prindër.

Që prej këtij momenti ka një trend gjithnjë në rritje të përdorimit gjithnjë e më shumë të ICSI-it, edhe në rastet me infertilitet jo të lidhur me spermën.

Por a është ky trend i bazuar në fakte? Sa e justifikuar është politika “All ICSI” e disa klinikave? Studimet tregojnë se ciftet që nuk kanë një faktor mashkullor të infertilitetit nuk përfitojnë shanse më të larta nqs i nënshtrohen IVF me ICSI. Pra në të tilla raste, zgjedhja e IVF klasik (konvencional) është zgjedhja e duhur!

Si përfundim mund të themi se:

  • ICSI është një mënyrë shumë efikase fertilizimi, por që duhet të rezervohet vetëm në rastet me probleme të rënda të spermës.
  • Për rastet e tjera IVF klasik është zgjedhja e duhur. Në këto raste, mund të kalohet në ICSI vetëm në rast se kemi dështime të përsëritura të IVF klasik.
Categories : Blogu i fertilitetit
error: Content is protected !!