Kyretazhi uterin

Kyretazhi uterin

Çfarë është kyretazhi uterin?


Dilatacioni dhe kyretazhi uterin (D&C) ose thjesht kyretazh uterin apo abrazio, është një teknikë kirurgjikale që presupozon evakuimin e përmbajtjes së mitrës.

Përse është i nevojshëm kyretazhi?


Kyretazhi mund të jetë i nevojshëm në këto situata:

  • Abort
  • Hemorragji uterine jo normale
  • Hemorragji anormale pas lindjes apo pas abortit
  • Për të marrë biopsi nqs këtë e rekomandon mjeku në varësi të aspektit ekografik të endometriumit.

Si kryhet kyretazhi?


D&C (kyretazhi) zakonisht kryhet në kushte klinike apo spitalore. Përpara procedurës gjithnjë jepen medikamente që kanë si qëllim relaksimin e qafës së mitrës dhe medikamente që realizojnë reduktimin e dhimbjeve apo edhe vënien tuaj në një gjumë të shkurtër (sedacion). Përmes instrumentave specialë kryhet fillimisht dilatacioni i qafës së mitrës. Dilatacioni është moment me dhimbje ndaj shumica e mjekëve preferojnë ta kenë pacienten në gjumë. Pas dilatacionit cervikal (të qafës së mitrës) kryhet evakuimi i përmbajtjes së kavitetit të mitrës (kaviteti endometrial) duke përdorur aspirim apo edhe duke tërhequr me instrumenta të tjerë (kyreta etj) përmbajtjen brenda mitrës.në raste të vecanta, mjeku gjinekolog mund të shohë të arsyeshme dërgimin e materialit të evakuuar për ekzaminim histo-patologjik (biopsi) për të saktësuar diagnozën.

Sa e sigurtë është si procedurë?


Në shumicën e rasteve D&C (kyretazhi) është një procedurë shumë e sigurtë. Megjithatë janë raportuar komplikacione të cilat mund të ndodhin gjatë dhe pas procedurës. Në disa nga këto raste, komplikacionet mund edhe të mos pikasen gjatë procedurës. Komplikacionet e mundshme përfshijnë: perforacioni uterin, infeksioni, formim të aderencave mes mureve të brendshme të mitres, dëmtime të qafës së mitrës, hemorragji uterine apo edhe reaksione ndaj anestezisë.