Lindja pa dhimbje

Lindja pa dhimbje

Dhimbjet e lindjes konsiderohen nga shumica e femrave që kanë lindur si më të fortat që kanë përjetuar. Në dekadat e fundit, progreset në mjeksi kanë bërë të mundur që gjithnjë e më shumë femra të lindin pa dhimbje. Në momentin që përgatiteni për lindje është e nevojshme që të dini të gjitha mënyrat e lehtësimit të dhimbjes së lindjes, në mënyrë që të merrni vendimin më të mirë për ju dhe fëmijën tuaj. Anestezia epidurale (ose peridurale) është metoda më e mirë për të lehtësuar dhimbjet gjatë lindjes dhe femrat e preferojnë më shumë se çdo teknikë tjetër anestezike.

Çfarë është anestezia epidurale?

Anestezia epidurale është një lloj anestezi lokale, që e bllokon dhimbjen në një pjesë të veçantë të trupit. Qëllimi i saj është të sigurojë analgjezi (mungesë dhimbje), në ndryshim nga anestezia totale, ku ndjeshmëria është e frenuar në të gjithë trupin. Anestezia epidurale bllokon impulset nervore në segmentet e poshtme të palcës së kurrizit (medulla spinale), duke dhënë një ulje të ndjeshmërisë nga mesi e poshtë.  Lehtësimi prej dhimbjes arrihet duke injektuar doza minimale medikamentesh anestetikësh përmes një kateteri të vendosur në hapësirën epidurale. Kateteri epidural është një tub i hollë që qëndron i atashuar në shpinë deri sa të përfundojë lindja. Në disa raste ajo mund të kombinohet me anestezinë spinale (spino-epidurale).

Pyetjet më të shpeshta lidhur me anestezinë epidurale:

  1. Cilat janë avantazhet e anesitezisë epidurale? Përdorimi i anestezisë epidurale lejon një lehtësim të madh kur lindja është e tejzgjatur. Lehtësimi i dhimbjes së lindjes mund ta ndihmojë femrën ta kujtojë si një eksperiencë më pak traumatike. Në pjesën më të madhe anestezia epidurale ju lejon të jeni të kthjellët dhe të merrni pjesë aktivisht gjatë lindjes.
  2. A është e detyrueshme anestezia epidurale? Jo! Nuk është e detyrueshme. Është një opsion që mbetet në zgjedhjen e pacientes që lind.
  3. Kush e kryen anestezinë epidurale? Atë e kryen mjeku anestezist në momentin që e kërkon pacientja dhe mjeku gjinekolog që ndjek lindjen.
  4. Vendosja e kateterit epidural provokon dhimbje? Kjo varet nga ndjeshmëria e çdo femre, disa shprehen se provokon pak ndjesi bezdisjeje ose presioni gjatë injektimit të medikamentit.
  5. Kur nuk mund të kryhet anestezia epidurale? Në raste të rralla, anestezia epidurale nuk mund të kryhet për shkak të problemeve me koaulimin e gjakut, sëmundje ose operacione në shtyllën kurrizore. Këtu kuptohet që vendos mjeku anestezist pas bisedës me pacienten.
  6. A e zgjat lindjen anestezia epidurale? Doza dhe momenti se kur aplikohet anestezia epidurale zgjidhen në mënyrë që lindja të ecë sa më “butë”. Në fakt “zbritja” e bebit në kanalin e lindjes mund të përmirësohet në kushtet kur dhimbja mungon dhe muskulatura e pelvisit është e relaksuar. Në disa raste, epiduralja mund të shkaktojë një zgjatje me disa minuta të fazës së fundit të lindjes (nga momenti i dilatacionit maksimal deri në daljen e kokës së bebit). Megjithatë, manovrimi me dozat e epiduales është plotësisht i mundur dhe ato mund të ndalohen në rast se nevojiten më shumë shterëzime në fund. Gjithashtu dozat edhe mund të persëriten nqs lindja zgjat më shumë. Cdo femër është e vecantë dhe për rrjedhojë edhe manovrimi me dozat e epidurales nuk është njësoj për çdo paciente.
  7. Kur duhet të bëjmë anestezinë epidurale? Përgjithësisht kur jemi në fazën active të lindjes, ky është momenti i duhur.
  8. Për sa kohë vendoset efekti i anestezisë epidurale? Zakonisht duhen rreth 15 – 20 minuta që anestezia të japë efekt.
  9. A do të ketë zhduket çdo ndjesi poshtë? Qëllimi i anestezisë epidurale është që të zhduket ose reduktohet ndjenja e kontraksioneve të dhimbshme. Femrat do ti ndjejnë këto kontraksione por nuk do të ndjejnë dhimbjen që shoqëron ato. Një ndjenjë mpirje mund të shoqëroje fillimin e anestezisë dhe më pas të zhduket, ndërkohë që një ndjenjë presioni mund të jenë gjithnjë e më pranishme drejt fundit të lindjes.
  10. A do të zgjasë mjaftueshëm anestezia epidurale? Po! Përmes kateterit mund të injektohet anestetik deri në lindjen e bebit.
  11. Do të jem në gjendje të shterëzoj (shtyj)? Për shkak të anestezisë epidurale, ju mund të mos ndjeni kontraksionet, kështu që është e vështirë të përcaktoni kur dhe sa duhet të shtyni. Për këtë arsye gjatë lindjes nevojiten ndihma e mamive / mjekut që tju drejtojnë në momentin e kontraksioneve.
  12. A funksionon gjithmonë epiduralja? Në shumicën e rasteve epiduralja është efikase në lehtësimin e dhimbjes gjatë lindjes, por gjithsesi ka gra që shprehen se vazhdojnë të ndjejnë dhimbje apo që efekti i anestezisë është më i mirë në njërën anë se sa në tjetrën. Në disa raste mund të jetë e nevojshme ndërrimi i kateterit epidural ose aplikimi i mënyrave të tjera qetësuese.
  13. Po nqs del nevoja për lindje me operacion? Në këto raste, duke qenë se kateteri epidural është i vendosur “koha e humbur” për aplikimin e anestezisë është inekzistente.
  14. A ka ndonjë rrezik epiduralja për bebin? Medikamentet që përdoren për anestezinë epidurale nuk kanë asnjë ndikim direkt negativ tek bebi gjatë lindjes pasi ato aplikohen lokalisht dhe jo ne gjakun e nënës. Rënia e tensionit që shihet rrallë në momentet e para të anestezisë epidurale menaxhohet me kujdes nga mjeku anestezist në mënyrë që mos të ketë asnjë efekt negative tek bebi.
  15. A ka ndonjë rrezik për femrën anestezia epidurale? Rreziqet e anestezisë epidurale janë shumë të rralla. Në to mund të përmendim rënie të tensionit, dhimbje koke në ditët në vazhdim etj. Por këto janë shumë shumë të rralla.

error: Content is protected !!