Mos humb kohë!

Një konstatim që më vjen nga përvoja ime e konsultave për infertilitet, është se shumica e pacientëve infertilë do të donin të ishin konsultuar më herët me një mjek gjinekolog specialist në infertilitet. Për shumë nga këto raste, mbetet peng fakti që paraqitja me vonesë ka bërë që të mos marrin trajtimin e duhur në kohën e duhur.

Kjo ndodh sepse në momentin e parë, shumica e çifteve nuk paraqiten për konsultë tek mjeku gjinekolog specialist në infertilitet & Fertilizim In Vitro. Është më se normale që vizitat fillestare të bëhen në një mjek të përgjithshëm, në një androlog ose një gjinekolog. Dhe kjo ndodh si në Shqipëri, por edhe në vendet e tjera evropiane.

Por në shumë raste, për fat të keq koha kalon dhe shtatzania vonon. Kjo sepse mjeku i përgjithshëm, andrologu ose gjinekologu kanë tendencën që të rekomandojnë më vonë drejt një mjeku gjinekolog specialist në infertilitet & Fertilizim In Vitro. Një mjek gjinekolog dhe një mjek gjinekolog specialist në infertilitet nuk është e njëjta gjë!

Ka shumë paciente që referojnë se përgjatë një intervali 5 apo edhe 10 vjecar, ndërrojnë disa mjekë gjinekologë, arrijnë të kryejnë disa trajtime të ndryshme me medikamente apo edhe disa ndërhyrje kirurgjikale, dhe vetëm në fund marrin një rekomandim nga mjeku i tyre për tu drejtuar drejt një mjeku gjinekolog specialist në infertilitet & Fertilizim In Vitro.

Po përse duhet konsultuar më herët një mjek gjinekolog specialist në infertilitet?


Na pëlqen apo jo, mosha është një faktor me rëndësi madhore në arritjen e një shtatzanie si në mënyrë natyrale ashtu edhe në rastet e Teknikave Artificiale të Riprodhimit (Fertilizim In Vitro). Sa më e re të jetë femra në momentin që paraqitet tek mjeku specialist në infertilitet aq më të mëdha janë shanset e saj për të arritur shtatzaninë. Sa më vonë të paraqitet, aq më pak shanse do të ketë për shtatzani!

 

Një tjetër fakt i rëndësishëm është se sa më herët të paraqiten tek specialist në infertilitet, aq më herët do të mësojnë shkakun se përse shtatzania po vonon. Shumë çifte përjetojnë ankth dhe stres për sa kohë që nuk arrijnë të kuptojnë se ku qëndron pengesa në arritjen e një shtatzanie. Kjo për shkak të mendimeve të ndryshme, shpesh here diametralisht të kundërta që marrin nga mjekët e ndryshëm që ndërrojnë gjatë viteve.

Mjeku gjinekolog specialist në infertilitet & Fertilizim In Vitro duke patur njëkohësisht njohuri jo vetëm në problemet e riprodhimit tek femra por edhe tek mashkulli e bën më të shpejtë arritjen e diagnozës dhe për rjedhojë edhe fillimin e trajtimit të duhur. Këtyre u shtohen edhe kompetenca në Mjeksinë Riprodhuese dhe teknikat artificiale të riprodhiumit (Fertilizim In Vitro), teknika këto që do të realizohen dhe do të drejtohen po nga mjeku specialist në infertilitet & IVF .

Por cilat janë shkaqet e kësaj vonese në konsultë?


Një nga arsyet është se fillimisht, çiftet që nuk arijnë të kenë një shtatzani, do të trajtohen nga mjekët ku ato konsultohen si fillim (mjek i përgjithshëm, androlog ose gjinekolog i thjeshtë). dhe këtu një pjesë e mirë prej tyre fillojnë të “humbasin kohë” dhe të vonohen …

Nqs do të kemi një problem infertiliteti tek mashkulli, me të drejtë ai mashkull do të trajtohet tek mjeku androlog për të përmirësuar prodhimin e spermës. Është më se normale për një mashkull të kërkojë të bëhet prind në mënyrë natyrale dhe jo duke ia “besuar” spermatozoidet e tij Teknikave Artificiale të Riprodhimit. Në disa raste, koha kalon dhe fokusi mbetet vetëm tek mjekimi që mashkulli merr nga mjeku androlog, ndërkohë që humbet vëmendja tek faktori femër. Kjo sepse partnerja nuk ka patur probleme në fillim … Për fat të keq ky arsyetim bën që shumë çifte të humbasin kohë … Kjo sepse një femër mund të ketë një rezervë të mirë ovariane në fillim por që me kalimin e viteve po kjo rezervë mund të pësojë ndryshime qoftë për sa i përket efektit të moshës, qoftë edhe për sa i përket efktit të patologjive të ndryshme që mund të shfaqen tek femra (si për shembull kistet në vezore). Me kalimin e viteve, mund të preken edhe tubat ose mund të shfaqen edhe mioma. Të gjitha këto mund të kalojnë pa u diktuar, pasi e gjithë vëmendja është përqëndruar tek trajtimi i mashkullit!

Në ato raste që drejtohen tek gjinekologu personal për trajtimin e infertilitetit, shpesh herë ndodh që vëmendja fokusohet vetëm tek faktori femër, me arsyetimin që mashkulli nuk ka probleme pasi kështu ka treguar analiza e spermës në fillim. Kjo është një mënyrë e gabuar gjykimi pasi nuk mjafton një spermogramë e vetme për të vlerësuar potencialin fertil të një mashkulli. Por edhe sikur një mashkull të mos ketë probleme aspak në fillim, me kalimin e viteve ai mund të zhvillojë probleme të ndryshme (infeksione, varikocela, diabet etj) të cilat dëmtojnë në mënyrë kronike spermën e tij.

Një tjetë mënyrë që sjell humbje në kohë është edhe fakti se merren trajtime në mënyrë jo korrekte.

  • Janë të shumta raste kur jepet Clomid për stimulim të ovulacionit kur femra ka një cikël menstrual të rregullt dhe nuk ka PCO!
  • Janë të shumta raste kur jepet Clomid për stimulim ovulacioni kur femra ka një cikël të rregullt menstrual dhe nuk janë kontrolluar tubat e Fallopit!
  • Janë të shumta raste kur jepet Clomid për stimulim ovulacioni kur femra ka një cikël të rregullt menstrual dhe nuk është kontrolluar spermiograma!
  • Janë të shumta raste kur operohet një miomë dhe nuk është kontrolluar rezerva ovariane me justifikimin se nuk kemi probleme me ciklin menstrual!

Të gjitha këto situata bëjnë që koha të humbasë dhe në shumë raste të largohemi nga trajtimi i duhur. Për fat të keq, jo të gjithë gjinekologët e perecptojnë në mënyrë korrekte efektin e moshës së femrës mbi fertilitetin e saj.

Kur duhet të drejtohemi tek mjeku specialist në infertilitet?


Rekomandimet e përgjithshme se kur duhet të kërkohet konsulta me një mjeks specialist në infertilitet janë si më poshtë:

  • Nqs kanë kaluar > 12 muaj që shtatzania vonon (kur femra ka një moshë < 35 vjeçe)
  • Nqs kanë kaluar > 6 muaj që shtatzania vonon (kur femra ka një moshë < 37 – 38 vjeçe)
  • Nqs kanë kaluar > 3 muaj që shtatzania vonon (kur femra ka një moshë > 40 vjeçe)
  • Nqs kanë kaluar > 3 vite që shtatzania vonon pavarësisht trajtimeve të marra nga mjekët andrologë, gjinekologë.
  • Nqs kërkohet të ruhet fertiliteti për arsye sociale apo onkologjike

Për të mos u harruar:


Koha e humbur sjell reduktim të shanseve dhe rritje të shpenzimeve!

error: Content is protected !!