Ovulacioni & Fertilizimi

Ovulacioni & Fertilizimi

Struktura e vezore ndryshon në mënyrë ciklike gjatë muajit. Përgjatë fazave të ndryshme të ciklit menstrual nje folikul fillon dhe të dallohet nga të tjerët. Pas mbarimit të menstruacioneve, ky folikul fillon të rritet në mënyrë graduale dhe të bëhet më i madh se të tjerët. Në brendesi të folikulit ka gjithnjë një ovocit (vezë) e cila rritet & zhvillohet paralelisht me rritjen e folikulit. Kur veza maturohet (arrin pjekurinë) folikuli rupturohet (çahet) duke lëshuar së bashku me lëngun folikular edhe vezën. Ky proçes quhet ovulacion. Veza (ovociti) përfshihet nga fimbriet tubare të cilat e drejtojnë atë në brendësi të tubit. Që nga ky moment 2 janë alternativat e mundshme:

 

Në rastet kur femra ka patur kontakt seksual të pambrojtur në ditët fertile, ekziston mundësia që të ndodhë koncepsioni. Koncepsioni është bashkimi i vezës me spermatozoidin duke formuar kështu embrionin. Koncepsioni quhet ndryshe ngjizje, fertilizim ose fekondim. Koncepsioni natyror tek njerëzit ndodh në tubat e Fallopit. Është pikërisht në brendësi të tubit ku veza takohet me spermatozoidin e pasi ky i fundit ka kaluar vaginën, qafën e mitrës, mitrën dhe ka hyrë në anën tjetër të tubit. Embrioni fillon të zhvendoset nëpër tub duke zbritur drejt mitrës ku hyn në ditën e 5-të të jetës. Në mitër, embrioni implantohet në endometër (shtresa që vesh kavitetin e mitrës) rreth ditës 9 – 12. Paralelisht me këtë rrugëtim të embrionit nga tubat në mitër dhe implantim, ai vazhdon të zhvillohet në mënyrë dinamike duke rritur numrin e qelizave dhe duke u rritur në madhësi.

Embrioni në momentin e implantimit ka arritur në stadin e blastokistit dhe ka 2 tipe qelizash: një grup qelizash që do të formojnë placentën dhe një grup qelizash që do të formojnë fetusin. Embrioni fillon të penetrojë në endometër me ndihmën e placentës e cila vazhdon të formohet dhe diferencohet paralelisht me embrionin.

Në këtë moment fillon shtatzania. Menjëherë pas implantimit placenta fillon të prodhojë hormonin e shtatzanisë (gonadotropinën humane korionike – hCG). Implantimi i embrionit është proçesi i atashimit të embrionit në shtresën e endometrit (shtresa që vesh mitrën nga brenda). hCG e prodhuar nga placenta do të stimulojë korpusin luteal në mënyrë që të ruhet prodhimi i progesteronit në fillim të shtatzanisë me qëllim suportin e vetë shtatzanisë (progesteroni është hormoni që suporton implantimin e mëtejshëm). Në mujajin e 3-të, prodhimi i progesteronit merret nga vetë placenta.

error: Content is protected !!