A është infertiliteti në rritje?

Një në 8 çifte përjeton vështirësi në arritjen e shtatzanisë dhe sipas studimeve të shumta kjo shifër është në rritje. Po përse ndodh kjo?

Është fakt që vitet e fundit po konstatohet një reduktim i fertilitetit si tek mashkulli ashtu edhe tek femra. Në bazë të këtij reduktimi janë faktorë socialë dhe mjeksorë. Një ndikim të madh në këtë drejtim ka mosha, stili i jetesës dhe ambienti ku jetojmë.

Çiftet kërkojnë të bëhen prindër në një moshë më të madhe …

Në dekadat e fundit po shohim një rritje të moshës kur femra bëhet nënë për herë të parë. Ky fakt tregon tendencën që kanë çiftet për të arritur shtatzaninë në një moshë më të madhe. Tashmë ka gjithnjë e më pak femra që bëhen nëna për herë të parë përpara moshës 25 vjeç dhe gjithnjë e më shumë femra që bëhen nëna për herë të parë pas moshës 34 vjeç. Ky është një trend social dhe shumë kompleks, dhe nuk duhet të kuptohet si thjesht një vendim i vetë femrave për të patur fëmijë në një moshë më të madhe.

Si meshkujt edhe femrat, gjithnjë e më shumë shpenzojnë më shumë kohë për studime apo për karierrë, duke bërë që të krijojnë familje gjithnjë e më vonë. Në eksperiencën time si specialist infertiliteti, më tepër se një vendim personal i femrës, janë kushtet sociale ato që e detyrojnë një femër të ketë fëmijë më vonë. Tashmë femra kërkon një rol gjithnjë e më të madh në shoqëri, kërkesat dhe presioni i shoqërisë janë akoma më të mëdha ndaj femrës ndërkohë që mbështetja që një femër mund të gjejë nqs bëhet nënë në një moshë të re është gjithnjë e më e pakët.

Partnerët meshkuj mund ta vonojnë vendimin për të patur fëmijë për shkak se e shohin më pak urgjent këtë vendim marrje. Por në disa raste, të tillë partner e kanë të vështirë të kuptojnë se mund të përballen me vështirësi në momentin kur ata të jenë gati.

Ndërkohë që mosha në të cilën ciftet bëhen prindër është në rritje, ora biologjike nuk ka ndryshuar aspak. Ajo është po e njëjta. Dhe shanset për koncepsion bien në mënyrë të ndjeshme pas moshës 35 vjeç. Në moshën 43 vjeç shanset e një femre të arrijë shtatzaninë me vezët e saj janë ≈ 5% dhe në moshën 45 veçe këto shanse bien në 1%.

Dëgjoj shpesh gjatë praktikës time si mjek specialist se shumë paciente nuk shqetësohen shumë për shtyrjen e vendimit për tu bërë nëna pasi ekziston Fertilizimi In Vitro. Është e vërtetë që Fertilizimi In Vitro është një metodë e shkëlqyer për ato që nuk e arrijnë shtatzaninën në mënyrë natyrale, por nuk mund të “zgjidhë” problemin kur kemi vezë më të “vjetra” në moshë. E thënë ndryshe, Fertilizimi In Vitro nuk mund të ndryshojë cilësinë e vezëve, e cila dihet që është në përpjestim të zhdrejtë me moshën e femrës! Kjo do të thotë se sa më e madhe mosha e femrës aq më e ulët është edhe cilësia e vezëve dhe për rjedhojë aq më e pakët është mundësia që ato të japin një embrion të shëndetshëm. Si rjedhim kemi më pak embrione që kanë aftësinë për tu implantuar në mitër.

Nga ana tjetër, me kalimin e viteve të tjerë faktorë mund të ndërhyjnë apo të shfaqen duke dëmtuar akoma më shumë fertilitetin, si për shembull endometrioza, miomat, polipet etj.

Ambienti ku jetojmë ka ndikimin e tij …

Jo gjithcka lidhet me femrën apo me moshën e femrës. Edhe fertiliteti tek meshkujt reduktohet me kalimin e viteve, ndonëse jo aq sa edhe tek femrat. Disa studime tregojnë një reduktim të cilësisë së spermës tek meshkujt pas moshës 40 vjeç duke sellë kështu më shumë mutacione gjenetike tek spermatozoidet. Vlerat e spermiogramës kanë pësuar rënie në 40 vitet e fundit, gjë që sugjeron për një ndikim të faktorëve mjedisorë dhe të stilit të jetesës në këtë drejtim. Përdorimi i lap-topëve, celulareve, rritja e temperaturës lokale në skrotum, ndotja nga degradimi i produkteve të plastikës (të cilat hyjnë në zinxhirin ushqmor) mendohet se kanë një ndikim në këto ndryshime të spermogramës.

Ndikimi i stilit të jetesës

Duhani, alkooli, mbipesha janë kanë një ndikim negativ në vlerat e spermogramës, duke ndikur kështu edhe ato në rritjen e infertilitetit mashkullor. Në ndryshim nga faktorët ambientalë, të paktën këto janë faktorë që mund të ndryshohen. Ndalimi i alkoolit, duhanit dhe respektimi i një diete të shëndetshme dhe aktiviteti fizik janë parë që restaurojnë vlerat e spermogramës në nivele normale.

Çfarë duhet bërë?

Megjithëse fertiliteti është në rënie, ka gjithashtu një mori alternativash për ciftet infertile. Por të gjitha këto duhet të paraprihen nga konsulta me një mjek gjinekolog specialist në infertilitet atëherë kur shtatzania vonon.  Në këtë mënyrë do të kenë mundësinë për të kryer analizat dhe trajtimet e duhura. Kështu do të shmangin humbjen e kohës që është shumë e rëndësishme në këtë drejtim.

Categories : Blogu i fertilitetit
error: Content is protected !!