Përse mund të dështojë një cikël Fertilizimi In Vitro?

Fertilizimi In Vitro (IVF) është një opsion shumë i vlefshëm për ciftet infertile. Ai mund të sjellë fëmijën e dëshiruar në momentet që ata mund ti kenë humbur shpresat që kjo të ndodhë në mënyrë natyrale. Megjithatë e vërteta është se IVF nuk rezulton gjithnjë me sukses. Ka mjaft çifte që u nënshtrohen disa cikleve IVF përpara se njeri prej tyre të rezultojë me shtatzani.

Është fakt që IVF është një trajtim që ka një kosto të lartë financiare por edhe emocionale. Është shumë e vështirë ndonjëherë për pacienten të kuptojë se përse edhe pasi vezët pasi janë bashkuar me spermatozoidet në laborator dhe pasi embriologu është shprehur pozitivisht për “cilësinë” e embrioneve, IVF mund të rezultojë pa sukses. Ashtu si çdo fenomen biologjik, kalimi nga një vezë në embrion dhe më pas në zhvillimin e një shtatzanie është shumë kompleks dhe që ende tejlakon njohuritë tona.

E megjithatë ka disa arsye që mund të shpjegojnë se përse në disa raste një cikël Fertilizimi In Vitro mund të rezultojë pa sukses. Kushtet kryesore që një cikël IVF të rezultojë me sukses janë të paturit e vezëve dhe spermatozoideve me cilësi normale dhe një mitër që të jetë receptive dhe e gatshme për të mirëpritur zhvillimin e embrionit. Të gjithë faktorët që ndikojnë negativisht në këto nivele mund të ndikojnë negativisht edhe në shanset për sukses të një ciki IVF.

1. Anomalitë e vezëve


Veza (ovociti) ka një strukturë shumë e ndërlikuar dhe komplekse. Si e tillë, ajo nuk është e paprekshme ndaj stimujve të ndryshëm të cilët mund ta dëmtojnë atë dhe ta kthejnë në jo funskionale. Le të kthehemi pak prapa në vite dhe të kujtojmë pak biologji elementare që kemi bërë të gjithë në shkollën fillore. Kur qelizat ndahen, kromozomet (paketat gjenetike që përmbajnë gjenet tona) duplikohen dhe vendosen në ekuatorin (mesin) e qelizës. Me ndarjen e qelizës, gjysma e kromozomeve zhvendoset në një drejtim dhe gjysma tjetër në drejtim të kundërt duke dhënë kështu dy qeliza identike. Këto kromozome zhvendosen sepse janë të atashuara në një strukturë që quhet spindle apparatus dhe që është përgjegjëse për ndarjen e kromozomeve, një kusht i nevojshëm për ndarjen qelizore. Me rritjen e moshës së femrës, aparati spindle bëhet gjithnjë e më delikat dhe dëmtohet më lehtë. Të tilla dëmtime mund të rezultojnë në ndarje jo normale të kromozomeve, e për pasojë në krijimin e embrioneve me numër jo normal të kromozomeve. Të tillë embrione kanë potencial implantimi shumë të reduktuar.

Ovociti (veza) mund të jetë subjekt i dëmtimeve edhe nga radikalet e lira dhe produktet e tjera të metabolizmit që ndodhin në brendësi të vezoreve gjatë jetës së femrës. Shumë studime kanë treguar se 25 – 40 % e vezëve janë me anomali kromozomiale. Kjo shifër rritet akoma më shumë me ritjen e moshës së femrës.

Mosha e femrës & cilësia e vezëve

Tashmë dihet se shanset e një femre për të arritur një shtatzani në mënyrë natyrale reduktohen me kalimin e viteve. Kjo ndodh edhe në Fertilizim In Vitro. Sa më e re të jetë pacientja aq më të larta janë shanset për sukses në Fertilizim In Vitro.

Çdo femër lind me një numër të caktuar vezësh (ovocite) të cilat me kalimin e viteve reduktohen në mënyrë konstante. Për çdo cikël menstrual, nga vezët që do të rekrutohen vetëm njëra do të ovulojë (më e mira!) ndërkohë që të tjerat do të atretizohen. Kjo do të thotë se çdo muaj ovari tenton të zgjedhë (seleksioni natyror) vezën më të mirë. Pra, në një moshë të avancuar jo vetëm që kemi një problem me numrin e ovociteve në dispozicion por kemi edhe një problem me cilësinë e tyre pasi “më të mirat” janë “konsumuar”.

Ka raste që vezoret (ovaret) e pacientes nuk përgjigjen në mënyrën e duhur ndaj medikamenteve (ilaceve) stimuluese të Fertilizimit In Vitro. Sa më e madhe rezerva ovariane aq më mirë përgjigjen vezoret gjatë stimulimit hormonal. Kjo do të thotë më shumë vezë në dispozicion për fekondim dhe për rjedhojë më shumë embrione normale.

Nqs ju keni një numër të reduktuar vezësh, keni një moshë > 37 vjeçe, atëherë parashikohet një përgjigje e vështirë dhe suboptimale ndaj stimulimit. E thënë shkurt: më shumë vezë … më shumë shanse!

2. Spermatozoidet jo normale


Megjithëse spermatozoidet jo normale duket se është një faktor që ndikon më pak në suksesin e një cikli IVF, roli i tyre nuk duhet të nënvlerësohet. Jo gjithnjë spermatozoidi “kërcen” në vezë dhe e fertilizon atë. Vetë proçesi i fekondimit është shumë kompleks. Që të “migrojnë” drejt vezës, spermatozoidet duhet të jetë të lëvizshme dhe të ketë strukturë normale. Ka receptorë specifikë në sipërfaqen e kokës së spermatozoidit që lidhen me receptorë specifikë në sipërfaqen e vezës duke lejuar kështu penetrimin e spermatozoidit në brendësi të vezës. Pas kësaj, materiali gjenetik (kromozomet) i spermatozoidit fuzionon me materialin gjenetik (kromozomet) të vezës duke krijuar kështu një embrion.

Studimet tregojnë se anomalitë kromozomiale janë shumë më të shpeshta tek spermatozoidete se sa tek vezët. Megjithatë, ndërsa një vezë me anomali kromozomiale mund të fertilizohet nga një spermatozoid dhe të rezultojë në një një shtatzani me anomali kromozomiale, një spermatozoid me anomali kromozomiale duket se e ka shumë më të vështirë të fertilizojë me sukses një vezë.

Në dekadat e fundit, ICSI ka mundësuar që edhe meshkujt me shumë pak spermatozoide ose me speratozoide me lëvizshmëri të reduktuar të kenë mundësi të bëhen prindër. ICSI jep më shumë shanse për këta meshkuj që spermatozoidet e tyre të fertilizojnë vezët në laborator, ndërkohë që një gjë e tillë ishte shumë më e vështirë me teknikën klasike të Fertilizimit In Vitro (classic / conventional IVF).

3. Cilësia e embrioneve


Cilësia e embrioneve është rjedhojë direkte e cilësisë së vezëve dhe spermatozoideve të përdorura për fekondim. Cilësia e embrioneve është një faktor madhor në suksesin apo mos suksesin e një cikli IVF. Disa embrione mund të kenë anomali gjentike apo kromozomiale duke patur kështu më pak shanse për tu implantuar. Ka raste të tjera që embrionet mund të kenë numër më të vogël qelizash dhe të progresojnë ngadalë në rritje dhe zhvillim duke e patur thuajse të pamundur implantimin në mitër. Është e pamundur për një embriolog që të modifikojë cilësinë embrioneve.

4. Problemet e lidhura me mitrën


Në disa raste të tjera, janë anomali të pranishme në mitër të cilat mund të reduktojnë shanset e një embrioni për tu implantuar. Këtu përmendim polipet endometriale, një pjesë të miomave, septumin uterin (perdja në mitër) etj.

Në disa raste, problem mund të jetë tek mosnjohja e dritares së implantimit. Në të tilla raste edhe transferta e embrioneve normal nga ana gjenetike mund të rezultojë pa sukses për shkak se ndodh jashtë dritares së implantimit. Njohja e saktë e dritares së implantimit përmes testeve gjenetike, është shumë e rekomanduar në rastet me dështime të përsëritura në Fertilizim In Vitro.

Ka raste që edhe probleme jashtë mitrës apo edhe sëmundje sistemike të pacientes mund të rezultojnë një reduktim të receptivitetit të mitrës ose në defekte të implantimit. Këtu përmendim hidrosalpingsin, trombofilinë, sëmundjet autoimune etj.

Këto janë arsyet më të zakonshme se përse mund të dështojë një cikël Fertilizimi In Vitro. Vetëm se ju mund të keni një IVF pa sukses kjo nuk do të thotë se ju duhet të ndaloni përpjekjet për të arritur shtatzaninë.

Categories : Blogu i fertilitetit
error: Content is protected !!