10 fakte mbi spermën

Të gjithë e dimë se sperma është e nevojshme për koncepsionin (krijimin e një qënie njerëzore), por jo gjithnjë ajo merr vëmendjen e duhur. Kjo për shkak se në mentalitetin tonë është ngulitur se çdo gjë lidhur me shëndetin e fëmijës lidhet vetëm me femrën, pasi është ajo që e mbart 9 muaj në trupin e saj. E vërteta është se gjysma e materialit gjenetik të një fëmije vjen nga sperma e mashkullit. Ka shumë fakte interesante që lidhen me rolin e spermës por ende që i shpëtojnë vëmendjes së çifteve që kërkojnë të bëhen prindër. Më poshtë renditen 10 nga këto fakte të cilat çdo mashkull që kërkon të bëhet baba duhet ti ketë patjetër në vëmendjen e tij.

Sperma i përgjigjet ushqimit që mashkulli konsumon!


Janë të shumta studimet që kanë treguar impaktin që mund të ketë ushqimi që konsumon një mashkull në spermën e tij. Dieta ka një ndikim të rëndësishëm në cilësinë e spermës së mashkullit.

DHA apo acidet yndyrore Omega-3, të cilat gjenden me shumicë në ushqime si salmoni apo vaji i peshkut luajnë një rol të rëndësishëm në spermatogjenezë (procesi i formimit të spermës). Një studim i publikuar në 2011 në the Journal Of Biology And Reproduction, konstatoi një efekt pozitiv të DHA në morfologjinë e spermatozoideve. Kur nivelet e DHA rriten, një round spermatozoid (spermatozoid jo matur) mund të shndërrohet në një spermatozoid matur (me kokë në formë konike) që përmban enzimat e duhura për penetruar vezën. Gjithashtu DHA luan edhe një rol në përkuljen dhe fleksibilitetin e bishtit, aq i nevojshëm për lëvizjen e spermatozoidit.

Vitamina C është parë se përmirëson cilësinë e spermës dhe minimizon dëmtimet e ADN (ose DNA) në spermatozoide. Ky fakt shoqërohet me reduktim të rrezikut për humbje të shtatzanisë apo për anomali kromozomiale. Nga ana tjetër, vitamina C shmang aglutinimin e spermatozoideve duke rritur kështu lëvizshmërinë e tyre.

Një tjetër studim ka treguar se meshkujt të cilët konsumojnë ≥ 3 kafe në ditë kanë një reduktim në përqendrim dhe lëvizshëmrinë e spermatozoideve.

Një tjetër studim i publikuar në 2011 në Fertility And Sterility, ka treguar se meshkujt që konsumojnë më shumë drithëra (grurë, tërshërë, elb) dhe fruta të freskëta kanë një përqëndrim dhe lëvizshmëri më të lartë të spermatozoideve.

Meshkujt kanë nevojë për ejakulacione të rregullta për të patur spermatozoide sa më të shëndetshme.


Abstinenca seksuale mund të shkaktojë stres oksidativ. Abstinence bën që spermatozoidet të qëndrojnë më gjatë në testikuj duke u ekspozuar kështu më shumë ndaj faktorëve të ndryshëm toksikë që mund ti dëmtojnë ato. Meshkujt që ejakulojnë më shumë se 4 heë në muaj kanë një morfologji më të mirë të spermatozoideve.

Spermatozoidet janë të ndjeshme ndaj rrezatimit nga wireless – i


Në të kaluarën mendohej se vetëm temperatura e shkaktuar nga bateria e laptop-it mund të kishte efekt negativ mbi cilësinë e spermës. Në një studim të vitit 2012 të botuar në Fertility and Sterility ka treguar se teknologjia wireless me të cilin punojnë shumica e kompjuterëve dhe laptop-eve tashmë, mund të dëmtojnë spermën përmes një efekti të shkaktuar nga valët elektro-magnetike. Këto valë duke shkaktuar stres oksidativ dëmtojnë si spermën ashtu edhe ovocitet (vezët). Ky stres oksidativ shkakton reduktim të lëvizshmërisë dhe dëmtime në AND (ose DNA) e spermatozoideve. Pra meshkujt duhet të mos e mbajnë laptop-in direkt mbi këmbët e tyre kur punojnë dhe telefonat celularë të mos i mbajnë në xhepat e pantallonave.

Progesteroni tek femra ndihmon spermatozoidin të penetrojë vezën.


Duke marrë në konsideratë dimensionet e tyre, spermatozoidet kanë një rrugë relativisht të gjatë përpara se të takojnë vezën në tubat e Fallopit. Për të përshkuar këtë rugë spermatozoidi ka nevojë për rezerva energjitike. Por rruga është vetëm gjysma e punës së nevojitur për të krijuar jetën. Me tu takuar, veza dhe sperma duket se punojnë së bashku. Lëvizja e vrullshme e bishtit të spermatozoideve në këtë moment stimulohet akoma më shumë nga progesteroni që fillon të prodhohet me shumicë pas ovulacionit. Kjo ndihmon në penetrimin e vezës nga spermatozoidi. Në 2011 studiuesit kanë zbuluar se një proteinë e quajtur catsper në spermë merr sinjale nga rritja e prodhimit të progesteronit.

Spermatozoidi si një super hero!


Spermatozoidi mund të shkrihet me sipërfaqen e membranës së vezës. Kjo ndodh për shkak se ai përmban enzima të depozituara në një zonë në kokën e tij e cila quhet akrozoma. Këto enzima pasi lëshohen kanë aftësi të shkrijnë membranën në vendin e takimit. Pasi fuzionohet (shkrihet) me vezën, koka e spermatozoidit shkëputet nga bishti dhe momenti i koncepsionit fillon.

Spermatozoidet jetojnë disa ditë


Shumica e studimeve kanë treguar se spermatozoidet zakonisht jetojnë në trupin e femrës 24  deri në 48 orë. Megjithatë ka disa studime që referojnë se ky interval mund të arrijë deri edhe në 5 ditë.

Spermatozoidet preferojnë “freskun”


Temperatura në testikuj është 2-3 gradë Celcius më e ulët se ajo e trupit. Një spermë e shëndetshme ka nevojë për temperaturë më të ulët se ajo e trupit. Testikuli funksionon si një frigorifer: krijon një shkëmbim nxehtësie me anë të qarkullimit të gjakut. Për këtë arsye nuk këshillohen banjat me ujë të nxehtë apo mbajtja e pantallonave të ngushta.

Stili i jetesës ndikon në cilësinë e spermës!


Të shumta janë studimet që tregojnë se meshkujt që konsumojnë alkohol, duhan kafeinë dhe / ose janë obezë kanë fertilitet më të reduktuar; kjo për shkak të impaktit negativ mbi spermën.

Meshkujt që konsumojnë duhan rregullisht kanë probleme me morfologjinë dhe motilitetin (lëvizshmërinë) e spermatozoideve. Studimet nuk kanë treguar ndonjë diferencë lidhur me sasinë e nikotinës së aspiruar në ditë; pra edhe doza të vogla janë në gjendje të japin një impakt të madh negativ mbi shëndetin e spermës.

Meshkujt që konsumojnë alkohol kanë edhe ata probleme me motilitetin dhe përqëndrimin e spermatozoideve në spermë.

Meshkujt mbi peshë (me BMI > 25) kanë më shumë spermatozoidet të palëvizshëm se ata me BMI < 25. Përveç kësaj, tek meshkujt mbi peshë vërehen përqendrime më të reduktuara të spermatozoideve në ejakulat.

Cikli i jetës: 


Studimet tregojnë se intervali  nga prodhimi, maturimi i spermatozoideve deri tek ejakulacioni varion nga 42 në 76 ditë. Në ndryshim nga vezët, spermatozoidet prodhohen në mënyrë të vazhdueshme dhe konstante. Kjo bën që meshkujt të kenë mundësinë të përmirësojnë shëndetin e spermës së tyre brenda disa muajve. Prandaj këshillohet që meshkujt të mbajnë një dietë të shëndetshme, të ndalojnë konsumin e duhanit, alkoolit dhe substancave të tjera të dëmshme.

Fabrika nuk mbyllet kurrë!


Ky cikël prodhimi vazhdon deri në fund të jetës. Me kalimin e viteve, cilësia dhe përqëndrimi i spermatozoideve reduktohet por prodhimi kurrë nuk ndalon. Kjo bën që meshkujt të jenë mund të bëhen prindër në do moshë.

Categories : Blogu i fertilitetit
error: Content is protected !!