Hematoma subkorionike

Hemorragjia gjatë shtatzanisë mund të jetë alarmante për femrën, por për fat të mirë ajo jo gjithnjë përfundon në humbje të shtatzanisë. Shpesh, hemorragjia është shenjë e një grumbullimi gjaku të quajtur hematoma subkorionike e cila takohet në ≈ 3% të shtatzanive. Shumica e këtyre hematomave do të zhduken pa patur asnjë ndikim në zhvillimin e fetusit dhe në shëndetin e shtatzanës.

Kjo lloj hematome takohet më shpesh në hemorragjitë vaginale gjatë Tremujorit I të shtatznisë. Megjithatë ajo mund të shfaqet edhe gjatë Tremujorit II.

Hematoma subkorionike krijohet si pasojë e hemorragjisë poshtë njërës prej membranave (korionit) që mbështjell embrionin. Hemorragjia organizohet në një koagul që lokalizohet mes placentës dhe murit të mitrës. Ky koagul me kalimin e ditëve / javëve do të shërohet, zakonisht pa shfaqur ndonjë ndikim negativ për embrionin.

Për fat të mirë, shumica e femrave shtatzana që do të kenë një hematomë subkorionike do të kenë një shtatzani të mbarë deri në lindje. Megjithatë në raste të ralla hematoma mund të shoqërohet me humbje të shtatzanisë ose komplikacione në Tremujorin III.

Përse formohen hematomat?


Shkaqet e formimit të hematomave subkorionike ende nuk janë të njohura plotësisht. Një pjesë e studimeve lidh shfaqjen e këtyre hematomave me trobofilinë, pre-eklampsinë, trauma të ndryshme apo përdorimin e drogave të ndryshme. Gjithashtu ato shfaqen më shpesh në shtatzanitë e arritura me Fertilizim In Vitro.

Cilat janë shenjat që jep hematoma?


Hemorragjia që shoqëron këto hematoma mund të jetë shumë e vogël ose edhe shumë masive dhe me koagula. Një pjesë e tyre shoqërohet edhe me dhimbje në formën e krampeve. Por në shumë raste me hematomë, nuk kemi aspak hemorragji vaginale apo dhimbje dhe ajo zbulohet rastësisht gjatë ekografisë.

Cilat janë komplikacionet e hematomës subkoriale


Hematomat e shfaqura në fillim të Tremujorit I zakonisht janë më problematike në krahasim me ato që shaqen më vonë. Hematoma e vogla që shfaqen në sipërfaqe të placentës janë shumë më pak të rrezikshme se sa ato që shfaqen nën placentë.

Hematoma që nuk tregojnë rritje zakonisht janë pak të rrezikshme, por ato që vazhdojnë të rriten janë të rrezikshme pasi mund të shkaktojnë shkëputjen e placentës nga muri i mitrës. Kjo mund të shkaktojë edhe humbje të shtatzanisë.

Megjithëse shumica e hematomave subkoriale kalojnë pa asnjë ndikim negative tek shtatzania, kemi një rritje të rrezikut për komplikacione si humbja e shtatzanisë, plasje para kohe të membranave dhe lindje premature, pre-eklampsi, distako të placentës.

Si trajtohen hematomat subkorionike?


Nuk ekziston ndonjë trajtim specifik për hematomat subkorionike. Pacientja rekomandohet të reduktojë aktivitetin fizik dhe të kryejë kontrolle më të shpeshta ekografike për të parë evolucionin e hematomës. Në një pjesë të rasteve mund të shtohen në mjekim hollues të gjakut, estrogjenë apo edhe progesteron. Për fat të mirë, shumica e hematomave kalon pa asnjë ndikim negativ.

Categories : Blogu i shtatzanisë
error: Content is protected !!