Duhani & (In)fertiliteti mashkullor

Nuk ka njeri të mos jetë tashmë në dijeni të efekteve të dëmshme që duhani ka mbi shëndetin në përgjithësi. Por jo të gjithë e dinë se duhani ka efekte të dëmshme edhe mbi fertilitetin mashkullor. Duhani tek meshkujt shkakton:

  • Impotencë,
  • Çrregullime hormonale
  • Dëmtime të cilësisë së spermës.

Tymi i duhanit përmban > 4000 lëndë kimike (përfshirë këtu edhe një mori substancash kancerogjene). Ekspozimi ndaj tymit të duhanit ka një efekt serioz negativ mbi cilësinë e spermës.

Vëllimi i spermës dhe lëngu seminal


Sperma përbëhet nga lengu seminal dhe spermatozoidet. Lëndu seminal luan një rol me rëndësi të madhe në fertilitetin mashkullor, pasi ofron lëndët e duhura ushqyese dhe mbrojtje për spermatozoidet që “notojnë” nëpër rrugët genitale të femrës. Lëndët kimike të duhanit jo vetëm që reduktojnë vëllimin e spermës por gjithashtu reduktojnë edhe rolin mbrojtës të lëngut seminal. Për rjedhojë, spermatozoidet e meshkujve që konsumojnë duhan kanë më pak shanse për të mbijetuar në rrugën e tyre drejt vezës.

Cilësia e spermës


Mjaft studime kanë provuar tashmë se ata që konsumojnë duhan kanë një silësi më të reduktuar të spermës në krahasim me ata që nuk konsumojnë duhan. Konkretisht kemi reduktim të përqëndrimit dhe të levizshmërisë (motilitetit) të spermatozoideve në spermë.

Gjithashtu tek meshkujt që konsumojnë duhan, kemi edhe reduktim të prodhimit të hormoneve FSH dhe testosteron, të cilët sic dihet janë përgjegjës për prodhimin e spermatozoideve nga testikujt.

Motiliteti ose lëvizshmëria e spematozoideve


Aftësia e spermatozoidit për të “notuar” është me shumë rëndësi për të vlerësuar cilësinë e spermës në përgjithësi. Sa më të lëvizshëm të jenë spermatozoidet aq më tepër shanse do të ketë të fertilizojnë vezën.

Duhani rrit radikalet e lira të oksigjenit dhe për rjedhojë edhe stresin oksidativ. Të gjitha këto dëmtojnë ADN-në e spermës duke reduktuar kështu lëvizshmërinëe spermatozoideve. Sa më e pakët të jetë lëvizshmëria e spermatozoideve aq më pak fertile është sperma!

 Morfologjia e spermatozoideve – dimensionet dhe forma


Edhe forma dhe dimensionet e spermatozoideve kanë rëndësi. Spermatozoidet me formë jo normale nuk janë notarë të mirë; dmth nuk kanë lëvizshmërinë e duhur dhe për rjedhojë nuk ka shanset e duhura për të fertilizuar vezën.

Duhani dëmton formën e spermatozoideve, për shembull duke shkaktuar edhe harkim të bishtit. Tek sperma e meshkujve që konsumojnë duhan ka më pak spermatozoide me formë normale në krahasim me meshkujt që nuk konsumojnë duhan.

ADN-ja spermatike


Përveç dëmtimeve në numër, lëvishmëri dhe formë të spermatozoideve, duhani shkakton edhe dëmtime të ADN-së spermatike. Këto dëmtime janë krysesisht fragmentime “thyerje” të ADN-së (DNA fragmentation) të cilat shoqërohen edhe me probleme me fertilizimin e vezës apo me zhvillimin e embrionit. Kjo do të thotë se shanset janë të reduktuara si për shtatzani natyrale ashtu edhe për IUI apo IVF.

Disfunksion erektil


Çrregullimet e erekesionit kanë një ndikim të madh në jetën seksuale duke kontribuuar direkt në infertilitet. Ereksioni ndodh kur enët e gjakut zgjerohen dhe mbushen me gjak. Konsumi i duhanit, bën të mundur që toksinat të kalojnë në gjak. Këto toksina dëmtojnë qarkullimin e gjakut në penis duke rezultuar kështu në disfunksion erektil (impotencë). Në rastet me disfunksion erektil, sperma jo gjithnjë ka probleme, por pamundësia e kryerjes së aktit është përgjegjëse direkte për infertilitet.

Por kurrë nuk është vonë për të thënë STOP


Lajmi i mirë është që këto efekte janë në një pjesë të mirë të rikthyeshme. Pra nuk është kurrë vonë të ndalosh duhanin dhe dëmtimin e spermës. Spermatogjeneza (procesi i formimit të spermatozoideve) zgjat 7 0- 90 ditë. Kjo do të thotë se mund të shohim një përmirësim në cilësinë e spermës 3 muaj pasi është ndërprerë duhani. Mund të duhen më tepër muaj në rast se kemi të bëjmë me konsum të zgjatur në vite të duhanit.

Categories : Blogu i fertilitetit
error: Content is protected !!