Ndjekja e pacientesUdhërrëfyes drejt metodave të riprodhimit të asistuar (IUI & IVF)

Riprodhimi i asistuar është një fushë e Mjeksisë që vazhdon të pasurohet në dije dhe teknologji në mënyrë të pandalshme. Qëllimi im dhe i kolegëve të mi është që të tilla arritje ti vemë në dispozicion të pacientëve me qëllim shkurtimin e kohës drejt lindjes së një fëmije të dëshiruar prej vitesh.

KONSULTA E PARË


Konsulta e parë është shumë e rëndësishme për pacientet që i nënshtrohen një cikli Fertilizimi In Vitro. Gjatë kësaj konsulte do të studiohet historia juaj e infertilitetit dhe ajo e përgjithshme mjeksore, bazuar në referimet tuaja si edhe në analizat dhe egzaminimet e vjetra. Nqs keni kryer trajtime të infertilitetit në të kaluarën, këto do të diskutohen me vëmendje të veçantë. Prandaj, mos hezitoni të merrni me vete çdo dokument mjeksor (analiza, egzaminime apo fletë-dalje) pasi janë një burim i çmuar informacioni. Është mirë që përpara konsultës të keni përgatitur një listë pyetjesh dhe mos hezitoni ti parashtroni. Nuk ka anjë pyetje të gabuar.

Konsulta e parë pasohet në të njëjtën ditë me vizitën gjinekologjike dhe ekografinë transvaginale. Këto na bëjnë të mundur vlerësimin e anatomisë së organeve të riprodhimit. Nqs evidentohet ndonjë patologji shoqëruese si për shembull polipe endometriale apo kiste ovariane këto duhet të trajtohen përpara se të trajtohet infertiliteti.

Nqs ju e keni të pamundur të paraqiteni për të kryer konsultën e parë, atëherë mund të kërkoni formularin e historisë mjeksore dhe listën e analizave të cilat mund t’ua dërgojmë me e-mail. Këtë mund ti dërgoni të plotësuara sërish përmes e-mailit. Të jeni të sigurt që përgjigjet dhe rezultatet tuaja do të lexohet dhe do të merrni përgjigje.

Në fund të konsultës së parë, do të kërkohen analizat dhe egzaminimet e nevojshme për të vlerësuar gjendjen aktuale të fertilitetit të partnerit femër dhe të partnerit mashkull. ndër analizat bazike që kërkohen janë:

  • Partneri femër
    • Testet e rezervës ovariane
    • Kontrolli i tubave të Falopit
    • Hemoleukograma
    • Grupi i Gjakut dhe faktori Rhesus
    • Indirekt Coombs (ICT) nqs jeni me Rhesus negativ
    • Elektroforeza e hemoglobinës
    • Analiza të tjera hormonale (TSH / PRL)
    • Pap Test
  • Partneri mashkull
    • Spermograma

Të tjera analiza dhe egzaminime mund të kërkohen që në konsultën e parë nqs pacientja referon për humbje të përsëritura të shtatzanisë apo për dështime të përsëritura në Fertilizim In Vitro.

Konsulta e parë ka për qëllim të krijojë një tabllo filestare të problemeve tuaja të lidhura me fertilitetin. Kryerja e analizave dhe egzaminimeve të kërkuara në konsultën e parë ka shumë rëndësi në vazhdimin e ndjekjes së pacientes / pacientit.

KONSULTA E DYTË


Në konsultën e dytë është më e qartë tablloja e problemeve të lidhura me fertilitetin. Duke bashkërenduar konkluzionet që vijnë nga ndërthurja e historisë mjeksore me rezultatet e analizave dhe egzaminimeve të kërkuara në konsultën e parë, do të përcaktohet diagnoza edhe do të rekomandohet metoda e riprodhimit mjeksor (artificial) që mund të jetë e përshtatshme në rastin tuaj. Në raste të rralla mund të kërkohen analiza shtesë që nuk janë të kërkuara në konsultën e parë. Për shembull në rastet me azoospermia, do të kërkohen nga partneri mashkulli analiza hormonale dhe gjenetike.

Konkluzionet e dala në fund të konsultës së dytë janë:

  1. Pacientja planifikohet për të kryer një cikël IUI (Inseminim Intrauterin). Pacientja informohet në mënyrë shteruese lidhur me shanset për sukses dhe efektet anësore të mundshme të trajtimit.
  2. Pacientja planifikohet për të kryer një cikël IVF (Fertilizimi In Vitro). Pacientja informohet në mënyrë shteruese lidhur me shanset për sukses dhe efektet anësore të mundshme të trajtimit. Duke qenë se Fertilizimi In Vitro është edhe metoda më komplekse e riprodhimit të asistuar edhe diskutimi mjek – pacient është më i gjatë. Do të diskutohen në mënyrë të detajuar protokolli i stimulimit ovarian, dozat e gonadotropinave, metoda e fekondimit (klasik apo ICSI), monitorizimin e zhvillimit të embrioneve dhe transferta e tyre në mitër. Çdo pyetje e juaja mbi këtë proçes është e mirëpritur dhe do të gjejë përgjigjen e duhur. Trajtimi i personalizuar sipas nevojave të pacientes është me shumë rëndësi në suksesin e trajtimit.
  3. Pacienti / pacientja nuk është dakord me rekomandimet e mjekut dhe vendos të mos vazhdojë më tej trajtimin. Natyrisht ne e mirëkuptojmë edhe stigmën që mbartin ende metodat e riprodhimit artificial. Pavarësisht se jo gjithnjë është e mundur ose mund të vonojë, çdonjeri nga ne do të donte vetëm riprodhim natyral.

Përpara se ti nënshtroheni metodave të riprodhimit të asistuar (IUI ose IVF) ju duhet të kryeni analizat e detyrueshme që kërkon çdo cikël trajtimi dhe të azhurnoni analizat dhe ekzaminimet e kërkuara në konsultën e parë nqs ka kaluar shumë kohë nga ajo.

Analizat e kërkuara për një cikël IUI ose IVF janë:

Pacientja:

  • Testet virusale (HBsAg, HCV, HIV Duo, VDRL)
  • TORCH
  • AMH
  • Strisho vaginale / tampon cervikal

Partneri:

  • Testet virusale (HBsAg, HCV, HIV Duo, VDRL)

Përgatitja për një cikël IUI

  • Pacientja informohet për etapat dhe kohëzgjatjen e një cikli IUI
  • Pacientja depoziton listën e analizave të kërkuara për një cikël IUI.
  • Pacientja informohet për mjekimin që do të ndjekë për stimulim të vezoreve dhe për ekografinë e radhës.
  • Për më shumë informacione mbi IUI mund të klikoni këtu.

Përgatitja për një cikël IVF

  • Pacientja informohet për etapat dhe kohëzgjatjen e një cikli IUI
  • Pacientja depoziton listën e analizave të kërkuara për një cikël IUI.
  • Pacientja informohet për mjekimin që do të ndjekë për stimulim të vezoreve dhe për ekografinë e radhës.
  • Për më shumë informacion mbi etapat e një cikli Fertilizimi In Vitro mund të klikoni këtu.

Kur merren rezultatet e trajtimit?


Rezultatet merren zakonisht 2 javë pas trajtimit. Rekomandojmë që të kryeni testin e beta-hCG në gjak pasi është shumë herë më i saktë se sa testi urinar i shtatzanisë.

Si ti interpretojmë rezultatet e një cikli IUI ose IVF?


Nqs vlera e beta hCG është pozitive dhe në rritje pas përsëritjes së saj pas 48 orësh atëherë jemi në një ecuri të favorshme. Në të tilla raste :

  • Do të programoni tek recepsioni ekografinë e parë të shtatzanisë 2 javë pas testit të parë pozitiv.
  • Do të vazhdoni mjekimet sipas rekomandimeve të mjekut.

Nqs vlera e beta-hCG është negative atëherë kjo tregon një rezultat negativ dhe mungesë të implantimit. Në të tilla raste:

  • Duhet të ndërpriten të gjitha medikamentet.
  • Do të kërkoni një konsultë tjetër për të diskutuar rezultatin.
  • Nqs keni kryer IUI do të diskutoni nevojën për përsëritje të një cikli tjetër IUI apo të kalimit në një cikël Fertilizimi In Vitro.
  • Nqs keni kryer Fertilizim In Vitro, do të programoni transfertën e embrioneve që keni në ruajtje në gjëndje të ngrirë (nqs i keni) ose të një cikli tjetër trajtimi nga e para nqs nuk keni embrione të tjera të ruajtura në laborator.
Categories : Blogu i fertilitetit
error: Content is protected !!