Përse nevojitet?
Natyrisht, pyetja e menjëhershme e disa prej femrave që duhet ti nënshtrohen IVF do të ishte: “përderisa unë jam normale si nga ana anatomike ashtu edhe nga ana funksionale, përse duhet të stimulohen vezoret e mia?” Përgjigja është e thjeshtë: “Pavarësisht se sistemi gjenital femëror mund të jetë anatomikisht dhe funksionalisht normal, një femër normalisht do të prodhojë spontanisht (pa stimulim) vetëm 1 vezë (ovocit). Natyrisht që IVF mund të bëhet edhe me një ovocit të vetëm, por në këto raste shanset për sukses të procedurës do të ishin shumë të ulëta. Bebja e parë IVF ka lindur në një cikël IVF pa stimulim (pra me një vezë të vetme). Për ta bërë sa më të suksesëshme procedurën e IVF nevojiten më shumë se 1 vezë. Ideale do të ishte 8-15 vezë. Një numër më i madh do të rrezikonte për hiperstimulim, një gjë kjo jo fort e dëshirueshme.
Mos harroni! Asnjëherë nuk është e mundur të llogaritet që përpara stimulimit se sa vezë do të prodhohen në fund të tij. Për këtë arsye jo gjithnjë mund të parandalohet hiperstimulimi ovarian.
Letrozole
Letrozole (Femara) është një tjetër stimulant i ovulacionit që qarkullon në formë tabletash. I përdorur fillimisht për të trajtuar kancerin e gjirit, në 20 vitet e fundit Letrozoli po gjen gjithnjë e më shumë përdorim edhe si stimulant ovulacioni. Për momentin është medikamenti i linjës së parë në stimulimin e ovulacionit në rastet me vezore polikistike.
Clomid
Clomid (Clomiphene citrate) është një medicament në formë tablete që përdoret për stimulimin e ovulacionit. Vepron duke bllokuar receptorët e estrogjenëve në hipotalamus, duke shkaktuar si pasojë rritjen e prodhimit të FSH dhe LH nga hipofiza. Këto hormone janë stimulant natyralë të ovulacionit në një cikël normal.
Gonal-F (Follitropin alfa, FSH)
Këto injeksione përmbajnë një hormone të quajtur follicle stimulating hormone (FSH) që normalisht prodhohet nga gjendra e hipofizës që lokalizohet në bazën e trurit. Në laborator FSH prodhohet duke përdorur teknologjinë rekombinante gjenetike (Gonal-F ose Follistim) ose duke e ekstraktuar nga urina (Bravelle, Fostimon).
FSH stimulon rritjen e folikujve dhe kur jepet në doza të ndryshme në varësi të rekomandimeve të mjekut specialist. Është një medikament që aplikohet vetëm përmes injeksioneve. Njësia matëse është IU.
Për sa i përket formave që qarkullojnë në treg FSH mund të jetë në formën e ampulave 75 IU, penës me 300 IU, 450 IU dhe 900 IU dhe më rrallë në formën e depos 450 IU.
Menopur, Merional (Human Menopausal Gonadotropins, HMG)
Këto lloj injeksionesh përbajnë jo vetëm FSH, por edhe një tjetër hormon të quajtur (LH) ose një hormone tjetër që funksion si LH. Ashtu si edhe Fostimon apo Bravelle, edhe Menopur edhe Merional ekzistojne vetëm në formën e ampulave.
Ovitrelle, Pregnyl, Ovidrel (Human Chorionic Gonadoptropin, hCG)
Normalisht hCG është një hormon që prodhohet nga placenta kur femra është ështatzanë. Duke qenë se hCG funksionon në mënyrë të ngjajshme me LH (i cili nxit ovulacionin), hCG mund të përdoret për këtë qëllim, pra për të nxitur ovulacionin. Injeksionet Ovidrel, Ovitrelle, Pregnyl përdoren për të nxitur ovulacionin tek femrat që i nënshtrohen Fertilizimit In Vitro, Inseminimit Intrauterin dhe stimulimit të ovulacionit.