Analiza e beta-HCG-sëDomethënia e vlerës së ß-HCG-së

Analiza e beta-hCG është ndër analizat më të përfolura nëpër spitale dhe klinikat mjeksore. Thuajse shumica e pacienteve e dinë lidhjen e beta-hCG me shtatzaninë por shumë pak prej tyre kanë informacionin e duhur se çfarë domethënie kanë realisht vlerat e saj.

 

Çfarë konsiderohet rezultat pozitiv i analizës beta-hCG?

Këtu duhet të sqarojmë nëse kemi të bëjmë me një test (analizë) urinar të shtatzanisë apo me një test (analizë) në gjak të beta-hCG. Diferenca e vërtetë është sensitiviteti (ndjeshmëria) e analizës; dmth sa e lartë duhet të jetë vlera e beta-hCG që të dallohet nga analiza?

  • Testet urinare të shtatzanisë që mund të gjeni në farmaci, pozitivizohen për vlera më të larta se 20 -30 mIU/ml të beta-hCG. Nqs kemi një shtatzani, në momentin e vonesës së menstruacioneve zakonisht vlerat e beta-hCG janë mjaftueshëm të larta për të pozitivizuar një test urine të blerë në farmaci.
  • Një test (analizë) gjaku i beta-hCG, ka një sensitivitet shumë më të lartë se ai urinar, pasi është në gjendje të dallojë me saktësi të lartë nivele të beta HCG të paktën deri në 5 mIUI/ml. Nivelet më të larta se 5 mIUI/ml konsiderohen si pozitive për një shtatzani. Nivelet më të vogla se 5 mIUI/ml mund të dallohen, por jo me shumë saktësi. Ky sensitivitet i lartë shpjegon edhe faktin se përse testi i gjakut (beta-hCG në gjak) është edhe analiza që preferohet në rastet kur kemi të bëjme me teknikat e riprodhimit të asistuar (Inseminim Intrauterin – IUI dhe Fekondim In Vitro – IVF).

Duhet kuptuar këtu që të dyja këto teste nuk mund të dallojnë midis vlerave të hCG që mund të jenë pjesë e stimulimeve të ndryshme nga hCG e prodhuar nga shtatzania. Prandaj këto vlera duhet të interpretohen me kujdes nqs analiza është kryer afër në kohë me injeksionin e hCG që përdoret për të maturimin e vezëve në fund të një stimulimi ovarian (qoftë ky për programim kontakti, inseminim artificial apo edhe për Fertilizim In Vitro). 12 ditë janë më se të mjaftueshme për të metabolizuar (pastruar nga qarkullimi i gjakut) të gjithë atë hCG të injeksionit (Choriomon, Pregnyl, Ovitrelle) të marrë në fund të stimulimit. Është kjo arsyeja se përse në rastet me fertilizim In Vitro kërkojmë analizën e beta-hCG në gjak vetëm 14 ditë pas aspirimit të ovociteve (vezëve), që bie 16 ditë pas injeksioneve në fjalë.

Sa të larta duhet të jenë vlerat e beta-hCG përpara se të arrijmë të shikojmë diçka në ekografi?

Nqs do të përdoret një ekografi abdominale, atëherë ajo do të duhet të shikojë një shtatzani për vlera të beta-hCG mbi 5500 – 6500 mIU/ml. Nqs do të përdoret një ekografi transvaginale, atëherë shtatzania duhet të duket për vlera të beta-hCG mbi 1500 mIU/ml. Kjo korrespondon me moshën 5 – 6 javëshe të shtatzanisë (duke nisur numërimin e javëve që nga dita e parë e menstruacioneve dhe jo nga moment i implantimit).

Sa shpejt duhet të rriten nivelet e beta-hCG?

Kjo është pyetja më e vështirë. Një rregull i përgjithshëm është se këto vlera duhet mesatarisht të dyfishohen çdo 48 orë. Por edhe rritje me 70 – 80 % të vlerës fillestare janë zakonisht shprehje të një shtatzanie normale. Pra nqs vlera nuk po dyfishohet, kjo jo gjithnjë përbën motiv për shqetësim apo panik. Nga ana tjetër, edhe mënyra e dyfishimit të beta-hCG ndryshon me evolucionin e shtatzanisë nga java në javë. Për këtë arsye, nga momenti që shtatzania është e dukshme ekografikisht, analizat e beta-hCG janë në shumicën e rasteve të panevojshme dhe për më tepër shkaktojnë ankth të panevojshëm.

Megjithatë janë të shumta rastet kur një rritje “jo e duhur” e beta-hCG është pasuar pas 9 muajve me lindjen e një bebi të shëndetshëm, ndërkohë që nga ana tjetër janë të shumta rastet që tregojnë fillimisht një rritje “perfekte” të beta-hCG dhe kanë përfundur në humbje të shtatzanisë në javët apo muajt e parë të shtatzanisë.

Categories : Blogu i fertilitetit
error: Content is protected !!