Si të përgatitemi për transfertën e embrioneve

Transferta e embrioneve (embrio-transferta) është stadi final në rrugën e gjatë dhe të mundimshme që pacientet infertile detyrohen të përshkruajnë për të patur familjen e tyre të plotësuar. Përgatitja për këtë moment dhe njohja e proçesit të transfertës së embrioneve janë me shumë rëndësi pasi redukton stresin e pacientes dhe maksimalizojnë shanset për një transfertë me sukses.

Përgatitja për embrio-transfertë


Mënyra më e mirë për tu përgatitur është ndjekja e rekomandimeve dhe këshillave nga ekipi mjeksor që ju keni zgjedhur për të kryer ciklin IVF.

  1. Ndiqni këshillat e duhura për radhën e mjekimeve që ju janë përshkruar në letrën e rekomandimeve. Në këto mjekime patjetër ju do të keni medikamente të llojit progesterone si edhe medikamente të tjera “mbështetëse”. Kështu që mundohuni që ti bleni në farmaci në sasinë e rekomanduar. Këto medikamente është e vështirë të gjenden në qytete të tjera jashtë Tiranës.
  2. Planifikoni që të jeni në kohën e duhur në klinikë. Duhet të merrni parasysh edhe trafikun e rënduar në hyrje të Tiranës, sidomos në kohë me shi. Nqs jeni shumë larg Tiranës dhe ju duhet të udhëtoni shumë orë me makinë, atëherë merrni në konsideratë edhe qëndrimin në ndonjë hotel afër klinikës që një natë përpara transfertës. Në këtë mënyrë ju nuk do të vonoheni për transfertën e embrioneve.
  3. Duhet që të paraqiteni me partnerin tuaj, pasi informacioni mbi embrionet është një informacion që i përket secilit.
  4. Planifikoni një pasdite dhe një mbrëmje relaksuese dhe të qetë pas transfertës së embrioneve. Kjo nuk do të thotë që duhet patjetër të qëndroni shtrirë në shtrat! Qëndrimi shtrirë nuk ndihmon në rritjen e shanseve.

Dita e Embrio-transfertës


  1. Vazhdoni mjekimet ashtu si janë tek letra e rekomandimeve.
  2. Është mirë që të paraqiteni me fshikëzën e urinës të mbushur. Për këtë ju duhet të pini ujë dhe të mos urinoni 2 orë përpara procedurës. Një fshikëz urine e mbushur e bën transfertën më të lehtë pasi minimizon këndin e mitrës si edhe e bën pamjen ekografike më të qartë gjatë vendosjes së embrioneve në mitër.
  3. Takimi me mjekun specialist dhe embriologun do t’ju japë informacion mbi numrin dhe cilësine e embrioneve tuaja. Së bashku me partnerin tuaj ju do të vendosni mbi numrin e embrioneve që do të transferohen në mitër dhe për ruajtjen në ngrirje (krioprezervim) të embrioneve të tjera (nqs janë formuar të tjera!). Për të gjitha këto do t’ju kërkohet të firmosni.
  4. Çdo klinikë ndryshon në protokollin e transfertës, por pak a shumë hapat janë këto:
    • Procedura nuk ka dhimbje. Fillimisht mjeku specialist vendos një spekulum në vaginë si në rastin e vizites gjinekologjike me qëllim evidentimin e qafës së mitrës. Pas kësaj, nën drejtimin e ekografisë, kryhet kalimi i një kateteri “provë”. Ndërkohë embriologu bën seleksionimin e embrioneve për transfertë dhe vendosjen e tyre në kateterin e embrio-transfertës. Në momentin që mjeku specialist është gati, embriologu sjell kateterin e embrio-transfertës i cili i dorëzohet mjekut. Sërish nën drejtimin e ekografisë, mjeku kalon kateterin në brendësi të kavitetit të mitrës duke depozituar kështu embrionet e selektuara. I gjithë ky proces mund të shikohet nga pacientja. Embrioni është shumë i vogël për tu parë në ekografi; por pika e bardhë që shikohet në momentin e lëshimit të embrioneve në mitër është një miks mediumi dhe ajri që ndihmojnë në vizualizimin e tij.
    • Në fund, embriologu kontrollon sërish kateterin në mikroskop për të konfirmuar që embrionet janë në kavitet.

Menjëherë pas transfertës

  1. Embrioni nuk mund të “bjerë”. Pacientet shpesh mendojnë se qëndrimi i zgjatur në shtrat ndihmon në sukses, por kjo nuk është e vërtetë. Mbështetur edhe në shumë studime, por edhe në përvojën personale unë nuk rekomandoj më tepër se 10 minuta qëndrim shtrirë pas embrio-transfertës.
  2. Pas këtij intervali, pacientja mund të vishet, mund të urinojë pa frikë se embrioni “do të bjerë”.

Duke qenë se implantimi ndodh në 2-3 ditët pas transfertës, unë rekomandoj që këto ditë të jenë ditë relaksi dhe pushimi. Por jo qëndrim shtrirë! Disa paciente marin edhe disa ditë pushim nga puna pas ditës së embrio-transfertës, por kjo nuk është e nevojshme. Qëllimi i këtyre rekomandimeve është që t’ju njohë me hapat e embrio transfertës në mënyrë që mos të jetë një subjekt i panjohur për ju. Por kurrsesi nuk duhet të kuptoni që këto rregulla janë strikte dhe duhet të zbatohen me disiplinë ushtarake. Sigurisht që në ditët që pasojnë transfertën mund të shkoni në punë ose mund të dilni për shëtitje. Sigurisht që mund të përfitoni nga kjo situatë për të MOS u marrë me aktivitete që nuk i pëlqeni si për shembull punët e shtëpisë. Nqs ju pushton ankthi apo frika gjatë dy javëve pas transfertës, thjesht kini parasysh se femrat arrijnë të mbeten shtatzanë natyralisht pa bërë ndryshime në aktivitetin e tyre të përditshëm.

Gjatë dy javëve të pritjes …

Kjo është një nga fazat më stresuese të Fertilizimit In Vitro. Gjatë këtyre ditëve mos harroni:

  • Të vazhdoni mjekimet ashtu si kur janë përshkruar në listën e rekomandimeve deri në ditën e analizës beta-hCG.
  • Mundohuni të re laksoheni duke parë TV, duke bërë shëtitje të lehta në mënyrë që të reduktoni dozën ditore të ankthit.
  • Nuk ka asnjë shenjë absolute për të kuptuar gjatë këtyre ditëve që jeni apo jo shtatzanë; Disa femra që janë shtatzanë mund të kenë spoting, krampe, dhimbje dhe tendosje të gjoksit apo urinim të shpeshtë ndërkohë që disa të tjera jo.
  • Është analiza e beta-hCG ajo që do të tregojë nqs jeni apo jo shtatzanë.

Planifikimi i ditës për analizën e beta-hCG

Duhet të kruyeni analizën në ditën që ju është caktuar nga ekipi mjeksor. Vetëm kur rezultati të jetë gati ju do të mund të lini një takim për interpretim.

Categories : Blogu i fertilitetit
error: Content is protected !!