Covid – 19 & Fertiliteti mashkullorSi ndikon Covid-19 tek spermatogjeneza?

Në këtë kohë që kryefjalë e diskutimeve tona është pandemia e Covid-19 dhe efektet e saj në jetën tonë të përditshme dhe shëndetin tonë, gjithnjë e më shumë po rritet shqetësimi për efektin që Covid-19 mund të ketë tek meshkujt mbi spematogjenezën dhe fertilitetin e tyre. Nqs në muajt e parë të pandemisë informacioni në dispozicion lidhur me këtë temë ishte inekzistent, tashmë kanë filluar të shfaqen studimet dhe raportimet e para mbi efektin që mund të ketë Covid – 19 mbi fertilitetin e mashkullit.

Temperatura nga Covid -19 dhe efekti i saj mbi fertilitetin e mashkullit


Dihet që që infeksionet virale si ato të gripit shkaktojnë një reduktim tranzitor të fertilitetit tek mashkulli. Kjo sepse temperatura që shoqëron infeksionin gripal ka një efekt negativ në funksionin e testikujve. Ka studime që tregojnë se parametrat e spermës vazhdojnë të jenë të reduktuara deri 4560 ditë pas kalimit të temperaturës së shkaktuar nga episodi gripal.

Duke qenë se edhe Covid-19 shoqërohet me temperaturë të lartë, edhe kjo mund të ketë efekt negativ mbi parametrat e spermës.

ACE2 receptorët në systemin riprodhues mashkullor


Vëmendje të madhe tek studiuesit ka marrë edhe ACE2 receptori, një enzimë proteinike tek e cila lidhet koronavirusi i ri (SARS-CoV-2). ACE2 receptori mund të shërbejë si një portë për hyrjen e virusit SARS-CoV-2 në brendësi të qelizave. Ky receptor gjendet në sipërfaqen e shumë qelizave të zemrës, mushkërive, veshkave, enëve të gjakut si edhe të organeve riprodhuese. Një fakti i tillë mund të shpjegojë edhe më shumë se përse sistemi riprodhues mund të preket edhe ai nga Covid-19.

Efekti afatshkurtër që Covid – 19 ka tek sistemi riprodhues i mashkullit.


Ka disa studime që pohojnë një efekt afatshkurtër të Covid-19 mbi hormonet e riprodhimit. Kështu tek meshkujt me Covid-19 evidentohet një rritje e niveleve të hormonit luteinizues (LH) dhe reduktim të testosteronit dhe hormonit folikulo-stimulues (FSH) në raport me meshkujt e tjerë. Por në se këto ndryshime hormonale janë një efekt direkt i Covid-19 ose janë faktorë pre-ekzistues në gravitetin e vetë infeksionit, kjo është ende e paqartë.

Studime të tjera tregojnë se meshkujt me simptoma të moderuara të Covid-19 të kenë deri 3454 ditë më pas një reduktim të vëllimit të spermës, të përqëndrimit të spermatozoideve dhe motilitetit (lëvizshmërisë) së spermatozoideve.

Efekti afatgjatë që Covid – 19 ka tek sistemi riprodhues i mashkullit.


Pavarësisht studimeve të mësipërme, ende nuk është e qartë në se këto efekte të Covid-19 mbi fertilitetin mashkullor janë reversibile, pra të rikthyeshme (si në rastin e gripit) apo jo. Një tjetër paqartësi është fakti në se këto efekte janë pasojë e vetëm temperaturës që shoqëron Covid-19, pasojë e prekjes testikulare nga SARS-CoV-2 apo edhe nga trajtimi me anti-viralë të cilët kanë edhe ato efektet e tyre toksike mbi spermën.

Prekja e testikujve nga infeksioni me Covid-19


Po, tashmë ka prova që Covid -19 mund të prekë (edhe pse rrallë) edhe testikujt pasi virusi SARS-CoV-2 mund të penetrojë dhe të infektojë testikujt.

Janë disa infeksione virale të cilat mund të shkaktojnë një sëmundje të quajtur orkit, i cili është një infeksion i testikujve. Në më të shumtën e rasteve ndodh si pas infeksionit të gjendrave parotide (shytat).

Kohët e fundit është parë se edhe pas infeksionit me SARS-CoV-2, mund të vihen re raste me orkit dhe dëmtime të testikujve.

Megjithatë për fat të mirë, studimet e deritanishme se prekja testikulare në këto raste me Covid-19 të jetë relativisht e rrallë. Duhet të kalojnë disa javë që dhimbja e shkaktuar nga orkiti të kalojë. Shanset që të kemi një dëmtim permanent të fertilitetit tek mashkulli janë të vogla nqs kemi prekjen vetëm të një testikuli.

Edhe në rastet kur kemi orkit të shkaktuar nga virusi i parotitit (shytat), nqs preket vetëm njeri prej testikujve, shanset që dëmtimet të jenë permanente janë të vogla. Orkiti nga parotiti shkakton më tepër subfertilitet se sa sterilitet. Për më tepër, për parotitin rreziku më i madh për të dhënë dëmtime permanente është nqs ai shfaqet gjatë fëmijërisë.

A mundet SARS-CoV-2 të kalojë në spermë?


Për momentin raportimet në këtë drejtim janë ende kontradiktore. Në një pjesë të studimeve nuk është gjendur ndonjë evidencë e pranisë së SARS-CoV-2 në spermën e meshkujve me Covid – 19 aktiv ose që e kanë kaluar atë. Ndërkohë, në një studim w botuar nw revistwn e njohur JAMA, është raportuar prania e SARS-CoV-2 në 15% një pjesë të meshkujve që ishin duke e kaluar Covid-19.

Megjithatë ende nuk ka prova që Covid – 19 mund të përhapet seksualisht, kjo për shkak se vezët dhe spermatozoidet për fat të mirë nuk e kanë receptorin ACE2.

Për tu mbajtur mend:


Ndërkohë që nuk ka prova për një transmetim seksual të Covid – 19, virusi SARS-CoV-2 mund të dëmtojë systemin riprodhues tek mashkulli kryesisht përmes përgjigjes inflamatore

  • Covid – 19 është sëmundja në fjalë.
  • SARS-CoV-2 = Severe Acute Respiratory Syndrome CoronaVirus – 2 (virusi që shkakton sëmundjen Covid-19).
Categories : Blogu i fertilitetit
error: Content is protected !!