AMHAnti-Mullerian Hormone

AMH

Çfarë është hormoni anti-müllerian?


AMH është një proteinë e pranishme si tek meshkujt ashtu edhe tek femrat, por me funksione të ndryshme. Roli kryesor i AMH ndodh gjatë shtatzanisë sepse është përgjegjës për diferencimin e seksit të fetusit.

  • Fetusi i seksit mashkull. AMH prodhohet nga testikujt rreth javës 8-9 të fetusit në mënyrë që të prandalojë zhvillimin e duktuseve anti-mullerianë, struktura që do cojnë në zhvillimin e mitrës dhe tubave të Fallopit.
  • Fetusi i seksit femër. Mungesa e AMH lejon zhvillimin e organeve seksuale femërore tek fetusi. Megjithatë, AMH do të fillojë të shprehet disa javë më vonë kur shfaqen folikujt në vezore.
  • Pas lindjes, nivelet e AMH qëndrojnë të larta tek meshkujt deri në adoleshencë, por më vonë ato janë të ulta.
  • Tek femrat, AMH fillon të bëhet i rëndësishëm nga puberteti e prapa, sepse prodhohet nga folikujt e vezoreve (vendi ku zhvillohen dhe rriten vezet).

AMH tek femrat


AMH (Anti-müllerian hormone) prodhohet nga folikujt preantralë dhe antralë të vezoreve gjatë jetës riprodhuese të femrës; dmth nga puberteti deri në menopauzë. Janë qelizat granuloze që rrethojnë vezën (ovocitin) në folikul ato që janë përgjegjëse për prodhimin e AMH. Kjo do të thotë se matja e AMH në gjak tregon pak a shumë numrin e vezëve që një femër ka. AMH është i pranishëm në të gjithë folikujt e të dyja vezoreve.

Të gjitha këto e bëjnë AMH një marker biologjik të fertilitetit të femrës. Për të vlerësuar fertilitetin femëror, përveç AMH, përdoren edhe matja e hormoneve të tjera FSH, LH si edhe ekografia (numërimi i folikujve antralë). AMH dhe AFC (numërimi me eko vaginale i folikujve antralë) janë parashikues më të saktë të rezervës ovariane se sa FSH dhe LH.

Kur duhet të kryhet AMH?


AMH mund të matet në çdo ditë të ciklit pasi vlerat e tij nuk ndryshojnë përgjatë tij. Gjithashtu nuk është e nevojshme që të jeni esëll për të bërë këtë analizë.

 

Vlerat e AMH


Vlerat e referencës së AMH janë shumë mirë të përcaktuara dhe na lejojnë të vlerësojmë statusin e rezervës së vezëve të femrës në momentin e analizës.

  • Nivele shumë të larta: AMH > 6 ng / ml
  • Nivele të larta: AMH = 3 ng/ml – 6 ng/ml
  • Nivelet mesatare: AMH = 1 ng/ml – 3 ng/ml
  • Nivele të ulëta: AMH = 0.4 ng/ml – 1 ng/ml
  • Nivele shumë të ulëta: AMH < 0.4 ng/ml

Vlerat e larta të AMH jo gjithnjë janë një gjë e mirë. Vlerat e larta shikohen më shpesh tek femrat me vezore polikistike (PCOS).

 

Cilat janë vlerat e duhura të AMH sipas moshës tuaj?


AMH duhet të interpretohet në varësi të moshës. Nivelet e AMH reduktohen me moshën, kështu që është normale të shikojmë një AMH që zvogëlohet me kalimin e viteve. Për ta patur më të thjeshtë merrni në konsideratë vlerat e mëposhtme të cilat paraqesin pak a shumë vlerat mesatare për moshat në fjalë:

  • 25 vjeç:      3.0 ng/ml.
  • 30 vjeç:      2.5 ng/ml.
  • 35 vjeç:      1.5 ng/ ml.
  • 40 vjeç:      1 ng/ml.
  • 45 vjeç:      0.5 ng/ml.

Si mund të ndihmojë njohja e vlerate të AMH?


AMH dhe për rjedhojë edhe rezerva ovariane, fillon të bjerë më shpejt pas moshës 35 – 37 vjeç të femrës. Por disa femra, mund të kenë një reduktim të rezervës ovariane shumë më herët në jetë dhe për rjedhojë do të hyjnë më herët në menopauzë (menopauza e parakohëshme). Njohja e vlerave të AMH e ndihmon femrën të planifikojë më mirë mëmësinë dhe të marrë vendimet e mëposhtme:

  • Të ruajë fertilitetin nqs dëshiron të bëhet nënë më vonë në jetë: dmth të ngrijë vezët në mënyrë që ti përdorë ato më vonë.
  • Të përshpejtojë planet për tu bërë nënë nqs ka një vlerë jo shumë të mirë të AMH.
  • Të kryejë IVF nqs ka vlerë të ulët të AMH.

AMH në Fertilizim In Vitro


Një tjetër avantazh i AMH është se ndihmon mjekët në përcaktimin e dozave dhe protokollit të stimulimit hormonal në Fertilizim In Vitro. Është fakt se ka një lidhje mes niveleve të AMH dhe përgjigjes së vezoreve ndaj trajtimit hormonal. Pacientet me vlera të larta të AMH kanë një përgjigje më të mirë ndaj stimulimit në krahasim me pacientet që kanë vlera të ulëta të AMH. Pacientet që kanë vlera shumë të larta të AMH kanë një rrezik më të lartë për hiperstimulim ovarian.

A mund të trajtohet një vlerë e ulët e AMH?


Jo! AMH pasqyron rezervën e vezëve tek femra në momentin e matjes. Rezerva e vezëve pakësohet me kalimin e viteve dhe NUK ka asnjë medikament apo teknikë për të rritur numrin e vezëve tek një femër.

A mund të kemi një shtatzani natyrale kur kemi një AMH të ulët?


Sigurisht që PO! Nqs tubat e Fallopit janë normal dhe sperma e partnerit është normale atëherë shtatzania është e mundur në mënyrë natyrale. Megjithatë duhet konsulta me mjekun specialist për të përcaktuar se sa gjatë duhet të pritet kjo shtatzani natyrale.

error: Content is protected !!