Cikli Menstrual

Cikli Menstrual

Cikli menstrual është një seri komplekse fenomenesh, të kontrolluara mire dhe që çdo muaj manifestohet me një menstruacion dhe një ovulacion.

  • Ovulacioni = Çelja e vetëm një ovociti (veze) në cdo cikël.
  • Menstruacioni = Procesi i deskuamimit endometrial (eliminimit të shtresës së brendshme të mitrës). Jane ato ditet qe femrat i quajne zakone, mense ose perioda.

Menstruacioni mujor është provë e funksionimit dhe koordinimit perfekt midis hipotalamusit dhe hipofizës (gjendra në tru), ovarit (vezoreve) dhe uterusit (mitrës). Kjo lidhje dinamike mes tyre manifestohet me një stimulim ciklik (nga ana e hipofizës) të ovareve për të zhvilluar një ovocit (ovogjeneza ose gametogjeneza) dhe për të prodhuar dhe sekretuar estrogjenë (E2) gjatë ciklit dhe progesteron (P) pas ovulacionit (steroideogjeneza). Estrogjenët stimulojnë proliferimin (trashjen) e endometrit dhe progesteroni e pergatit këtë të fundit për një implantim të mundshëm të blastocistit.

Karakteristikat e ciklit menstrual


  • Menarka – është moment kur një femër përjeton ciklin e parë menstrual. Mosha mesatare e menarkës është 13 vjeç,
  • Menopauza – është momenti në të cilin vezoret pushojnë së funskionuari (nuk prodhojnë vezë dhe as hormone) dhe për rjedhoojë femra nuk ka më cikël menstrual. Mosha mesatare e menopauzes 52 vjeç.
  • Jeta riprodhuese – është intervali nga menarka deri në menopausë. Pra vetëm për afro 38 vjet femrat do të kenë cikle menstruale.
  • Intervali mes ovulacionit dhe menstruacioneve pasardhese zakonisht është 14 ditë. Në ndryshim nga kjo, faza proliferative mund të zgjasë nga 7 – 8 ditë në më shumë se 20 ditë. Ky variabilitet i saj percakton dhe për kohëzgjatjen e ciklit menstrual.

Sa zgjat nje cikël menstrual?


  • Kohëzgjatja e një cikli normal është 28 +/- 7 dite. Ciklet më kohëzgjatje < 21 ditë quhen polimenorre dhe ato me kohëzgjatje > 35 ditë quhen oligomenorre.
  • Kohëzgjatja normale e menseve (menstruacioneve) është 2 – 7 dite. Studimi më serioz në lidhje me kohezgjatjen e ciklit menstrual është kryer nga Treloar & Boynton me 1967.
    • Vetem tek femrat e grupmoshës 20 – 40 vjeçe, ciklet menstruale janë më të rregullta dhe kanë një kohëzgjatje mesatare prej 28 ditësh.
    • Në 5 vitet e para pas menarkës kohëzgjatja e ciklit menstrual varion nga 22 – 45 dite. Nga një kohëzgjatje mesatare prej 29 ditësh në moshën 20 vjeçe, kohëzgjatja mesatare arrin në 27 ditë në moshen 40 vjeçe, si pasojë e reduktimit të fazës proliferative.
    • Në 5 vitet para menopauzës, kohëzgjatja e cikleve menstruale varion nga 15 – 55 ditë. Rezultate të ngjajshme kanë dhenë dhe studimet e mëvonshme.

Çfarë është endometri?


Endometri është shtresa që vesh mitrën nga brenda dhe që formon kavitetin endometrial.  Variacionet hormonale gjatë ciklit induktojnë në ketë shtresë ndryshime periodike fiziologjike të cilat shfaqen klinikisht me deskuamimin periodik të saj (menstruacionet).

Cilat janë fazat e ciklit menstrual?


Cikli menstrual përbëhët nga 2 faza (faza folikulare dhe faza sekretore) të ndara nga ovulacioni.

  • Faza folikulare karakterizohet nga zhvillimi i një folikuli, maturimi (pjekja) e një ovociti (veze) dhe nivele në rritje të estrogjenëve në gjak. Kjo fazë zgjat zakonisht 10-14 ditë, por ka raste qe mund te zgjase nga ne 20 dite. Quhet edhe proliferative për shkak të efektit estrogjenik mbi endometrin (endometriumi rritet në trashësi).
  • Ovulacioni: Gjatë ovulacionit folikuli pëson rupturë (çarje), ovociti rifillon mejozën dhe çlirohet në kavitetin peritoneal.
  • Faza luteale (sekretore) karakterizohet nga prodhimi i progesteronit (P) nga corpus luteum (CL). Ky hormon indukton ndryshime glandulare (sekretore) dhe stromale (decidualizim) që mundesojnë implantimin e embrionit në rast fertilizimi. Në mungesë të fertilizimit, CL degradon dhe mungesa e mbështetjes hormonale shkakton deskuamim të endometrit (menstruacion).
error: Content is protected !!