Ekografia gjinekologjike

Ekografia gjinekologjike

Përse duhet?


Informacioni i përftuar nga ekzaminimi gjinekologjik mund të mos jetë I plotë. Përmes një ekografie pelvike (gjinekologjike) arrihet të shikohen në detaje mitra dhe vezoret (ovaret) duke plotësuar kështu të dhënat e ekzaminimit gjinekologjik.

Çfarë është ekografia


Ekografia përdor një sondë e cila përcon ultratinguj, valë zanore me frekuecë shumë më të lartë nga ajo që kap veshi i njeriut. Valët zanore kalojnë përmes lëkurës në brendësi të trupit dhe rikthehen sërish në sondë, dhe përmes fibrave optike kompjuteri në aparatin e ekografisë i shndërron këto valë dhe impulse në imazhe ekografike.

Si kryhet ekografia gjinekologjike?


Ka dy metoda për të kryer ekzaminimin ekografik gjinekologjik. Metoda abdominale dhe metoda transvaginale (vaginale, endovaginale).

  • Gjatë ekografisë gjinekologjike abdominale, mjeku gjinekolog vendos sondën në pjesën fundore të barkut. Gjithnjë përdoret një sasi e vogël xheli në lëkurë për të bërë sa më optimal kontaktin e sondës me lëkurën dhe transmetimin e ultratingujve.
  • Ekografia gjinekologjike transvaginale nnkupton futjen e sondës në vaginë. Sonda vaginale zakonisht është më e hollë se speukulumi i përdorur gjatë ekzaminimit. Gjatë cdo ekografie transvaginale sonda vishet me një kondom steril për të respektuar rregullat e higjenës. Mbi këtë mbulesë aplikohet xhel për të lubrifikuar sa më mirë sondën dhe për të bërë sa më të mirë kontaktin me trupin. Në këtë mënyrë edhe imazhet e përftuara do të jenë shumë të qarta.

Sa zgjat ekografia?


Zakonisht, ekografia gjinekologjike zgjat rreth 10 minuta. Megjithatë, kohëzgjatja mund të jetë shumë variabile; ajo mund të ndryshojë nga rasti në rast.

Ka ndonjë përgatitje të veçantë?


Ekografia abdominale zakonisht kryhet në pozicionin shtrirë në shpinë (horizontal). Pacientja kërkohet të ekspozojë pjesën e fundit të barkut deri në nivelin e kockës pubike. Në gjinekologji, paraprakisht kërkohet që vezika urinare të jetë e mbushur. Një vezikë e mbushur do të krijonte kushte shumë të mira për evidentimin e mitrës dhe vezoreve. Për këtë arsye është mirë që 3-4 orë përpara ekografisë abdominale të mos urinojë. Në rastet kur vezika urinare nuk është e mbushur dhe kjo sjell shikueshmëri jot ë mirë të organeve gjenitale, mjeku gjinekolog mund tju kërkojë të pini ujë dhe të përsërisni ekografinë pas 30 – 60 minutash.

Përgatitja për ekografinë transvaginale është e njëjtë me atë përpara ekzaminimit gjinekologjik bimanual. Gjatë kësaj ekografie është e këshillueshme të zbrazet vezika urinare përpara ekzaminimit. Pozicioni që i kërkohet pacientes është ai që kërkohet gjatë kryerjes së Pap test-it.

Ekografi abdominale apo transvaginale?


Kjo varet nga motivi për të cilën kërkohet konsulta gjinekologjike. Në shumicën e rasteve, mjeku gjinekolog do të rekomandojë ekografinë transvaginale, duke qenë se ajo sjell më shumë informacion mbi organet e brendshme gjenitale (mitra, vezoret, qafa e mitrës, tremujori I i shtatzanisë etj). Megjithatë ka edhe raste ku përdoret ekografia abdominale (shtatzania, miomat e mëdha, kistet e mëdha etj). Në disa raste është e nevojshme të kryhen të dyja llojet e ekografive gjinekologjike, abdominale dhe transvaginale. Pavarësisht se mjeku gjinekolog do të rekomandojë dhe shpjegojë metodën e duhur, është pacientja që vendos përfundimisht se cilën metodë do të përdorë.

A është e dëmshme apo e rrezikshme ekografia transvaginale?


Ekografia transvaginale zakonisht nuk paraqet dhimbje dhe nuk është aspak e rrezikshme. Edhe nqs keni hemorragji vaginale apo jeni shtatzanë, ajo nuk është e rrezikshme dhe mund të ejtë shumë e vyer në gjetjen e shkakut për të cilin ju keni kërkuar një konsultë gjinekologji.

error: Content is protected !!