Klamidia

Klamidia

Çfarë është klamidia?


Klamidia (Chlamydia Trachomatis) është një bakter (mikrob) që zakonisht infekton qafën e mitrës tek femrat ose uretrën (kanalin e urinës) si tek femrat ashtu edhe tek meshkujt. Në raste më të rralla mund të infektojë edhe rektumin, fytin apo sytë.

Sa e shpeshtë është infeksioni me klamidia?


Infeksioni me klamidia është relativisht i shpeshtë. Studimet tregojnë se 10% e femrave janë pozitive për klamidia. Megjithatë më pak se gjysma e tyre diagnostikohen dhe marrin trajtim.

Si merret infeksioni me Klamidia?


Klamidia merret përmes kontaktit seksual të pambrojtur. Është një mikrob që parapëlqen kolonizimin e sipërfaqeve epiteliale (vaginë / rektum / fyt).

Cilat janë shenjat që mund të japë klamidia?


  • Në shumë raste klamidia infekton në mënyrë të heshtur dhe pacientë nuk kanë asnjë shenjë apo ankesë. Jo më kot klamidia quhet edhe epidemia e heshtur për shkak se shumicën e dëmeve e kryen gjatë fazës së heshtur.
  • Në një pjesë të pacienteve mund të ketë shenja si: sekrecione me ngjyrë të verdhë ose të qartë nga vagina / penisi, dhimbje apo djegie gjatë urinimit apo gjatë kontaktit seksual.

Si mund ta zbulojmë klamidian?


Klamidia mund të zbulohet përmes analizave të sekrecioneve nga vagina / qafa e mitrës apo uretra. Gjithashtu mund të zbulohet edhe përmes analizës specifike në urinë.

Si mund të trajtohet klamidia?

Klamidia mund të trajtohet me antibiotikë. Trajtimi duhet të zgjasë 7-10 ditë dhe duhet të përfshijë edhe partnerin. Gjatë kohës së trajtimit kontakti seksual duhet të jetë patjetër me prezervativ. Në të kundërt trajtimi nuk është efektiv.

Si mund të parandalohet infeksioni me klamidia?


  • Kontakti seksual i mbrojtur me prezervativ dhe të qenit monogam me një individ që është i pa infektuar parandalon infeksionin me klamidia.
  • Individët seksualisht aktivë duhet të testohen cdo vit për klamidian.
  • Individët që rezultojnë pozitivë duhet të ritestohen edhe 3 muaj pas trajtimit në mënyrë që të vërtetohet se trajtimi ka rezultuar me sukses.

Pasojat e mundshme të infeksionit me klamidia


  • Tek femrat infeksioni me klamidia mund të komplikohet me Sëmundje inflamatore pelvike – SIP (Pelvic inflammatory disease – PID). SIP është një infeksion që prek sistemin e organeve riprodhuese (mitër / tuba të fallopit dhe vezore). Sëmundja inflamatore pelvike (SIP) mund të shkatojë infertilitet (për shkak të dëmtimit të tubave të Fallopit), dhimbje pelvike kronike ose barrë jashtë mitre (sërish për shkak të dëmtimit të tubave të Fallopit).
  • Tek meshkujt infeksioni me klamidia mund të komplikohet me orkit (infeksion i testikujve) i cili nga ana e tij mund të shkaktojë dhimbje dhe infertilitet.
  • Tek shtatzanat e infektuara me klamidia, infeksioni mund të kalojë tek bebi nqs lindja kryhet përmes rrugës vaginale. Kjo do të shkaktonte dëmtime të shikimit (dri në verbim) ose infeksione në mushkëri tek bebi.
  • Infeksionet me klamidia rrisin e rrezikun e transmetimit të SIDA-s.
error: Content is protected !!