Lindja Natyrale

Lindja Natyrale

Lindja është kurorëzimi i gjithë kujdesit të treguar gjatë 9 muajve të shtatzanisë. Është momenti kur ju do të shihni fëmijën tuaj, të cilën e keni pritur me padurim. Ky moment nuk matet me sekonda, por me orë (6 deri në 12 orë). Nëse ju jeni të përgatitura dhe të informuara si duhet, këto orë nuk do t’i përjetoni me shumë ankth.

Si ta kuptoni se akti i lindjes po afron?


Përvoja e çdo gruaje është e ndryshme. Ka femra që i përjetojnë me shumë frikë fenomenet apo shenjat që tregojnë afrimin e lindjes, ndërkohë që të tjera femra nuk i përjetojnë me shumë frikë këto fenomene.

Shenjat që tregojnë se lindja është pranë.

  • Eliminimi i tapës mukoide. Gratë shtatzëna shpesh herë tremben kur dallojnë një si “tapë” të trashë, mukoide, të perzier edhe me rrema gjaku t’u dalë nga vagina, pa bërë ndonjë sforcim. Kjo mund të ndodhë ditën ose natën. Ky fenomen nuk ka përse t’ju trembë, por tregon se për 24 ose 48 orë do fillojë aktiviteti i vërtetë i lindjes. ky material mukoid që del quhet “tapa mukoide”.
  • Ndjenja e rëndesës në fund të barkut
  • Problemet me urinimin. Gratë shtatzëna, në ditët e fundit para lindjes ndiejnë shpesh nevojën të shkojnë në tualet, urinojnë shpesh dhe në sasi të pakët.
  • Probleme me gjumin. Në ditët e fundit para lindjes ndodh të bëjnë gjumë të çrregullt.

Faza I e lindjes


Kontraksionet

Quhen kontraksione dhe jo dhimbje, për t`ju dhënë idenë e mirë që këto nuk përjetohen vetëm me dhimbje. Kontraksionet mund të fillojnë si një forcim i barkut, i shoqëruar me ndjenjë rëndimi në fund të tij, apo edhe me shtrëngime të mesit. Ato perceptohen mjaft të durueshme nga gruaja dhe kanë karakteristikë që mbarojnë për disa sekonda dhe ripërsëriten çdo 20 apo 30 minuta. Ju mund ta matni vetë kohëzgjatjen e tyre dhe sa është intervali ndërmjet tyre. Në këto momente partneri mund tju japë një ndihmë të mrekullueshme duke ju fërkuar mesin, nëse kjo gjë ju lehtëson. Mënyra e frymëmarrjes gjithashtu mund tju ndihmojë mjaft. Në fillim të kontraksionit filloni të merrni frymë thellë, rrallë, duke marrë frymë me gojë dhe duke e nxjerrë po me gojë, ose të njëjtën gjë mund ta bëni me hundë, ka të njëjtin efekt. Kjo lloj frymëmarrjeje ndihmon në kalimin më të lehtë të kontraksionit, sepse e kalon dominancën e trurit në tjetër qendër, dhe në të njëjtën kohë i jep më shumë oksigjen bebit, i cili në momentin e kontraksionit ka më shumë nevojë për të se në çdo moment tjeter. Me kalimin e kohës kontraksionet afrohen me njëra tjetrën, zgjasin më shumë (deri në 60 sekonda maksimumi), muskujt e barkut forcohen më shumë, dhe perceptohen më të dhimbshme nga gruaja. Këto kontraksione bëjnë të mundur hapjen graduale të qafës së mitrës. Kontraksionet janë të pavullnetshme; ato nuk mund të ndalohen.

Si kontrollohen kontraksionet?

Kontrolli i kontraksioneve bëhet me anë të një aparature që quhet kardiotokograf (CTG, NST). Përmes kardiotokografit është e mundur monitorizimi i kontraksioneve dhe në të njëjtën kohë edhe i rrahjeve zemrës së bebit.

Pozicioni që mund të mbani.

Gjatë aktivitetit të lindjes, jeni të lira të zgjidhni pozicionin në të cilin ndiheni më komode dhe ndjejni më pak dhimbje. Në fillim të kontraksioneve mund të qëndroni ulur “në bisht”, ulur në karrike, në këmbë apo shtrirë anash. Mundeni edhe të vendosni gjunjët në krevat dhe kokën në një pirg jastëqesh. Mund të qëndroni të mbështetur te partneri dhe ai t`ju fërkojë mesin apo shpatullat. Pra çdo pozicion që ju bën të ndiheni mirë, është i favorshëm.

Në fazën kur kontraksionet bëhen më të afërta (deri çdo një minutë), nëse ndjeni nevojën për të urinuar është mirë të shkoni në tualet, se boshatisja e fshikëzës së urinës ndihmon në përparimin sa më të mirë të aktivitetit të lindjes. Ndërkohë nëse lëvizni në këmbë gjatë intervalit, kjo bën mirë për të shtyrë poshtë kokën e bebit. Gjatë kësaj faze gratë mund të jenë më të shqetësuara, të kenë ndjenjën e të vjellit dhe humor të keq. Nëse ndjeni nevojën për të shtyrë poshtë, mos e bëni pa marrë mendimin e mjekut është ai që do të vendosë kur është momenti që duhet shtyrë. Po u bë më parë se duhet, aktiviteti i lindjes mund të zgjasë më shumë.

Plasja e membranave (rjedhja e ujrave)

Fëmija juaj rrethohet nga një cipë brenda mitrës e cila përmban leng amniotik, i domosdoshëm për rritjen normale të bebit. Këto cipa quhen membrane. Membranat në pjesën e poshtme formojnë një zonë që quhet xhepi i ujrave. Ky xhep ujrash çahet gjatë aktivitetit te lindjes ose edhe pa filluar aktiviteti i lindjes dhe gruaja ka rrjedhje uji nga organet seksuale. Ky nuk është moment për t’u alarmuar, por sidoqoftë duhet të vihet në dijeni mjeku. Një grua mund të qëndrojë edhe 24 orë, me ujra të plasura, pa pasur kontraksione, dhe pa ndonjë rrezik, nëse përdor peceta sterile. I vetmi rrezik është mundësia e infeksionit nga poshtë-lart ose mund te kemi daljen jashtë të kordonit të bebit. Nese ujerat ju plasin kur jeni në shtepi ju duhet të drejtoheni menjëherë në maternitet.

Faza II e lindjes.


Kjo fazë fillon kur hapja e qafës të mitrës ka arritur 10 cm. Kjo quhet hapje ose dilatacion i plotë. Gruaja këtë fazë e ka më të lehtë edhe pse kontraksionet janë çdo 1 minutë dhe zgjasin 60 sekonda, sepse ajo ka një ndjenjë të fortë të të shtyrit poshtë, gjë e cila shumë gra i lehtëson. E gjithë periudha është 30 minuta deri në një orë (tek gratë të cilat lindin për herë të parë). Nga ana tjetër kjo është një fazë kur gruaja e ndjen veten të nevojshme sepse duhet edhe ndihma e saj e vullnetshme gjatë çdo kontraksioni për të shtyrë poshtë (duke përdorur muskulaturën e barkut). Pozicioni që mund të merrni është ai që ju krijon mundësinë të shtyni më mirë, i cili mund të jetë në kurriz, anash apo ndenjur. Po të gjeni pozicionin e duhur ju duket më e lehtë.

Përmbledhje e fazës I dhe II të lindjes


  • Eliminimi i tapës mukoide
  • Kontraksionet e dhimbshme dhe periodike. Gjithnjë e më të forta dhe gjithnjë e më të shpeshta.
  • Plasja e membranave (e ujrave)
  • Dilatacioni i qafës së mitrës
  • Zbritja e kokës së bebit
  • Dalja e kokës së bebit
  • Dalja e trupit të bebit

Në këtë momentin e lindjes së bebit ju do të provoni një ndjenjë çlirimi fizik dhe psikologjik të veçantë, ku gëzimi përzihet edhe me lotët.

Faza III e lindjes


Megjithëse bebi lind, lindja nuk quhet e përfunduar derisa nuk ka dalë ende placenta. Dalja e placentës ndodh disa minuta (deri në 30) mbas lindjes. Gjatë kësaj kohe ju humbisni një sasi gjaku, e cila vlerësohet nga personeli mjekësor deri kur do të quhet normale. Për të realizuar daljen e placentës do tju duhet të shtyni përsëri, këtë herë pa dhimbje, vetëm për të ndihmuar daljen e saj. Pas daljes së placentës ekipi mjeksor do të sigurohet për përfundimin e lindjes dhe nëse ka ndonjë komplikacion do të mundohet ta korrigjojë atë.

  • Kontrolli menjëherë pas lindjes do të përfshijë:
  • Kontrollin e placentës – nëse ka dalë e plotë.
  • Kontrollin e mitrës, qafës së mitrës dhe vaginës për ndonjë komplikacion (atoni, laceracione, hematoma etj).

Më pas, pasi mjeku sigurohet që lindja ka përfunduar pa komplikacione, lindja mund të konsiderohet e kryer dhe ju mund t’i gëzoheni tërësisht fëmjës suaj, duke e vënë menjëherë në gji, në mënyrë që ai të ndiejë afërsinë e nënës deri në lëkurë.

error: Content is protected !!