Kur është i nevojshëm dhurimi i spermës?
Dhurimi i spermës mund të përdoret në disa procedura mjeksore (IUI ose IVF) në rastet kur spermatozoidet e pacientit mashkull nuk janë një alternativë për një nga arsyet e mëposhtme:
- Spermatozoidet mungojnë në lëngun seminal (ejakulat) për shkak të mos prodhimit nga ana e testikujve (azoospermia sekretore) për shkaqe gjenetike ose të fituara në jetë.
- Mashkulli është mbartës i një anomalie kromozomiale / gjenetike që rrezikon lindjen e një fëmije me anomali madhore.
- Mashkulli është i prekur nga sëmundje kanceroze ose jo, dhe më pas i është nënshtruar inferventeve kirurgjikale që kanë rezultuar me humbje (heqje) të testikujve.
- Mashkulli është i prekur nga sëmundje tumorale ose autoimune, të cilat janë pasuar nga kimioterapia duke rezultuar kështu në dëmtim të spermatogjenezës (prodhimit të spermës).
- Kur mashkulli është ekspozuar për një kohë të gjatë ndaj substancave apo ambienteve toksike të cilat kanë dëmtuar spermatogjenezën ose strukturën gjenetike të spermatozoideve.
- Në rastin kur femra dëshiron të ketë një fëmijë pa patur partner, ajo mund të zgjedhë opsionin e përdorimit të spermës së dhururar për tu bërë nënë.
Dhurimi i spermës është një alternativë e cila gjithnjë paraprihet nga një proçes informimi. Është pikërisht çifti që do të vendosë për të zgjedhur këtë trajtim apo jo.
Si zgjidhen dhuruesit e spermës?
Dhuruesit e spermës zakonisht zgjidhen nga moshat 18 – 30 vjeç. Ata duhet të jenë të shëndetshëm dhe nuk duhet të kenë ndonjë sëmundje të trashëgueshme.
Për këtë qëllim, kandidatët u nënshtrohen kontrolleve mjeksore dhe analizave të posaçme përpara se të miratohen si dhurues të spermës.
Ku depozitohen dhe ruhen kampionet e spermës?
Zakonisht janë bankat e spermës të cilat ofrojnë filtrimin e kandidatëve dhe ruajtjen e kampioneve të spermës. Këto kampione pasi katalogohen shpërndahen nëpër klinikat e fertilitetit sipas kërkesave të pacientëve. Dhuruesi mbetet anonim.
Në cilat teknika mund të përdoret sperma e dhuruar?
Ajo mund të përdoret në Inseminimin Artificial (IUI) me spermë të dhuruar ose në Fertilizim In Vitro (IVF) me spermë të dhuruar.