AMHAnti-Mullerian Hormone

AMH

AMH & Fertiliteti


  • AMH (Anti-Mullerian Hormone), është një hormon, matja e të cilit ka shumë rëndësi në vlerësimin e potencialit fertil tek femra. Kjo sepse AMH prodhohet direkt nga folikujt ovarianë. Për rjedhojë dozimi i tij pasqyron rezervën folikulare tek femra.
  • Femrat me nivele të ulëta të AMH kanë një numër të reduktuar të folikujve antralë dhe për rrjedhojë një potencial fertil më të reduktuar.
  • Dozimi i AMH mund të jetë me shumë vlerë tek femrat infertile, ato qw kryejnw IVF dhe tek atoqë duan të shtyjnë shtatzaninë (për shkak të studimeve, karierrës etj).

Çfarë është AMH?

AMH është shkurtim për Anti Műllerian Hormone ose hormoni anti-mullerian. AMH është një hormon që prodhohet nga qelizat granuloze në folikujt e vegjël ovarianë (ata antralë dhe pre-antralë). Prodhimi i tij fillon që nga java 36-të e jetës intrauterine dhe vazhdon deri sa femra hyn në menopauzë. Nivelet e AMH reduktohen me kalimin e viteve, por ky reduktim është më i shpejtë sidomos pas moshës 35 vjeç.

Me rritjen e mëtejshme të folikulit, edhe prodhimi i AMH nga ai folikul ndalon. Pasi një folikul arrin 8 mm, ai thuajse nuk prodhon aspak AMH. Kjo është edhe arsyeja se përse niveli i AMH është thuajse konstant dhe nuk ndryshon gjatë ciklit menstrual të femrës.

AMH dhe rezerva ovariane

Duke qenë se AMH prodhohet në folikuj e vegjël ovarianë, nivelet e tij janë një shprehje mjaft e saktë e “numrit” të folikujve që rriten dhe zhvillohen tek femra. Numri i folikujve që rriten dhe zhvillohen varet nga numri i apo rezerva e folikjve primordialë (mikroskopikë) rezidualë (të mbetur në gjendje të “përgjumur” në vezoret e femrës. Pra, në fakt nivelet e AMH pasqyrojnë mjaft mirë edhe nivelet e rezervës ovariane.

Me rritjen e moshës së femrës, rezerva ovariane e folikujve “mikroskopikë” reduktohet. Për këtë arsye, edhe niveli i AMH dhe numri i folikujve antralë (ata që mund të duken në ekografi) gjithashtu reduktohet.

Femrat me shumë folikuj antralë, si ato që kanë vezore polikistike kanë vlera të larta të AMH. Ndërkohë që femrat që kanë më pak folikuj antralë dhe ato që janë afër menopauzës kanë vlera të ulëta të AMH-së.

Vlerat e AMH nuk na ndihmojnë në vlerësimin e cilësisë së vezëve. Dhe cilësia e vezëve (struktura e tyre gjenetike) është shumë më e rëndësishme për arritjen e shtatzanisë se sa numri i vezëve. Por nuk ka ende asnjë test që të vlerësojë cilësinë e vezëve. Por dihet që me kalimin e viteve dhe rritjen e moshës së femrës, përvec reduktimit të numrit të vezëve, reduktohet edhe cilësia e tyre.

AMH dhe testet e tjera të vlerësimit të rezervës ovariane

Dikur, në matjen e rezervës ovariane përdorej vlera e FSH ë diten 2-3 të ciklit menstrual. Por duke qenë se FSH kërkon edhe matjen e hormoneve të tjera në pot ë njëjtën ditë (Estradiol dhe LH), të gjitha këto nuk e bëjnë shumë praktike dozimin e FSH.

AMH është superior ndaj FSH pasi paraqet më saktë ndryshimet që pëson rezerva ovariane gjatë viteve dhe për më tepër, AMH mund të kryhet në cdo ditë të ciklit menstrual pasi vlerat e tij nuk ndikohen nga faza e ciklit menstrual.

Rezerva ovariane mund të vlerësohet edhe përmes matjes ekografike të folikujve antralë në fillim të ciklit (matja e AFC – antral follicle count). Matja e AFC është po aq e vlefshme sa edhe AMH në vlerësimin e rezervës ovariane. Ja përse AMH dhe AFC janë metodat kryesore që mjeku specialist vlerëson rezervën ovariane.

Si ndikon vlera e AMH-së në arritjen e shtatzanisë natyrale?

Duhet të kuptojmë që në arritjen e shtatzanisë, rëndësi kanë edhe faktorë të tjerë si tubat e Fallopit tek femra apo cilësia e spermës së partnerit. Por është mosha faktori kryesor që ndikon në shanset për të arritur shtatzaninë, pavarësisht niveleve të AMH-së. Shtatzania natyrale mund të arrihet edhe me vlera shumë të ulëta të AMH-së për sa koë që ovulacioni ndodh dhe faktorët e tjerë si tubat e Fallopit apo spermiograma janë normale. Por nivelet më të ulëta se norma të AMH-së mund të tregojnë se keni më pak kohë në dispozicion për të arritur shtatzaninë. Në këtë kuptim ne themi që femrat me AMH më të ulët kanë potencial fertil më të reduktuar pasi jeta e tyre riprodhuese është më e shkurtër në vite.

E kam AMH-në shumë të ulët; A do të thotë kjo që jam infertile?

Jo! Për sa kohë keni cikle të rregullta, sperma e partnerti është normale dhe tubat janë normale, atëherë edhe shanset për shtatzani nuk janë shumë të ndryshme nga moshataret e tuaj. Megjithatë konsulta me një specialist në Fertilitet është shumë e nevojshme në rast të një vlere AMH më të ulët se norma. Është mjeku specialist që do të përcaktojë se sa kohë duhet të provoni për shtatzaninë natyrale në këto kushte.

E kam AMH-në shumë të lartë; A do të thotë kjo që jam super fertile?

Jo medoemos! Arritja natyrale e shtatzanisë kërkon një ovulacion të rregullt. Dhe femrat me PCO (vezore polikistike) që dihet që kanë vlera të AMH-së shumë më të larta se norma shpesh herë kanë çrregullime të ovulacionit duke qenë më pak fertile.

Nqs kam AMH të ulët dhe nuk kam partner …

Në të tillë situatë, patjetër që duhet të kryhet ruajtja e vezëve (egg freezing) pasi koha nuk është në favorin tuaj.

Si ndikon vlera e AMH-së në Fertilizim In Vitro?

Njohja e vlerave të AMH përpara një cikli IVF na ndihmon në zgjedhjen e protokollit të duhur për stimulim të vezoreve. Duke njohur AMH e kemi më të lehtë të arrijmë një ekulibër mes përfitimeve dhe efekteve anësore të stimulimit ovarian.

Femrat me vlera shumë të larta të AMH, kanë një probabilitet më të shtuar për të patur hiperstimulim ovarian, një nga efektet anësore më të padëshiruara të stimulimeve hormonale.

Femrat me vlera të “mira” të AMH zakonisht kanë një përgjigje më të mirë ndaj stimulimit hormonal të vezoreve për IVF dhe për rjedhojë kanë më shumë ovocite të aspiruara. Zakonisht, të pasurit e më shumë ovociteve (vezë) në një cikël IVF shoqërohet me më tepër shanse për sukses. Kjo sepse të paturit e më shumë ovociteve në gjendje për fekondim në një cikël Fertilizimi In Vitro do të thotë “më shumë material” për të punuar për ekipin mjeksor; dhe për pasojë më të larta mundësitë për të patur embrione me cilësi optimale (Top Quality Embryos) për të transferuar në mitrën e pacientes.

Vlerat e larta të AMH shoqërohen me më pak shanse për ndërprerje (anulime) të një cikli IVF, aspirim të më shumë ovociteve, shanse më të larta për një lindje me sukses dhe më tepër shanse për të ruajtur në ngrirje embrione shtesë.

Femrat me vlera të ulëta të AMH-së reflektojnë një rezervë ovariane të reduktuar, e cila pavarësisht stimulimeve të ndryshme (edhe ato më agresive) shoqërohet me më pak folikuj të rritur, më shumë shanse për anulime (ndërprerje të trajtimit), më pak ovocite të aspiruara, më pak vezë të maturuara në dispoziocion për fekondim, më pak embrione të formuara, më pak embrione me cilësi optimale, më pak mundësi për embrione “shtesë” për ti ruajtur dhe për rjedhojë më pak shanse për sukses.

 

Megjithatë vlerat e ulëta të AMH nuk do të thonë shanse më të ulëta për sukses në një cikël IVF kur bëhet fjalë për femra me moshë < 35 vjeç. Pra, pacientet me moshë më të re se 35 vjeç, nuk duhet të dekurajohen përpara një cikli IVF për shkak se ato kanë shanse relativisht të mira për sukses.

Cilat janë vlerat normale të AMH-së?

Ka një interes gjithnjë e më të madh për të njohur vlerat mesatare të AMH-së. Por pavarësisht matjeve dhe grafikëve të ndryshëm, nuk duhet të harrojmë se AMH ndryshon me moshën ndaj edhe koncepti “vlerë mesatare” duhet të interpretohet në lidhje me moshën për të cilën interesohemi.

Nivelet mesatare të AMH-së sipas moshës së femrës.:

Mosha (në vite)

Vlerat mediane të AMH-së

< 30

2.91

30–34

2.42

35–37

2.03

38–40

1.50

41–42

0.92

> 42

0.59

Në interpretimin e vlerave të AMH-së nuk duhet të jemi edhe shumë strikt. Për shembull dy femra me nivele të AMH-së 0.9 ng/ml dhe 1.1 ng/ml pavarësisht se nga tabela e mëposhtme klasifikohen në grupe të ndryshme nuk kanë ndonjë ndryshim të madh në potencialin fertil.

Interpretimi i rezultateve (për femrat < 35 vjec)

Nivelet e AMH-së në gjak

E lartë (sidomos në femrat me PCO)

> 4.0 ng/ml

Normal

1.5 – 4.0 ng/ml

Në vlerat e poshtme të normës

1.0 – 1.5 ng/ml

E ulët

0.5 – 1.0 ng/ml

Shumë e ulët

< 0.5 ng/ml

A mund të rritet AMH me medikamente?

Jo! AMH pasqyron ndryshimin e rezervës së vezëve nën ndikimin e moshës së femrës. Dhe nuk ka anjë medikament që të ndryshojë moshën!

error: Content is protected !!