Çfarë është fragmentimi i AND-së së spermës?
Fjala fragmentim i ADN-së spermatike (Sperm DNA fragmentation / damage) do të thotë “dëmtim” të ADN-së së spermatozideve. Një fenomen i tillë mund të shkaktojë infertilitet tek meshkujt.
Kjo sepse integriteti i ADN-së spermatike është shumë i rëndësishëm në arritjen e embrioneve me cilësi të mirë dhe për rjedhojë edhe të shtatzanive të shëndetshme.
Sa më i lartë të jetë indeksi i fragmentimit të ADN-së spermatike (pra sa më shumë spermatozoide me dëmtime të ADN-së në spermë) aq më të pakta janë shanset për një shtatzani.
Analiza e fragmentimit të ADN-së spermatike është një analizë e kërkuar në ato raste kur spermiograma e thjeshtë nuk mjafton për të shpjeguar problemet e infertilitetit të lidhura me mashkullin.
Përse është e rëndësishme analiza e spermës që në fillim?
Një çift me moshë < 35 vjec, pa probleme fertiliteti ka 20 – 25% shanse në muaj për të arritur një shtatzani në mënyrë natyrale. Në 12 muaj kontakte seksuale të pambrojtura, rreth 90% e këtyre çifteve do të arrijnë të kenë një shtatzani pa patur nevojën për mjekim.
Faktori mashkullor, i vetëm, është përgjegjës për 25 – 40 % të rasteve me infertilitet, ndërkohë që në 30 % të rasteve kemi shoqërim të një faktori mashkullor me një faktor femëror si shkaqe të infertilitetit. Për këtë arsye, duke kryer analizën e spermës që në momentet e para kur shtatzania po vonon, është e mundur të diagnostikohen dhe trajtohen në kohë problemet fertilitetit të lidhura me mashkullin.
A mundet që spermiograma të mjaftojë për vlerësimin e potencialit fertil të një mashkulli?
Analiza e spermiogramës analizon përqëndrimin (numrin e spermatozoideve për mililitër spermë), motilitetin (lëvizshërinë) dhe morfologjinë (cilësinë) e spermatozoideve. Por ajo nuk është në gjendje të analizojë integritetin e ADN-së së spermatozoideve, dmth të përcaktojë dëmtimet në ADN-në e tyre.
Rreth 15% e meshkujve që konsiderohen infertilë dhe që kanë shkallë të lartë të fragmentimit të ADN-së spermatike kanë në fakt një spermiogramë “normale”. Kjo do të thotë që vetëm spermiograma nuk mjafton.
Duke njohur shkallën e fragmentimit të ADN-së spermatike, do të ishte e mundur një diagnozë më e saktë e problemeve të infertilitetit që lidhen me mashkullin.
Si ndikon fragmentimi i ADN-së spermatike dhe stresi oksidativ në fertilitetin e mashkullit?
Në mënyrë që fertilizimi të rezultojë në embrione me cilësi të mirë dhe që të implantohen duhet që materiali gjenetik (ADN) e vezës dhe e spermatozoidit të mos ketë dëmtime apo fragmentime.
Fragmentimi i ADN-së dhe stresi i rritur oksidativ shkaktojnë:
- Reduktim të shkallës së fertilizimit (më pak ovocite të kthyera në embrione)
- Reduktimtë cilësisë së embrioneve.
- Reduktim të shanseve për implantim
- Rritje të shanseve për humbje të shtatzanisë.
Kjo ndodh si në koncepsionin natyral ashtu edhe në atë artificial.
Çfarë shkakton dëmtime në integritetin e ADN-së spermatike?
Janë të shumtë faktorët që shkaktojnë fragmentime të ADN-së spermatike. Këtu përfshihen:
- Obeziteti
- Duhani
- Temperatura e lërtë skrotale (e shkaktuar nga ethet, dushi me ujë të nxehtë, rrobat e ngushta apo edhe varikoçela)
- Kimioterapia dhe radioterapia
- Drogat apo helmet e ndryshme
- Mosha e avancuar > 40 vjeç
- Infeksionet seminale me Chlamydia Trachomatis.
Kur duhet të kryhet analiza e fragmentimit të ADN-së spermatike?
Kjo analizë është duke fituar gjithnjë e më shumë popullaritet, por indikohet sidomos në rastet e mëposhtme:
- Çiftet me humbje të përsëritura të shtatzanisë
- Çiftet me dështime të përsëritura të IVF
- Cilësi jo e mirë e embrioneve në IVF
- Çiftet me infertilitet të pashpjegueshëm
- Meshkuj me moshë > 40 vjec
- Meshkuj që janë trajtuar për kancer
- Meshkuj me infeksione uro-gjenitale
- Meshkujt që konsumojnë duhan, alkool apo që janë obezë.
- Meshkujt me variocelë
A mund të trajtohen dëmtimet e integritetit të ADN-së?
Jo të gjitha rastete me dëmtime të ADN-së spermatike mund të trajtohen.
Stresi oksidativ i shkaktuar nga radikalet e lira në organizëm janë ato që shkaktojnë dëmtime në nivelin e ADN-së së spermatozoideve. Trajtimi me anti-oksidantë mund të ulë nivelet e fragmentimit të ADN-së përgjatë 2-3 muajve. Përgjigja ndaj trajtimit varet nga shkaku që ka çuar në fragmentim të ADN-së. Disa antioksidantë që mund të kenë vlerë në këtë drejtim janë vitaminat C, E dhe A që gjenden me shumicë në fruta, perime, çokollatë, çaj.
Në rastet kur fragmentimi i ADN-së është shkaktuar nga ekspozimi ndaj temperaturave të larta apo ndaj faktorëve toksikë, atëherë anti-oksidantët janë më pak efikasë.
Për sa i përket infeksioneve me Chlamydia Trachomatis ato duhet të trajtohen me antibiotikë. Trajtimi kirurgjikal i varikocelës, mbetet sërish i debatueshëm për sa i përket përfitimeve që mund të sjellë.
Si mund të marrim spermatozoide me më pak nivele të fragmentimit të ADN-së?
Spermatozoidet e porcionit të parë të ejakulatit përmbajnë më pak fragmentime të ADN-së. Gjithashtu ejakulacioni i shpeshtë dhe shmangia e periudhave të gjata të abstinencës redukton nivelet e fragmentimit të ADN-së. Në disa raste, marrja e spermatozoideve nga testikujt justifikohet me faktin se mund të përmbajnë më pak fragmentime të ADN-së.
Çfarë ndodh pas diagnozës së fragmentimit të ADN-së?
Në bazë të vlerave të fragmentimit, mjeku specialist në infertilitet do ta ketë më të lehtë në zgjedhjen e trajtimit të duhur për të arritur sa më shpejt në shtatzani.
Si ndihmon njohja e indeksit të fragmentimit të ADN-së spermatike në zgjedhjen e trajtimit?
Fakti që një mashkull ka nivele të larta të fragmentimit të ADN-së spermatike, nuk do të thotë që shtatzania në mënyrë natyrale është e pamundur. Shanset për një shtatzani janë më të reduktuara për arsyet që sapo përmendëm. Nqs shkalla (indeksi) i fragmentimit të ADN-së spermatike është jo aq e lartë, atëherë vetë veza mund të “korrigjojë” dëmtimin në fjalë pas fertilizimit. Por kur kemi shallë të lartë të fragmentimit të ADN-së ose kur kemi edhe probleme me cilësinë e vetë vezëve atëherë vështirësitë në fertilizim natyral ose me IUI rriten akoma më shumë.
Në IUI, probabiliteti i lindjes së një fëmije është praktikisht thuajse zero nqs nivelet e fragmentimit të ADN-së së spermës janë ≥ 30%. Në të tilla raste trajtimi i vetëm është IVF me ICSI (injeksion intracytoplasmatic të spermatozoidit). Edhe kryhet IVF me ICSI, sërish suksesi është më i lartë sa më i ulët të jetë indeksi i fragmentimit të AND-së spermatike.
A mundet që ngrirja dhe krio-prezervimi (ruajtja) e spermës të ndikojë në cilësinë e spermës?
Ngrirja e spermës në azot të lëngët nuk e modifikon ADN-në e spermatozoideve, kështu që analiza e fragmentimit të ADN-së mund të kryhet edhe mbi një mostër (sample) sperme të ngrirë paraprakisht dhe që mund të përdoret për teknikat e riprodhimit të asistuar. Pas shkrirjes, mostrat e spermës duhet të përdoren pa vonesë me qëllim shmangien e dëmtimeve të ADN-së.