Për tu mbajtur mend:
- Marrja pa u konsultuar e shumë suplimenteve per te parandaluar aneminë është e panevojshme dhe mund te jetë e rrezikshme ndonjëherë. Është mjeku që duhet të përcaktojë nevojën dhe dozën për hekur gjatë shtatzanisë suaj.
- Analizat e gjakut për të vlerësuar aneminë gjatë shtatzanisë duhet të merren rutinë gjatë shtatzanisë.
- Anemia nga mungesa e hekurit është më e zakonshmja anemi gjatë shtatzanisë. Gjithashtu të shpeshta mund të jenë edhe anemitë nga mungesa e vitaminës B-12 apo e folateve (acidit folik).
Mundësia që një femër të bëhet anemike gjatë shtatzanisë është më e lartë në krahasim me periudhën jashtë shtatzanisë. Anemia ndodh kur reduktohet numri i qelizave të kuqe (eritrociteve) në gjak. Këto qeliza janë përgjegjëse për transportin e oksigjenit drejt indeve apo organeve të trupit.
Anemia e lehtë mund të japë dobësi dhe nqs nuk trajtohet si duhet mund të kalojë në formën e rëndë duke patur pasoja serioze. Në fakt, anemia gjatë shtatzanisë mund të shkaktojë lindje premature dhe peshë të vogël të bebit në lindje.
Nga se shkaktohet anemia gjatë shtatzanisë?
Anemia gjatë shtatzanisë është e zakonshme dhe në shumicën e rasteve është e formës së lehtë. Në raste të ralla ajo mund të bëhet një problem serioz që mund të kërkojë trajtim. Kur sasia e qelizave të kuqe (eritrociteve) është e jo e mjaftueshme për të transportuar oksigjenin në organizëm, kjo do të sjellë një ndikim në funksionin e organeve.
Ekzistojnë më shumë se 400 lloje anemie dhe më e shpeshta është ajo nga mungesa e hekurit.
- Anemia nga mungesa e hekurit është lloji më i shpeshtë i anemive përpara dhe gjatë shtatzanisë. Takohet në 15 – 25 % të grave shtatzana. Gjatë shtatzanisë ndodhin ndryshme të mëdha metabolike në organizmin e gruas. Fillimisht ka një mbajtje (retension) të sasisë së ujit në organizëm (që shkakton një anemi fiziologjike të hollimit), por nga ana tjetër ka dhe një rritje të kërkesave për hekur, që është përbërësi kryesor i hemoglobinës. Hemoglobina është një proteinë e rruazave të kuqe të gjakut (eritrociteve) e cila ka funksion transportin e oksigjenit në gjak. Në këtë lloj anemie, mungesa në hekur shkakton ulje të niveleve të hemoglobinës.
- Anemia nga mungesa e folateve është një tjetër lloj anemie që shfaqet shpesh gjatë shtatzanisë. Femrat kanë nevojë për më tepër ac folik gjatë shtatzanisë. Acidi folik rekomandohet të merret që përpara shtatzanisë (pra në periudhën që femra është duke tentur për shtatzani). Acidi folik është një vitamin e cila ndihmon në parandalimin e disa anomalive që prekin tubin neural tek bebi (spina bifida, anencefalia) dhe gjithashtu ul rrezikun për të patur pre-eklampsi.
- Anemia nga mungesa e vitaminës B-12. Vitamina B-12 ndikon edhe ajo në formimin e qelizave të kuqe të gjakut (eritrociteve). Për këtë arsye, mungesa e kësaj vitamine mund të shkaktojë anemi.
A mund të parandalohet anemia gjatë shtatzanisë?
Në shumicën e rasteve anemia gjatë shtatzanisë mund të parandalohet.
Si mund të parandalohet anemia gjatë shtatzanisë?
- Marrja e vitaminave te shtatzanisë
- Vitaminat e shtatzanisë zakonisht ofrohen në formën e komplekseve që përmbajnë disa vitamina dhe minerale. Multivitaminat e shtatzanisë zakonisht përmbajnë edhe hekur dhe acid folik. Marrja e një tablete në ditë është një mënyrë e lehtë për të marrë dozën e duhur të hekurit dhe vitaminave të nevojshme për prodhimin e eritrociteve.
- Marrja e dozave shtesë të hekurit
- Në rast se është instaluar anemia dhe rezervat e hekurit janë të pakta, atëherë mjeku do tju rekomandojë dozë shtesë hekuri (përvec asaj që përmbahet në multivitamina). Është mjeku i cili do të vendosë se cfarë forme hekuri do të merrni (tabletë apo të lëngshme) dhe në cfarë doze. Duhet të keni parasysh se marrja e suplementeve me hekur mund të shkaktojë dhimbje stomaku dhe ngjyrim në të zezë të jashtëqitjes. Gjatë kohës që jeni duke marrë hekur duhet të reduktoni konsumin e tepruar të çajit, kafesë, qumështit dhe vezës pasi kjo mund të ulë përthithjen e hekurit nga sistemi tretës.
- Ushqimi i shëndetshëm
- Shumica e femrave mund të marrin sasinë e duhur të hekurit dhe acidit folik gjatë shtatzanisë përmes mbajtjes së një diete të shëndetshme. Ushqimet e duhura që përmbajndë dozat e duhura të hekurit dhe vitaminave janë si më poshtë:
- Pula
- Peshku
- Mishi i kuq
- Bajamet, lajthitë dhe arrat
- Fasule dhe bizele
- Sallata jeshile
- Spinaqi
- Drithërat e integruara
- Bananet, pjepri dhe bostani
Hekuri që vjen nga produktet shtazore është më lehtë i absorbueshëm. Në rast se suplementet me hekur janë me oigjine bimore atëherë ato duhet të shoqërohen me lëng portokalle ose domate (që janë të pasura në vitamin C e cila ndihmon në përthithjen e hekurit).
Në raste të rralla, edhe suplementet shtesë me hekur nuk arrijnë dot të restaurojnë depozitat e hekurit. Në të tilla raste mjeku do tju rekomandojë alternative të tjera.
Faktorët e rrezikut për anemi
Faktorët e mëposhtëm e rrisin së tepërmi rrezikun për anemi:
· Shtatzani multiple (binjake, trinjake)
· Shtatzanitë shumë afër njëra tjetrës
· Dietë e varfër në hekur
· Menstruacione të zgjatura përpara shtatzanisë
· Të vjella gjatë shtatzanisë
Cfarë simptomash jep anemia?
Anemia e moderuar mund të mos japë asnjë shenjë apo simptomë, ndërkohë që ajo e theksuar mund të shfaqë shenjat e mëpohtme:
- Lodhje dhe dobësi
- Zbehtësi në fytyrë
- Vështirësi në frymëmarrje, rrahje të shpejta të zemrës ose dhimbje gjoksi
- Ndjesi të ftohti në duar dhe këmbë
Si diagnostikohet anemia
- Anemia diagnostikohet përmes analizës së gjakut komplet.
Si ndikon anemia te bebi ?
Anemia nga mungesa e hekurit rrit rrezikun për lindje parakohe dhe lindje te fëmijeve me peshë të vogël dhe, në raste më të rralla (në anemitë e formave ekstreme) mund të cojë në vdekje të bebit në mitër apo pas lindjes.
Si ndikon anemia të nëna?
Vetë lindja normalisht shoqërohet me humbjen e një sasie gjaku (dhe kjo është normale). Prandaj është mirë që gruaja shtatzanë të hyjë në muajin e fundit me nivele të hemoglobinës normale ose afër normale. Nëse gruaja shtatzanë do të jetë anemike në momentin e lindjes, ajo do të jetë e keputur, do të ketë mungesë të energjive të duhura për të përballuar eksperiencën unike të lindjes.