Çfarë është?
Diabeti gestacional (ose i shtatzanisë) presupozon një ritje të nivelit të glukozës (sheqerit) në gjakun e nënës gjatë shtatzanisë. Nivelet e glicemisë në gjak rriten në ato raste kur trupi i njeriut nuk prodhon në sasi të mjaftueshme një hormone të quajtur insuline. Insulina ndihmon:
- Muskujt dhe indet e trupit tuaj që të përdorin glukozën në gjak për energji.
- Organizmin të ruajë cdo “tepricë” glukoze e cila nuk nevojitet.
Gjatë shtatzanisë, trupi juaj duhet të prodhojë insulin shtesë, sidomos në gjysmën e dytë të shtatzanisë. Shtatzana ka nevojë për insulinë shtesë për shkak të hormoneve placentare që ulin përgjigjen ndaj insulinës (ndjeshmërinë ndaj saj). Kjo do të thotë se kemi insulin-rezistencë. Nqs trupi juaj nuk arrin do të përmbushë këtë “detyrë”, atëherë nivelet e glukozës në gjak do të rriten dhe ju mund të zhvilloni diabet gestacional (të shtatzanisë).
Nivelet e rritura të glukozës në gjak mund të shkaktojnë problem për ju (komplikacione materne) dhe për bebin (komplikacione fetale). Për këtë arsye shtatzania me diabet gestacional konsiderohet high risc pregnancy dhe kërkon një kujdes më të madh.
Sa i shpeshtë është diabeti i shtatzanisë?
Mendohet që diabeti gestacional shfaqet 3-10% të shtatzanave.
A vazhdon edhe pas shtatzanisë?
Jo! Në shumicën e rasteve diabeti i shtatzanisë kalon pas lindjes së bebit. Pra ndryshon nga diabeti tip 1 apo tip 2 që zgjasin gjatë gjithë jetës nqs shfaqen.
A mund të parandalohet?
Nuk ka mjekim që të mund të parandalojë shfaqjen e diabetit gestacional. Megjithatë ka disa mënyra jetese të cilat mund të reduktojnë rrezikun për shfaqjen se diabetit të shtatzanisë.
- Të ushqehesh në mënyrë të shëndetshme; që do të thotë të planifikoni vaktet tuaja me sa më shumë karbohidrate me çlirim të ngadalë (sheqeri kaf, pastat me drithëra integrale). Mundohuni të zëvendëoni mishin e kuq me atë të bardhë (pulë / peshk). Po ashtu mundohuni të zgjidhni mishin në grill se sa atë të skuqur.
- Të bëni ushtrime fizike, gjithashtu ndihmon në ruajtjen e glukozës në nivele normale. është e lejuar në shtatzani të bëni joga, not apo shëtije cdo ditë.
- Të mbani peshën tuaj nën kontroll.
Si mund të diagnostikohet diabeti i shtatzanisë?
Ka disa faktorë rreziku që rrisin mundësinë që nje shtatzanë të zhvillojë diabet shtatzanie:
- Kur BMI është > 30.
- Kur keni lindur të të kaluarën një beb makrozom (pesha në lindje > 4000 – 4500 gr).
- Kur keni kaluar diabet shtatzanie në shtatëzaninë e kaluar.
- Predispozita familjare.
Testi apo analiza që përdoret për depistimin e diabetit të shtatzanisë është testi i tolerancës ndaj glukozës (oral glucose tolerance test – OGTT) që quhet ndryshe kurba e glicemisë. Ky test ofrohet në intervalin 24 – 28 javë moshë gestacionale. OGTT kryhet në mëngjes esëll dhe rekomandohet që nga mbrëmja mos të konsumohet ushqim deri sa të kryhen matjet e testit.
Ka disa lloje OGTT. Testi me 50 gr, 75 gr dhe 100 gr glukozë. Më të përdorur janë ata me 50 gr dhe ato me 100 gr. OGTT me 50 gr është ai që përdoret në fillim dhe është i aftë të depistojë 80% të rasteme me diabet gestacional. OGTT me 100 gr është i aftë të depistojë 90% të rasteve me diabet gestacional.
OGTT me 50 gr:
- Matet glicemia esëll.
- Pacientja konsumon 50 gr glukozë.
- Matet glicemia pas 60 min.
OGTT me 100 gr:
- Matet glicemia esëll.
- Pacientja konsumon 100 gr glukozë.
- Matet glicemia pas 60 min / 120 min / 180 min.
Vlerat normale të OGTT janë si më poshtë.
OGTT | Ora 0 | Ora 1 | Ora 2 | Ora 3 |
50 gr | < 95 mg/dl | < 140 mg/dl | ||
75 gr | < 95 mg/dl | < 180 mg/dl | < 153 mg/dl | |
100 gr | < 95 mg/dl | < 180 mg/dl | < 155 mg/dl | < 140 mg/dl |
Kuptohet që nqs kemi një nivel glicemie esëll > 125 mg/dl apo një nivel glicemie (jo esëll) > 200 mg/dl atëherë nuk ka nevojë për OGTT pasi jemi në kushtet e diagnozës pozitive për diabet.
Në mjaft raste, shtatzanat me diabet gestacional nuk kanë ndonjë simptomë gjatë shtatzanisë. Shenjat që mund të ketë një shtatzanë me diabet gestacional janë:
- lodhje
- gojë e thatë
- etje
- infeksione të shpeshta
Si ndikon diabeti i shtatzanisë mbi bebin?
Shumica e shtatzanave me diabet gestacional do të kenë bebe të shëndetshme në lindje nqs diabeti i shtatzanisë diagnostikohet në kohë. Kjo sepse nivelet e glicemisë (glukoza në gjak) do të mbahen në kontroll. Në rast të kundërt, nivelet e larta të glukozës do të kalojnë placentën dhe do të hyjnë në qarkullimin e gjakut të bebit. Kjo do të rrisë rrezikun që bebi të rritet në peshë përtej normës (bebe makrozom).
Një beb i madh mund të vështirësojë lindjen dhe për pasojë të rrisë rreziqet për komplikacione serioze. Në raste të rralla (ekstreme) këto komplikacione mund të sjellin vdekjen e bebit gjatë lindjes. Një tjetër komplikacion është edhe polihidramnios (sasi më e madhe se norma e likidit amniotic – ujrave të bebit). Prandaj është e rëndësishme që nivelet e glukozës të mbahen në nivelet normale.
Si trajtohet diabeti i shtatzanisë?
Pas vendosjes së diagnozës së diabetit gestacional, mjeku do tju rekomandojë ndryshimet e nevojshme në mënyrën e jetesës dhe ushqyerjes, dietën e duhur dhe ushtrimet fizike të lejuara (30 minuta në ditë).
Një grua shtatzanë me diabet gestacional ka nevojë për më tepër ekografi për të patur në kontroll rritjen e bebit dhe nivelin e likidit amniotik.
Gjithashtu në këto raste rekomandohet edhe matja (gjurmimi) ditore e lëvizjeve fetale nga ana e shtatzanës. Një ndjesi që bebi lëviz më pak, duhet të referohet tek mjeku.
Nqs dieta dhe ushtrimet nuk mjaftojnë për të mbajtur në normë nivelin e glukozës, atëherë mund të jetë nevoja për trajtim me insulin. Dozën e të cilit e vendos mjeku endokrinolog.
Si ndikon diabeti i shtatzanisë në momentin e lindjes?
Diabeti i shtatzanisë mund të shfaqë shpesh komplikacione gjatë lindjes. ndër komplikacionet që mund të shkaktojë ai përmendim:
- Lindje premature (para kohe).
- Zgjatje të aktivitetit të lindjes.
- Vuajtje fetale (suferincë fetale) kronike apo edhe akute (psh gjatë lindjes).
- Laceracione cervikale / vaginale / vulvare të nënës gjatë lindjes.
- Hemorragji postpartum.
- Distoci të shpatullave.
Për të shmangur shumicën e këtyre komplikacioneve, shpesh herë indikohet lindja me stimulim kur bebi ka mbushur 38 javë apo lindja me operacion cezarian.
Si ndikon diabeti i shtatzanisë pas lindjes së bebit?
Bebi i sapolindur mund të shfaqë hipoglicemi (ndërkohë që trupi i tij mundohet të prodhojë sasinë e duhur të insulinës) dhe ikter. Mund të jetë e nevojshme që nivelet e glicemisë së bebit të monitorizohen për disa ditë në njësinë e neonatëve (kjo nuk do të thotë që bebi ka ndonjë problem serioz). Gjithashtu në rast se lindja ka ndodhur para kohe, atëherë mund të të jetë e nevojshme që bebi të kalojë në njësinë e neonatëve për disa ditë përpara se ti besohet përfundimisht nënës. Bebat e lindura nga nëna me diabet gestacional janë më të rrezikuar të shfaqin obezitet dhe diabet tip 2 gjatë jetës së tyre.
A do të vazhdojë diabeti edhe pas lindjes?
Kërkohet gjithnjë një kontroll tjetër i glicemisë pas 6 javëve nga lindja. Në shumicën e rasteve glicemia do të jetë normale. Megjithatë në 20% të lehonave pas një shtatzanie me diabet gestacional, diabeti në të vërtetë ka qenë instaluar që përpara shatzanisë. Kështu që një pjesë e tyre do të kenë diabet edhe 6 javë pas lindjes.