Ekografia ne shtatzani

Ekoja Obstetrikale i referohet përdorimit të ultratingujve (valë tingujsh me frekuencë të lartë) për të vizualizuar dhe për rrjedhojë për të përcaktuar kushtet klinike të një gruaje shtatzanë dhe të embrionit ose fetusit të saj.Këto valë rregjistrohen dhe paraqiten si një imazh në kohë reale. Në procedurën e ekos nuk ka rrezatim të jonizuar

Cilat janë përdorimet më të shpeshta të ekografisë në shtatzani?

Ekoja obstetrikale duhet bërë vetëm nëse është klinikisht e indikuar. Disa nga indikacionet përfshijnë:

  • Për të vërtetuar praninë e një embrioni ose fetusi të gjallë.
  • Për të përcaktuar numrin e embrioneve/fetuseve.
  • Për të përcaktuar moshën e shtatzanisë.
  • Për të vlerësuar loaklizimin e fetusit (brenda apo jashtë mitrës).
  • Për të diagnostikuar anomalitë fetale.
  • Për të vlerësuar lokalizimin e placentës.
  • Për të vlerësuar rritjen fetale dhe mirëqënien e fetusit.
  • Për të vlerësuar qafën e mitrës.

Si duhet të përgatitem për ekografinë në shtatzani?

Për këtë ekzaminim duhet të vishni rroba të lirshme, mundësisht fund dhe bluzë. Gjatë kësaj procedure duhet ekspozuar vetëm pjesa e poshtme e barkut, prandaj nëse vishni fund dhe bluze nuk do të jeni të detyruara të hiqni rrobat.

Nëse ekoja kërkohet në javët e para të shtatzanisë, duhet të pini lëngje para procedurës sepse vezika urinare duhet të jetë e mbushur. Ajri interferon me valët e tingujve, prandaj nëse vezika urinare është e tendosur, zona e ajrit do të largohet dhe do të përftohet imazhi i uterusit dhe embrionit. Në disa raste, sidomos pas 3 muajve të parë të shtatzanisë, vezika urinare e mbushur nuk është e domosdoshme. Alternativë mund të jetë dhe ekoja trans-vaginale, sidomos në fillimet e shtatëzanisë, dhe për këtë procedurë vezika urinare duhet e zbrazur.

Si kryhet ekografia në shtatzani?

Do t’ju kërkohet të shtriheni mbi shpinë dhe të zbuloni pjesën e poshtme të abdomenit. Mjeku do të vendosi një lloj xheli mbi lëkurën tuaj të pjesë së poshtme të barkut. Ky xhel lejon transmetimin më të mirë të valëve duke bërë më të lehtë lëvizjen e sondës dhe duke dërguar tufën e tingujve direkt nëpër trup pa interferuar qoftë edhe me ndonjë sasi të vogël ajri mbi lëkurë. Sonda lëshon valë tingujsh me frekuencë të lartë ndërkohë që mjeku e lëviz atë mbi barkun tuaj. Ndonjëherë mjeku mund të gjykojë që është e domosdoshme të bëhet eko transvaginale. Kjo teknikë kryhet si ekoja abdominale por vetëm se sonda futet  brenda vaginës. Nëpërmjet saj shpesh pasqyrohen imazhe shumë më të detajuara dhe më të qarta të uterusit dhe vezoreve. Kjo teknikë është shumë e dobishme në fillimet e shtatzanisë. Për këtë lloj ekzaminimi vezika urinare duhet të jetë e zbrazur. Një ekzaminim ekografik  normal, zakonisht zgjat 20 – 60 minuta.

Kush e kryen ekografinë obstetrikale?

Mjeku obstetër-gjinekolog, i cili duhet te kete eksperiencën e duhur në ekografinë obstetrikale, analizon imazhet dhe i jep pacientes një raport të interpretimit të imazheve të nënshkruar prej tij.

Cilat janë përfitimet?

Ekografia nuk përdor rreze X për të përftuar imazhe – për rrjedhojë as nëna e as bebja i palindur nuk ekspozohen në rrezatim të jonizuar.

Ekografia është përdorur për të vlerësuar shtatzaninë për afërsisht 4 dekada, dhe nuk ka patur raste të raportuara për dëmtime të pacienteve, embrionit ose fetusit. Megjithatë, ekoja duhet bërë vetëm kur indikohet nga mjeku obstetër-gjinekolog .

A ka rreziqe ekografia në shtatzani?

Për ekzaminimin ekografik standard nuk janë parë efekte anësore të dëmshme mbi bebin apo mbi nënën.

Cilat janë kufizimet e ekos obstetrikale?

Per fat te keq, ekografia obstetrikale nuk identifikon të gjitha anomalitë fetale. Për rrjedhojë, nëse egziston dyshimi për ndonjë anomali të mundëshme, pacientja duhet t’i nënshtrohet testit invaziv të amniocentezës (vlerësimi i lëngut që ndodhet në qeskën që rrethon embrionin) ose vlerësimit të vileve koriale (vlerësimi i indit të placentës) për të përcaktuar shëndetin e fetusit.

Dora e fetusit - java 12

Embrioni java 11

Zemra e fetusit - 24 jave

Categories : Blogu i shtatzanisë
error: Content is protected !!