Spermatozoidi

Një spermatozoid matur (spermatozoa) është i gjatë 0.005 mm, një vlerë kjo shume herë më e vogël se veza mature. Në fakt, spermatozoidi është qeliza më e vogël në trupin e mashkullit. Ai formohet nga koka, trupi dhe flageli (bishti).

Koka përmban bërthamën në të cilën është i ruajtur materiali gjenetik prej 23 kromozomesh. Trupi përmban mitokondrie të cilat janë organela që magazinojnë energjinë që i nevojitet spermatozoidit për aktivitetin e tij. Flageli përbëhet nga fibra proteinike të cilat duke u kontraktuar në mënyrë të alternuar sa në një anë në tjetrën, i japin spermatozoiditi atë lëvizjen valëzuese karakteristike me të cilën ai lëviz në lëngun spermatik. Spermatozoidi mund të lëvizë me një shpejtësi prej 3 mm / minutë.

Por jo të gjithë spermatozoidet janë të formuar kështu dhe jo të gjithë spermatozoidet kanë të njëjtën lëvizshmëri. Disa mund të jenë me dy koka ose edhe me dy flagele. Disa prej spermatozoideve mund të jenë edhe të palëvizshëm fare. Me analizën e përqëndrimit, lëvizshmërisë dhe morfologjisë së spermës merret spermiograma, analizë kjo bazike në vlerësimin e potencialit fertil të një mashkulli.

Spermatozoidet formohen në testikuj. Duhen rreth 72 ditë për një spermatozoid që të arrijnë formën e tij mature. Prodhimi i spermës nga testikujt kërkon një temperaturë më të ulët se ajo e trupit (3-5 gradë më pak). Është kjo arsyeja pse testikujt zbresin në skrotum.

 

Të gjitha qelizat normale të trupit të njeriut kanë 46 kromozome, por spermatozoidi ka 23 të tilla. Nqs një spermatozoid takohet dhe fertilizin një vezë, e cila ka po ashtu 23 kromozome, atëherë zigota (veza e fertilizuar ose fillesa e embrionit) do të ketë 46 kromozome.

Përqëndrimi normal i spermatozoideve në ejakulat varion nga 15 në më shumë se 200 milionë për mililitër. Spermatozoidet përbëjnë vetëm 5% të përmbajtjes së ejakulatit. Pjesa tjetër e ejakulatit përbëhet nga ujë, proteina, karbohidrate, Vit C, Zink dhe prostaglandina të ardhura këto nga lëngu protatik, ai i vezikulave seminale dhe atyre bulbouretrale.

Shumica e spermatozoideve jetojnë 1-2 ditë në rrugët e gjenitale të femrës; në disa raste edhe 4-5 ditë.

Categories : Blogu i fertilitetit
error: Content is protected !!