Të dhurosh vezënjë gjest i thjeshtë që ndihmon një femër tjetër të bëhet nënë!

Të dhurosh vezë

Çfarë është dhurimi i vezëve?


Dhurimi i vezëve është një proces gjatë së cilit një femër (zakonisht e re në moshë), i dhuron vezët nje femre tjetër me qëllim që kjo e fundit (recipientja / marrësja) të ketë mundësi përmes Fertilizimit In Vitro të bëhet nënë.

Kush mund të ketë nevojë për vezë të dhuruara?


Mjaft femra, disa pavarësisht se mund të jenë edhe në moshë të re, mund ta kenë të vështirë ose të pamundur arritjen e shtatzanisë për shkak se mund të kenë probleme me numrin dhe / ose cilësinë e vezëve (ovociteve).

Çfarë ndodh gjatë një proçesi dhurimi vezësh?


Si fillim, kryhet aspirimi i vezëve (ovociteve) nga femra që dëshiron të kryejë dhurimin. Më pas vezët fekondohen duke përdorur spermën e partnerit të recipientes (marrëses) brenda laboratorit të IVF. Embrionet që rezultojnë nga ky fekondim transferohen më pas në mitrën e recipientes. Në rast implantimi me sukses, embrioni do të zhvillohet brenda mitrës së recipientes.

Cilat janë kushtet që një femër duhet të plotësojë për të dhuruar vezë?


  • Të jetë midis 21 dhe 32 vjec.
  • Të ketë një funksion normal të vezoreve
  • Nuk duhet të ketë asnjë lloj sëmundje gjenetike në familje.
  • Ti nënshtrohet analizave që kërkon ekipi mjeksor. Këto analiza janë gratis dhe për më tepër janë shumë të vlefshme edhe për vetë shëndetin e dhurueses.

Çfarë analizash i ofrohen dhurueses?


  • Vizitë gjinekologjike dhe ekografi transvaginale
  • Hemoleukogramë, Grup gjaku dhe përcaktim të faktorit Rhezus.
  • Analizat bokimike rutinë
  • Testimin për sëmundjet seksualisht të transmetueshme (SST): HCV (Hepatit C), HbsAg (Hepatit B), HIV (AIDS), VDRL (Sifiliz)
  • Elektroforeza e hemoglobinës
  • Analiza hormonale
  • Analiza gjenetike:

Sa zgjat proçesi i dhurimit?


Zakonisht ky proçes zgjat 10 – 12 që nga fillimi i menstruacioneve.

A duhet të merren mjekime gjatë procesit të dhurimit?


Po! Bëhet fjalë për injeksione subkutane të pa dhimbshme të cilat duhet të kryhen në mënyrë ditore në orën e caktuar.

A ruhet anonimiteti?


Sigurisht që po! Spitali apo klinika impenjohen në ruajtjen e anonimitetit të dhurueses. Në asnjë mënyrë nuk jepet gjeneralitetet e donatores.

A duhet të jetë dhuresja çdo ditë në spital apo klinikë gjatë proçesit të dhurimit?


Jo! Zakonisht në këtë interval 10 – 12 ditor, dhuruesja duhet të paraqitet çdo 3-4 ditë për të bërë kontrollin me ekografi të stimulimit.

Kur bëhet proçesi i dhurimit të vezëve?


Aspirimi i vezëve kryhet në fund të intervalit të stimulimit dhe zgjat veçse 20 minuta. Ky aspirim kryhet nën anestezi. Pra nuk ka dhimbje. Dhuruesja mund të qëndrojë në spital apo klinikë veçse disa orë pas dhurimit.

A ndikon dhurimi i vezëve në aftësinë për të patur fëmijë në të ardhmen?


Ky proçes nuk shoqërohet me reduktim të rezervës ovariane të dhurueseve. Pra nuk ka asnjë ndikim.

Çfarë përfitimesh mund të ketë një femër që dhuron vezët?


  • Përfitimi kryesor është fakti që dhurimi i vjen në ndihmë një femre tjetër e cila e ka të pamundur arritjen e shtatzanisë me vezët e saj për shkak të numrit dhe / ose cilësisë së reduktuar të tyre.
  • Veç kësaj, i gjithë proçesi i vizitave, ekografive dhe analizave paraprake që një femër duhet të kalojë përpara se të pranohet si dhuruese, nuk është gjë tjetër veçse një kontroll mjeksor i plotë i cili ofrohet falas nga spitali apo klinika që kryen proçedurën.

Dhurimi i vezëve është një gjest i thjeshtë që ndihmon një femër tjetër të bëhet nënë!

error: Content is protected !!