Çfarë është?
Torsioni ovarian përfaqëson përdredhjen e ovarit rreth suportit ligamentar. Torsioni mund të përfundojë deri në kompromentim të furnizimit me gjak të ovarit. Është një urgjencë mjeksore pasi nqs nuk intervenohet në kohë mund të sjellë humbjen e vezores.
Torsioni adneksial është një term që nënkupton torsionin njëkohësisht të ovarit së bashku me tubin e të njëjtës anë. Torsionimi vetëm i tubit është i mundur, por është një fenomen më i rrallë. Termat torsion ovarian dhe torsion adneksial përdoren në të njëjtën masë në praktikën klinike, për shkak se në 67% të rasteve me torsion të ovarit kemi edhe torsionim të tubit.
Çfarë ndodh?
Torsioni në shumicën e rasteve është unilateral (pra ndodh vetëm në njërën anë). Adneksa që torsionohet më shpesh është ajo e djathtë. Grada e torsionit mund të variojë nga e pjesëshme (me 90o) deri në torsione multiple (deri me 720o). Fillimisht ndodh bllokimi i qarkullimit venoz dhe atij limfatik dhe adneksa bëhet edematoze (fryhet). Në rast se torsioni ende vazhdon, atëhere në një moment të caktuar edhe qarkullimi arterial do të bllokohet duke shkaktuar ishemi dhe infarkt hemorragjik. Nqs nuk intervenohet në kohën e duhur, funksioni i vezores humbet dhe ajo kalon në nekrozë. Për fat të keq intervali kohor nga fillimi i dhimbjes deri në momentin e nekrozës ovariale (pika e pakthyeshme) është shumë variabël. Kjo ndodh për shkak të arsyeve të mëposhtme:
- Grada variabile e torsionit,
- Intervali kohor gjatë të cilit torsioni ka vazhduar,
- Vaskularizimi i dyfishtë ovarial: pavarësisht torsionit, një pjesë e fluksit të gjakut mund të persistojë.
- Torsioni ovarial mund të jetë intermitent.
Ndërhyrja kirurgjikale në urgjencë është e vetmja zgjidhje për të detorsionuar pedikulin vaskular dhe “shpëtuar” ovarin (vezoren).
Si shfaqet? Çfarë shenjash ka?
Torsioni shfaqet me dhimbje të forta ne anën e ovarit të torsionuar të shoqëruara me nauze(të përziera) dhe të vjella, ndonjëherë edhe ndjenjë lipotimie (të fikët).
Në cilat femra ndodh më shpesh?
Torsioni ovarian mund të ndodhë në çdo femër, por më shpesh ndodh gjatë moshës riprodhuese dhe sidomos tek ato femra:
- që kanë kiste të vezores
- që kanë kiste paraovarian
- që kanë vezore polikistike
- që kanë ligamente të gjatë ovarian
- që kanë bërë ligaturë tubare
- që janë shtatzana
- që kryejnë trajtime të ndryshme për infertilitet për të stimuluar vezoret të prodhojnë më shumë folikuj (IUI ose IVF)
Si diagnostikohet?
Është vizita gjinekologjike dhe ekografia transvaginale ato që venë diagnozën e torsionit ovarian. Në rastet e paqarta në ndihmë vjen edhe CT-Scan ose Rezonanca Magnetike (MRI).
Si trajtohet?
I vetmi trajtim është ndërhyrja kirurgjikale në urgjencë! Sa më e shpejtë diagnoza dhe sa interventi kirurgjikal, aq më e madhe edhe mundësia e “shpëtimit” të vezores. Interventi kirurgjikal në kohën e duhur bën të mundur detorsionimin (shpërdredhjen) e ovarit (apo edhe tubit) dhe restaurim të anatomisë dhe frnizimit me gak të vezores dhe tubit. në rast se shkak për torsion është prania e ndonjë kuptohet që bashkë me detorsionimin kryhet edhe heqja e kisti Në rastet kur ka kaluar kohë dhe vezorja nuk mund të shpëtohet më (pasi ka kaluar në nekrozë) atëherë kryhet heqja e saj (ovarektomi).
Interventi kirurgjikal mund të kryhet me laparoskopi (operacion i mbyllur) ose me laparotomi (operacion i hapur).