A shkaktojnë miomat infertilitet?

Miomat janë tumore beninje (pra jo kanceroze!) të pranishme në rreth 20 – 40 % të femrave të moshës riprodhuese. A shkaktojnë miomat infertilitet apo jo, kjo është një pyetje shumë komplekse. Një pjesë e femrave infertile do të kenë mioma, por janë dimensionet dhe lokalizimi i tyre që do të përcaktojnë ndikimin e tyre në fertilitet. Miomat që janë më të mëdha se 6 cm në diametër dhe ato të lokalizuara në brendësi të kavitetit uterin janë ato që kanë më tepër ndikim negativ mbi aftësinë për të arritur një shtatzani dhe të cuar një shtatzani deri në lindjen e një fëmije. Në raste të rralla, miomat mund të lokalizohen në afërsi të hapjeve të tubave duke shkaktuar bllokime të tyre.

Shumica e femrave që kanë mioma nuk do të kenë vështirësi në arritjen e një shtatzanie. Nqs shtatzania po vonon dhe kemi praninë e një miome, atëherë duhet të kërkohen faktorë të tjerë të mundshëm për këtë vonesë përpara se të kalohet direkt në heqen kirurgjikale të miomës (miomave). Është mjeku specialist në fertilitet ai që do të përcaktojë rëndësine e miomës dhe nevojën ose jo për intervent kirurgjikal (miomektomi).

Si mund të shkaktojnë miomat infertilitet?

Në varësi të dimensioneve apo të lokalizimit, miomat mund ta dëmtojnë fertilitetin në këto mënyra:

  • Mund të shkaktojë deformime mekanike të endometriumit duke vështirësuar ose dëmtuar implantimin.
  • Qarkullimi i gjakut në mitër mund të modifikohet dhe kjo mund të sjellë uljen e aftësisë së embrionit për tu implantuar ose për tu zhvilluar në mitër.
  • Tubat e Fallopit mund të blllokohen nqs miomat zhvillohen ngjitur me hapjet e tyre. Kjo do të pamundësonte takimin e vezës me spermatozoidin.
  • Ato mund të dëmtojnë formën e qafës së mitrës nqs zhvillohen aty duke bërë të pamundur kalimin e spermatozoideve në mitër.

A duhet të operohen miomat që të përmirësohet fertiliteti?

Kjo është një pyetje më se e natyrshme e të gjitha femrave infertile që kanë edhe mioma. Por përgjigja për këtë pyetje është e ndryshme në varësi të secilit rast. Çifti infertile duhet të diskutojë me specialistin në infertilitet për rëndësinë e miomës dhe nqs duhet të operohet apo jo.

Ka raste që miomat nuk duhet të operohen dhe femrat mund të kenë një shtatzani natyrale më pas.

Ama ka edhe raste kur miomat duhet të operohen (nqs plotësojnë kriteret e mësipërme) përpara se të tentohet një shtatzani natyrale apo me IVF.

Categories : Blogu i fertilitetit
error: Content is protected !!