Ç’duhet bërë kur përballemi me problemet e fertilitetit?

Një çift që përballet me infertilitetin, duhet të ketë parasysh se shumica e faktorëve që shkaktojnë infertilitet janë të trajtueshëm dhe për rjedhojë pritja për “bebin” nuk është shumë e gjatë. Kjo është sidomos e vërtetë kur ndërmerren veprimet e duhura dhe aspak të nxituara. Ja disa veprime që rekomandohen nga mjekët specialistë në infertilitet:

  • Çifti duhet të jetë vërtet çift. Duhet të kenë mbështetje reciproke mes partnerëve. Infertiliteti shkakton një nivel të lartë ankthi dhe stresi tek partnerët. Në një pjesë të rasteve ky presion i madh shoqërohet edhe me konflikte në çift. Por nuk duhet harruar se “it takes two to tango”! Është shumë e rëndësishme që të kuptohet se infertiliteti është një sfidë që duhet të përballohet nga të dy partnerët të cilët duhet të tregojnë mbështetje për njeri tjeterin dhe jo të luajnë lojën “kush e ka fajin”.

  • Duhet të kenë kontakte të rregullta seksuale. Mos u ndikoni nga bisedat me shoqërinë tuaj që thonë se arritën shtatzaninë që në muajin e parë të përpjekjeve. Kjo është një legjendë. Në praktikën tonë klinike, shohim shpesh herë cifte të reja që shqetësohen se kanë 6 muaj që përpiqen dhe janë të stresuar se përse shtatzania nuk po vjen. Të tilla raste rekomandohen që të vazhdojnë përpjektjet edhe për 6 muaj të tjerë pa qenë nevoja për mjekime apo për analiza. Kjo sepse 90% e cifteve të reja do të arrijnë shtatzaninë brenda vitit të parë të përpjekjeve.
  • Të llogarisin ditët fertile dhe të kenë kontakt më të shpeshta në këto ditë.
  • Të ndjekin një stil jetese të shëndetshëm dhe një dietë të shëndetshme. Është fakt që problemet me fertilitetin janë më të shpeshta tek konsumatorët e duhanit, alkoolit apo tek obezët.
  • Të kërkojnë ndihmën e mjekut në momentin e duhur.
  • Të zgjedhin mjekun specialist në (in)fertilitet. Kjo do të shmangë humbjen e kohës dhe shpenzimet e pajustifikuara financiare për analiza apo trajtime të panevojshme.

 

Janë disa veprime të cilat ndihmojnë në këtë drejtim, por veprimi kryesor është drejtimi tek mjeku specialist në momentin e duhur.

Categories : Blogu i fertilitetit
error: Content is protected !!