PCOSOvaret Polikistike

PCOS

Çfarë janë vezoret polikistike?


Sindroma e ovareve polikistike (PCOS – Policystic Ovarian Syndrome), është një crregullim relativisht i shpeshtë hormonal që prek femrat e moshës riprodhuese. Femrat me PCOS mund të kenë  menstruacione të rralla ose nivele më të larta se norma të androgjenëve (hormoneve mashkullorë). Vezoret janë më të mëdha se norma dhe janë të mbushura me kiste të shumta të të dimensioneve 8 – 12 mm. Këto kiste në të vërtetë janë folikuj (hapësira ku zhvillohen vezë) por që nuk arrijnë të zhvillohen normalisht duke bërë që ovulacioni të ndodhë shumë rrallë.

Pse ndodh PCO?

Ende ka paqartësi në “origjinën” e PCO.  Shumica e ekspertëve mendojnë se janë disa faktorë që ndikojnë në shfaqjen e saj.

Faktorët gjenetikë – mendohet se luajnë një rol shumë të rëndësishëm pasi është parë se femrat të cilat kanë PCO kanë më shumë probabilitet të kenë familjarë të rrethit të parë (mama, teze, motër) po me PCO.

Nivelet e larta të insulinës. Insulina është një hormon që kontrollon se si ushqimi që ju konsumoni shndërrohet në energji. Insulino rezistenca ndodh atëherë kur qelizat e trupit nuk i përgjigjen normalisht insulinës. Për rjedhojë, nivelet e insulinës do të rriten më shumë se norma. Shumë femra me PCO do të kenë insulin-rezistencë, sidomos ato që janë mbipeshë, obeze, nuk kryejnë aktivitet fizik, ato që kanë një dietë jo të balancuar dhe ato që kanë një histori familjare me diabet tip II. Në fakt, insulinorezistenca me kalimin e viteve mund të kalojë në diabet.

Nivelet e larta të androgjenëve (hormoneve mashkullorë). Të femrat me PCO nivelet e androgjenëve duke qenë më të larta se norma, shkaktojnë rënien e flokëve, obezitet trunkal, shfaqjen e aknve në fytyrë dhe shtimin e qimeve në mjekër, faqe dhe trup. Përveç kësaj, androgjenët frenojnë edhe ovulacionin duke shkaktuar kështu infertilitet.

Çfarë shenjash jep PCOS?

PCOS ka një spektrum shenjash dhe simptomash që variojnë nga menstruacionet e çrregullta ose që vijnë shumë rallë, obezitet dhe rritje në peshë, hirsutizëm, akne, rënie flokës, depression, ankth, shenja në lëkurë dhe infertilitet. Tre shenjat kryesore të sindromës së ovareve polikistike janë:

  • Vonesë dhe/ose çrregullim i ciklit menstrual. Në një femër pranohet si normale vonesa 1-2 herë në vit e ciklit mestrual ose çrregullime në dy vitet e para të ciklit. Nëse vonesat janë më të shpeshta, duhet të merret parasysh mundësia e shfaqjes së sindromës së ovareve polikistike.
  • Shtim i pilozitetit në trup. Shtimi i pilozitetit vihet re më së shumti në zonën e mjekrës, në kraharor, në majën e gjirit dhe në kërthizë, në pjesët e brendshme të pjesës së sipërme të kofshëve, si edhe në zonën e qafës. Vihet re rënie e flokëve veçanërisht në zonën e ballit dhe shfaqje e akneve në lëkurë, veçanërisht në zonën e fytyrës, shpinës dhe shpatullave.
  • Infertilitet. Tek një femër që vuan nga PCOS vihen re probleme me fertilitetin (infertilitet apo arritje me vështirësi e një shtatzanie), aborte të shpeshta, lindje të parakohshme, ose shfaqje e diabetit gjatë shtatzanisë. Për shkak të crregullimeve hormonale që vihen re tek femrat me PCO, ovulacioni vonon ose nuk ndodh aspak. Është pikërisht ky faktor që ndikon në infertilitet.

Si diagnostikohet PCOS?

Për të diagnostikuar PCOS mund të nevojiten analizat apo ekzaminimet e mëposhtme:

  • Ekografia transvaginale (Kryerja e saj tek një femër që ka një pilozitet të rritur dhe crregullim apo vonesë të ciklit, zbulon lehtësisht ovaret polikistike).
  • Profili hormonal (mund të tregojë prishjen e ekulibrit hormonal)
  • Profil glicemik

Si trajtohet?

Trajtimi i PCOS mund të jetë me medikamente (ilace) ose me kirurgji laparoskopike. Mjekimi me medikamente i PCOS është simptomatik; pra drejtohet ndaj shenjave apo ankesave që shfaq kjo sëmundje. Medikamentet më të përdorura janë:

Kontraceptiivët oralë – këto indikohen për femrat që duan të rregullojnë ciklin menstrual. Këto kanë edhe efekt të mirë në aknet që shoqërojnë PCOS sepse ulin nivelet e androgjenëve (hormonet që janë të rritura në PCOS). Megjithatë pas ndërprerjes së kontraceptivëve shenjat e PCOS kthehen sërish.

Progesteroni – Progesteroni i dhënë në mënyrë ciklike përmirëson ciklin menstrual.

Medikamente që ulin rezistencën ndaj insulinës – anti diabetikët oralë si metformina (glucophage) përmirëson nivelet e glukozës, reduktojnë prodhimin e androgjenëve, reduktojnë rënien e flokëve, shkaktojnë rënie në peshë tek obezet pasi përmirëson nivelet e kolesterolit. Kjo bën që edhe ovulacioni të përmirësohet brenda disa muajve.

Medikamente antiandrogjenë (që ulin nivelin e hormoneve androgjenë).

Medikamentet e fertilitetit – Clomid (clomiphene citrate), Letrozole dhe gonadotropina (FSH, Gonal–F). Këto medikamente të dhëna sipas skemave të caktuara bëjnë të mundur vazhdimin e rritjes folikulare dhe ovulacionin. Në rastet rezistente, Fertilizimi In Vitro është zgjedhja e duhur për të arritur shtatzaninë.

Kirurgjia laparoskopike (Ovarian Drilling) – Laparoskopia është një opsion shumë i mirë për femrat që nuk i përgjigjen terapisë me medikamente dhe që duan arritjen e shtatzanisë në mënyrë natyrale. Gjatë laparoskopisë, “kistet e shumta” shpohen duke bërë kështu që ovulacioni të restaurohet në 70-80% të rasteve.

Ndryshimi i stilit të jetesës – PCOS shoqërohet shumë shpesh me obezitet. Kufizimet në dietë dhe ushtrimet fizike janë shumë të rëndësishme për të përmirësuar ekuilibrin hormonal. Edhe me rënie 10% të peshës, ovulacioni  mund të përmirësohet dukshëm dhe ciklet mund të vijnë në normalitet.

Cilat janë rreziqet afatgjata që shoqërohen me PCOS?

Sindroma e ovareve polikistike (PCOS) duhet marrë seriozisht edhe për shkak se mund të krijojë probleme nëse nuk trajtohet për një kohë të gjatë.

  • Diabeti tip II. PCOS rrit rrezikun për shfaqjen e diabetit tip II me kalimin e viteve. Ky rrezik rritet më tepër tek femrat mbipeshë. Është rezistenca ndaj insulinës (që takohet në gjysmën e rasteve me PCOS) që rrit mundësinë e shfaqjes se diabetit në të ardhmen. Për këtë arsye përdorimi i ilaçeve si metforminë dhe ilaçeve të tjera që rrisin ndjeshmërinë e insulinës, mund të vonojë ose eliminojë zhvillimin e diabetit.
  • Rreziku kardio-vaskular. Yndyrnat (kolesteroli etj) në gjak mund të jenë të larta. Nëse pacientet janë mbi peshë dhe kanë prirje ndaj diabetit, ato mund të hasin probleme si: ngushtim të enëve të gjakut (aterosklerozë), rrahje të çrregullta (aritmi), kriza kardiake (angina). Pacienteve u sugjerohet të mos shtojnë peshë, të mbajnë nën kontroll tensionin, sheqerin në gjak dhe të marrë ilaçe për uljen e nivelit të lipideve (kolesterolit).
  • Kanceri endometrialTek gratë me sindromën e ovareve polikistike, kanceri i mitrës (kanceri endometrial)  haset më shpesh për shkak se shtresa e brendshme e mitrës ka mbetur nën ndikimin e estrogjenëve për një kohë të gjatë. Tek femrat në mbipeshë, me diabet, tension të lartë dhe që nuk kanë kaluar asnjë shtatzani është shumë i madh rreziku për të patur kancer të mitrës. Me rregullimin e ciklit menstrual (përmes medikamenteve më lart), mbajtjen nën kontroll të peshës, diabetit dhe hipertensionit është i mundur reduktimi në minimum i rrezikut ndaj kancerit të mitrës.
error: Content is protected !!