Si ndodh koncepsioni natyral?

Çdo muaj, gjatë një cikli menstrual, në brendësi të vezores ekziston një vezë e cila në një moment të caktuar dallohet nga të tjerat; ajo fillon të rritet dhe zhvillohet në brendësi të një sakusi (dhomëze) të quajtur folikul. Kur veza maturohet (piqet) folikuli rupturohet (cahet) duke e lëshuar vezën jashtë vezores dhe në drejtim të hapjes së tubave të fallopit. Çelja e vezës quhet ovulacion. Veza (ovociti) përfshihet nga fimbriet tubare të cilat e drejtojnë atë në brendësi të tubit. Që nga ky moment 2 janë alternativata te mundshme (në varësi të fertilizimit):

Në rastet kur koncepsioni (fertilizimi, ngjizja) nuk ndodh, veza (ovoociti) pasi përshkon e vetme tubin dhe hyn në mitër, dezintegrohet dhe eliminohet me menstruacionet e ardhshme.

Në rastet kur ndodh koncepsioni (fertilizimi, ngjizja)Është pikërisht në brendësi të tubit ku veza takohet me spermatozoidin e pasi ky i fundit ka kaluar vaginën, qafën e mitrës, mitrën dhe ka hyrë në anën tjetër të tubit. Bashkimi i vezës me spermatozoidin quhet fertilizim (koncepsion, ngjizje). Veza e fertilizuar (embrioni) fillon të zhvendoset duke u drejtuar drejt mitrës në të cilën hyn në ditën 3-4 të jetës dhe implantohet (hedh rrënjë) në ditët 7-9 të jetës.

Embrioni pasi arrin uterusin, mund të vërtitet “vërdallë” për 2-3 ditë ndërkohë që rritja e tij vazhdon. Embrioni ngjitet përfundimisht në murin e mitrës vetëm në ditën e 7-të, atëherë kur procesi i implantimit fillon. Në këtë moment embrioni, i cili quhet tashmë blastokist, do të ketë 2 tipe qelizash: një grup qelizash që do të formojnë placentën dhe një grup qelizash që do të formojnë fetusin. Embrioni fillon të penetrojë në endometër me ndihmën e placentës e cila vazhdon të formohet dhe diferencohet paralelisht me embrionin.

Në këtë moment fillon shtatzania. Menjëherë pas implantimit placenta fillon të prodhojë hormonin e shtatzanisë (gonadotropinën humane korionike – hCG). Implantimi i embrionit është procesi i atashimit të embrionit në shtresën e endometrit (shtresa që vesh mitrën nga brenda). Ai ndodh rreth 1 javë pas fertilizimit (dita 7); dhe është një proces shumë kompleks. hCG e prodhuar nga placenta do të stimulojë korpusin luteal në mënyrë që të ruhet prodhimi i progesteronit në fillim të shtatzanisë me qëllim suportin e vetë shtatzanisë (progesteroni është hormoni që suporton implantimin e mëtejshëm). Në mujajin e 3-të, prodhimi i progesteronit merret nga vetë placenta.

Categories : Blogu i fertilitetit
error: Content is protected !!