COVID-19 & ShtatzaniaKoronavirusi

Çfarë është COVID-19?


COVID-19 është një sëmundje e re e cila fillimisht prek mushkëritë dhe frymëmarrjen. Ajo shkaktohet nga një lloj i ri koronavirusi i quajtur SARS-CoV-2. Simptomat përfshijnë temperaturë, ethe, kollë dhe vështirësi në frymëmarrje. Por shpesh herë mund të shoqërohet edhe me simptoma të tjera si nauze, diarre apo humbje të shijes dhe nuhatjes. Këto shenja zakonisht shfaqen 2 deri 14 ditë pas ekspozimit ndaj virusit. Një pjesë e individëve të prekur mund të mos kenë shenja aspak (asimptomatikë) ose të kenë shenja fare të lehta.

Si transmetohet virusi SARS-CoV-2?


Transmetimi i SARS-CoV-2 ndodh përmes kontaktit direkt, përmes spërklave mikroskopike të pështymës ose frymëmarrjes, kollës ose tështimave të personave të infektuar dhe përmes duarve të kontaminuara (të palara) që prekin gojën, sytë ose hundën.

Si ndikon COVID-19 tek femra shtatzanë?


Gratë shtatzana konsiderohen si një popullatë e rrezikuar për tu prekur nga infeksionet respiratore me natyrë virale, siç është gripi sezonal apo edhe COVID-19 (Corona Virus Disease). Të tilla infeksione virale mund të kenë pasoja për nënën dhe fetusin. Nuk duhet të harojmë se njohuritë tona mbi virusin SARS-CoV-2 pasurohen nga dita në ditë.

Të dhënat e deritanishme tregojnë se probabiliteti për tu infektuar nuk është më i lartë se femrat e tjera. Dy të tretat e femrave shtatzana që infektohen me SARS-CoV-2 nuk do të kenë simptoma fare, ndërkohë që të tjerat do të kenë vetëm simptoma të lehta. Megjithatë një pjesë e vogël do të infektohet.

Por stdimet e deritanishme tregojnë se femrat shtatzana janë në një rrezik më të lartë për të zhvilluar komplikacione serioze nga COVID-19 nqs do të krahasohen me femrat jo shtatzana, sidomos kur infektimi ndodh në tremujorin III.

  • Femrat shtatzana që kanë COVID-19 dhe shfaqin simptoma kamë më tepër probabilitet se femrat jo shtatzana me COVID-19 dhe që shfaqin simptoma, për të patur nevojë për shtrim në terapi intensive (ICU), për ventilim mekanik, ose për të vdekur nga sëmundja. Megjithatë, rreziku i përgjithshëm për komplikacione serioze për femrën shtatzanë mbetet i ulët.
  • Femrat shtatzana me sëmundje të tjera shoqëruese, si obezitet apo diabet gestacional mund të kenë një rrezik më të lartë për komplikacione serioze nga COVID-19, nqs do të krahasohen me femrat jo shtatzana të cilat kanë këto sëmundje shoqëruese.

 Si ndikon COVID-19 tek fetusi?


Deri tani nuk është vërtetuar ndonjë rrezik më të rritur për humbje të shtatzanisë nqs femra infektohet me SARS-CoV-2 gjatë Tremujorit I. Gjithashtu nuk është konstatuar ndonjë efekt mbi zhvillimin e fetusit.

Dihet tashmë se çdo sëmundje që shoqërohet me kompromentim të gjendjes së përgjithshme të nënës shtatzanë, mund të rrisë rrezikun për lindje premature apo edhe të ketë efekt negativ mbi fetusin. I njëjti shqetësim është edhe në rastin e shtatzanës me COVID-19. Disa studime tregojnë një rrezik më të lartë për lindje premature dhe vdekje fetale in utero, ndërkohë që disa studime të tjera nuk arrijnë në këto përfundime.

Studiuesit kanë raportuar se virusi SARS-CoV-2 mund të të kalohet në mënyrë vertikale nga femra shtatzanë tek fetusi. Megjithatë ky fenomen duket se është për fat të mirë i rrallë. Shumica e të porsalindurve që dalin pozitivë për COVID-19 kanë simptoma të lehta ose janë fare asimptomatikë dhe kanë një evolucion të favorshëm. Megjithatë, janë raportuar edhe raste të rralla të të porsalindurve me forma të rënda të COVID-19.

Si të shmangim infektimin?


Kujdesi dhe higjena personale marrin një rëndësi të veçantë për nënat shtatzanë dhe familjarët e tyre. Këtu përfshijnë larjen e shpeshtë të duarve, shmangien e kontakteve dhe qëndrimin larg personave që dyshohen si të infektuar ose që kanë shenja “gripi”.

Në rast dyshimi ose në rast infektimi … si duhet vepruar?


Në dyshimin më të vogël për prekjen nga COVID-19. Femra shtatzanë duhet të lajmërojë spitalin apo klinikën ku ndiqet përmes telefonit. Më pas personeli mjeksor do të organizojë diagnozën (kryerjen e tamponit dhe të analizave të tjera) dhe në rast konfirmimi të saj do të fillohet trajtimi nga mjeku specialist. Në shumicën e rasteve trajtimi është ambulator (pra në shtëpi). Trajtimi në spital rezervohet në rastet që komplikohen ose që paraqesin rrezikshmëri të lartë.

Një tjetër masë e rëndësishme është edhe vetëizolimi përgjatë periudhës së infektimit. Për fat të keq jemi dëshmitarë të jo pak rasteve ku kjo masë shumë e theshtë dhe efikase nuk respektohet, duke venë në rrezik edhe persona të tjerë.

Mënyra e lindjes …


Për momentin nuk ka ende ndonjë evidencë shkencore për të justifikuar lindjen me operacion çezarian në rast se nëna preket gjatë shtatzanisë me COVID-19. Përjashtim bëjnë vetëm rastet kur kemi formë të rëndë të sëmundjes me kompromentim të gjendjes së përgjithshme të nënnës; në të tilla raste lindja kryhet me operacion çezarian.

A ka rrezik për bebin gjatë ushqyerjes me gji?


Virusi përgjegjës për COVID-19 nuk është detektuar në qumështin e gjirit, megjithëse janë evidentuar anti-trupat ndaj këtij virusi. Për sa i përket nivelit ende jo të plotë të njohurive mbi këtë virus, dhe të vlerave mbrojtëse të qumështit të gjirit, në rastin e një nëne të dyshuar me infeksion SARS-CoV-2, në rast se gjendja shëndetësore e nënës e lejon dhe sigurisht nqs nëna e pranon, ushqyerja me gji duhet të fillojë / vazhdojë në mënyrë direkte ose përmes mbledhjes.

Për sa kohë që nuk ka ende prova shkencore që vërtetojnë transmetimin e SARS-CoV-2 përmes qumështit të gjirit, ndalimi i ushyerjes me gji nuk rekomandohet për ato femra që janë prekur nga ky virus. Deri tani nuk është parë ndonjë efekt negativ tek të porsalindurit që ushehen me gji nga nënat që janë me COVID-19

Për të reduktuar rrezikun për transmetim tek fëmija, rekomandohet respektimi i masave parandaluese si higjena e duarve apo mbajtja e maskës gjatë ushqyerjes me gji.

Kuptohet që duke qenë përpara një situate të re, njohuritë e mjekëve mbi efektin e këtij virusi mbi nënën shtatzanë dhe fetusin do të pasurohen nga dita në ditë gjatë përballjes më të.

Categories : Blogu i shtatzanisë
error: Content is protected !!