Vaksina anti COVID-19 & Fertiliteti

Vaksinimi nuk është tabu. Prej dekadash femrat shtatzana janë vaksinuar për sëmundje të tjera infektive si gripi apo rubella, dhe nuk është konstatuar asnjë efekt negativ i tyre mbi fertilitetin e ardhshem.

Për fat të keq, një nga legjendat që qarkullojnë on line është se kryerja e vaksinës COVID-19 mund të shkaktojë probleme me fertilitetitn tek femrat. Nuk është hera e parë që legjenda dhe konkluzione të pabazuara në shkencë të bëhen masive dhe trendi. Në këtë shkrim po mundohem të sqaroj këtë mjegull keqinformimi që bazohet në injorancë (mosdije) të fakteve shkencore.

Si funksionon një vaksinë COVID-19?

Ashtu si edhe vaksinat e tjera, qëllimi i vaksinave COVID-19 është stimulimi i një përgjigje të sistemit imunitar kundër një proteine (spike protein) që ndodhet në sipërfaqen e virusit SARS-CoV-2.

Është pikërisht kjo proteinë e cila njihet si e huaj (antigjen) nga sistemi jonë imunitar.

Cilat janë llojet e vaksinave COVID-19?

Deri tani në botë janë provuar 13 lloje vaksinash. Sipas ndërtimit dhe funksionimit ato ndahen në 4 grupe:

Vaksinat mRNA (Pfizer/BioNTech dhe Covid-19 Vaccine Moderna). Këto vaksina përdorin RNA mesengere për të prodhuar proteinën spike (spike protein) cila në mënyrë të sigurtë gjeneron një përgjigje të sistemit imunitar. Numri i dozave të nevojshme është dy. Efikasiteti është 94 – 95 %. Përkundrejt zhurmës së pabazuar, kjo teknologji nuk është aspak e re. Prej dekadash studiuesit kanë punuar për kë krijuar vaksina me të njëjtën teknologji edhe në rastin e CMV (Citomegalovirus) dhe virusit Zika.

Vaksinat me vektor viralë (COVID-19 Vaccine Oxford e prodhuar nga AstraZeneca, Sputnik V prodhuar nga Gamaleya Research Institute dhe Janssen/Ad26.COV 2.S prodhuar nga Johnson & Johnson). ADN që kodon për proteinën spike të SARS-Cov-2 futet në organizëm përmes një adenovirusi të modifikuar (që nuk replokohet). Pas kësaj qelizat e trupit fillojnë të prodhojnë proteinën spike e cila më pas gjeneron një përgjigje imunitare. Numri i dozave të nevojshme është dy. Me të njëjtën teknologji është prodhuar edhe vaksina kundër virusit Ebola. Efikasiteti për vaksinën AstraZeneca është 66-67 % .

Vaksina me viruse të inaktivizuara ose të dobësuara. Këto vaksina përmbajnë një formë të dobësuar ose të inaktivizuar të virusit e cila nuk shkakton sëmundje, por është e aftë të gjenerojë një përgjigje të sistemit imunitar.  (Sinopharm COVID-19 vaccine dhe Sinovac-CoronaVac. Numri i dozave të nevojshme është dy. Me të njëjtën teknologji janë prodhuar edhe vaksinat kundër hepatitis A dhe poliomelitit.

Vaksinat me pjesëza proteinike (Novavax). Këto lloje vaksinash përdorin vetëm fragmente proteinike të cilat “ngjajnë” me antigjenin e virusit Covid-19 duke qenë të aftë kështu të gjenerojnë një përgjigje të sistemit imunitar. E tillë vaksinë është. Me të njëjtën teknologji janë prodhuar edhe vaksinat kundër hepatitis B dhe meningokokut.

Çfarë rreziku shkakton COVID-19 gjatë shtatzanisë?

Ka shumë studime tashmë që tregojnë se femrat shtatzana të cilat kalojnë COVID-19 kanë një rrezik më të lartë për komplikacione në të cilat përfshihen: shtrim në terapi intensive (ICU – Intensive Care Unit) me ose pa ventilim invaziv, rrezik më të lartë për vdekje nqs do të krahasohen me femrat jo shtatzana që kalojnë COVID-19. Nga ana tjetër, edhe fetsi rrezikohet në rast se shtatzana preket nga Covid-19.

Ka po ashtu studime që tregojnë se shtatzanat që kalojnë COVID-19 kanë më tepër rrezik për lindje premature se shtatzanat që nuk e kalonë COVID-19.

Çfarë shkakton COVID-19 tek fertiliteti mashkullor?

Ekziston një shqetësim në rritje për efektin që infeksioni me SARS-CoV-2 mund të ketë në funksionin e testikujve. Në një studim të tetorit 2020, evidentohet se tek meshkujt që kanë vdekur nga COVID-19 se virusi kishte shkaktuar inflamacion testikular (orkit) dhe dëmtim të spermatogjenezës. Ky efekt nuk është specifik vetëm për koronavirusin, pasi edhe viruse të tjerë si hepatiti, EBV (Epstein-Barr Virus) apo parotiti mund të shkaktojnë orkit dhe reduktim të spermatogjenezës.

Vaksina Covid-19 dhe Fertiliteti

Çdo shqetësim yni lidhur me vaksinat duhet të jetë i arsyeshëm dhe uniform në mënyrë që të shmangim konfuzionet. Përpara se të fokusohemi tek dëmet teorike, nuk duhet të harrojmë dëmet që shkakton COVID-19.

Nuk ka asnjë provë shkencore që ndonjera nga vaksinat anti COVID-19 të prekë fertilitetin tek femrat apo edhe tek mashkulli!

Shoqatat dhe organizatat më prestigjioze në fushën Obstetrikës, Gjinekologjisë dhe Mjeksisë Riprodhuese kanë publikuar tashmë në mënyrë periodike rekomandimet dhe qëndrimet e tyre zyrtare lidhur me politikën e vaksinimit kundër Covid-19. Të tilla rekomandime dhe udhëzime janë bazuar mbi studime të mirëfillta shkencore (të cilat mund ti shikoni duke klikuar në hiperlinkun e datës).

SHBA:

12 janar 2021: Shoqata Amerikane e Mjeksisë Riprodhuese (ASRM – American Society for Reproductive Medicine):

  • …. “Vaksinimi kundër COVID-19 rekomandohet për femrat që janë duke kërkuar një shtatzani ose ato që janë shtatzana për të minimizuar rreziqet për shëndetin e tyre dhe të bebit.

23 Korrik 2021: Shoqata Amerikane e Mjeksisë Riprodhuese (ASRM – American Society for Reproductive Medicine):

  • “Vaksinimi kundër COVID-19 përpara shtatzanisë ose në fillim të shtatzanisë është mënyra më e mirë për të parandaluar komplikacionet materne dhe fetale të Covid-19 gjatë shtatzanisë.”
  • “Asnjë nga vaksinat Covid-19 nuk kalojnë placentën. Megjithatë janë vërejtur se antitrupat mbrojtës ndaj Covid-19 kalojnë placentën duke ofruar kështu mbrojtje edhe për bebin pas lindjes.”
  • “Vaksina Covid-19 nuk nxit prodhimin e antitrupave kundër placentës.
  • “Studimet e deritanishme tregojnë se vaksinimi gjatë shtatzanisë nuk shkakton ndonjë rritje të rrezikut për humbje të shtatzanisë.
  • “Vaksinat Covid-19 nuk kanë ndonjë ndikim mbi fertilitetin tek femra dhe tek mashkulli.”
  • “Vaksinat Covid-19 nuk kanë ndonjë ndikim mbi rezultatin e trajtimeve të ndryshme të infertilitetit (IVF për shembull).”

30 korrik 2021: Kolegji Amerikan i Obstetërve dhe Gjinekologëve (ACOG – American College of Obstetricians and Gynecologists)

  • … rekomandon vaksinimin e të gjithë individëve që kanë indikacione, përfshirë këtu edhe gratë shtatzana.

Mbretëria e Bashkuar:

30 qershor 2021. Kolegji Mbretëror i Obstetërve dhe Gjinekologëve (RCOG – Royal College of Obstetricians and Gynaecologists):

  • “nuk ka asnjë provë të besueshme shkencore që vërtetojë ndonjë impakt mbi fertilitetin tek femrat të cilat janë vaksinuar me vaksinat anti COVID-19 të Pfizer-BioNTech apo Moderna-s.”
  • “Vaksinimi duhet tu ofrohet të gjitha femrave shtatzana në të njëjtën kohë edhe me popullatën e përgjitshme, bazuar në moshën dhe rrezikun klinik.”

Australia & Zelanda e Re:

09 qershor 2021.  Kolegji Mbretëror i Obstetërve dhe Gjinekologëve i Australisë & Zelandës së Re (RANZCOG – The Royal Australian and Neë Zealand College of Obstetricians and Gynaecologists):

  • … rekomandon që të gjitha gratë shtatzana duhet tu ofrohet vaksina (Pfizer mRNA) në çdo stad të shtatzanisë. Kjo për shkak se rreziku për pasoja të rënda nga Covid-19 është shumë më i lartë për femrat shtatzana dhe fetusin.

Vaksina Covid-19 dhe ushqimi me gji

Edhe lidhur me ushqimin me gji, rekomandimet e shoqatave të mësipërme janë të qarta.

  • Vaksinimi anti COVID-19 është i sigurtë dhe nuk shkakton ndonjë efekt negativ tek bebi gjatë ushqimit me gji.
  • Studime të ndryshme kanë treguar se antikorpet e gjeneruara nga vaksina Covid-19 kalojnë në qumështin e nënës duke ofruar kështu mbrojtje për bebin.

Vaksinat anti COVID-19 janë TË SIGURTA

Bazuar në të dhënat e deritanishme, vaksinat anti COVID-19 janë TË SIGURTA:

  • Tek femrat dhe meshkujt që janë në përpjekje të arritur shtatzaninë (në mënyrë natyrale apo me trajtim),
  • Tek femrat kur merren gjatë shtatzanisë, apo gjatë ushqimit me gji.

Çfarë konkluzionesh duhet të nxjerrim?


Konkluzionet që dalin nga raportimet e mësipërme janë:

  • Femrat shtatzana mund & duhet të vaksinohen gjatë shtatzanisë!
  • Femrat dhe meshkujt që kërkojnë një shtatzani (me ose pa trajtim) nuk kanë pse të shtyjnë vaksinimin ose të shmangin shtatzaninë pas vaksinimit.
  • Nuk ka përse të ndalohet ushqyerja me gji për shkak të vaksinës!

Është me shumë rëndësi që të shprehen mjekët specialistë në këtë drejtim me qëllim shmangien sa më shumë të keqinformimit në rritje në mediat sociale.

Categories : Blogu i fertilitetit Blogu i shtatzanisë
error: Content is protected !!