Kolposkopia është një ekzaminim i thjeshtë po aq sa edhe Pap-Test-i. Mjeku gjinekolog do të ekzaminojë qafën e mitrës përmes një mikroskopi të quajtur kolposkop. Gjatë ekzaminimit kolposkopik në qafën e mitrës aplikohet likide speciale (ac. Acetic dhe solucion Lugoli) të cilat ndihmojnë në zbulimin e ndryshimeve qelizore në nivelin e cipës që vesh qafën së mitrës. Kolposkopia mund të kryhet edhe gjatë shtatzanisë pasi nuk përbën asnjë rrezik.
Pse është e rëndësishme?
Rëndësia e kolposkopisë qëndron në aftësinë e saj për të zbuluar (ose përjashtuar) ndryshimet qelizore në qafën e mitrës që i paraprijnë kancerit të qafës së mitrës. Në disa raste ajo është ekzaminimi i parë që zbulon kancerin e qafës së mitrës.
Përvec zbulimit të këtyre gjendjeve pre-kanceroze, kolposkopia mund edhe ti trajtojë ato duke i rezekuar (hequr) përmes ansës diatermike.
Kush e kryen kolposkopinë dhe ku?
Kolposkopinë e kryen një mjek gjinekolog me kompetencë në kolposkopi. Kolposkopia mund të kryhet në spital ose në klinikë. Është një teknikë diagnostikuese / terapeutike e cila nuk kërkon shtrim në spital. Zgjat rreth 10-20 minuta dhe është pa dhimbje.
Kur kryhet kolposkopia?
Kolposkopia rekomandohet në rastet e një pap-testi jo normal ose kur qafa e mitrës nuk duket normale gjatë ekzaminimit me sy të lirë.
Përpara kolposkopisë …
Kolposkopia mund të kryhet në ditët pa menstruacione.
Një ditë përpara ekzaminimit ju nuk duhet të bëni tualet vaginal, nuk duhet të vendosni ovula dhe as të kryheni kontakt seksual.
Si kryhet?
Hapat që ndjek kolposkopia janë:
- Pozicion gjinekologjik
- Vendosja e spekulumit dhe evidentimi i qafës së mitrës.
- Ekzaminimi fillestar i qafës së mitrës
- Aplikimi i solucionit fiziologjik
- Aplikimi i ac. Acetic
- Aplikimi i Lugolit
- Marrja e biopsisë së drejtuar nqs është e nevojshme
- Heqja e spekulumit
- Rregjistrimi i të dhënave
- Diskutimi i të dhënave me pacienten
Cilat mund të jenë rezultatet e një ekzaminimi kolposkopik?
- Normal
- Gjendje prekanceroze (displazi) e qafës së mitrës
- Kondiloma
- Infeksione
- Kancer
Cfarë mund të ndodhë pas kolposkopisë?
Në shumicën e rasteve pacientet nuk ankojnë asgjë pas kolposkopisë. Në raste të rralla mund të kenë një diskomfort të ngjajshëm me atë gjatë menstruaconeve. Në rastet kur edhe është marrë biopsi gjatë kolposkopisë, pacientet mund të kenë disa ditë sekrecione hemorragjike të pakta dhe jo shqetësuese.