Si ta kuptojmë ovulacionin?

Çdo muaj, zakonisht 7 – 10 ditë pas mbarimit të menstruacioneve, një vezë do të “çlirohet” nga vezorja në një proçes që quhet ndryshe edhe ovulacion. Pas ovulacionit, veza nis udhëtimin “poshtë” nëpër tubin e Fallopit në “shpresën” për tu fekonduar nga spermatozoidi. Jeta e vezës pas ovulacionit nuk kalon më tepër se 24 orë. Ndërkohë që spermatozoidet mund të jetojnë edhe 5 ditë pas ejakulacionit.

Trupi i femrës lëshon sinjale të ndryshme për të treguar ovulacionin. Shpesh herë këto sinjale janë të qarta, ndërkohë që herë të tjera mund të kalojnë pa u kuptuar nga femra. Njohja e këtyre sinjaleve mund ta bëjë më të lehtë arritjen e shtatzanisë.

Shenjat që ovulacioni ndodh:

  1. Mukusi cervikal – rritja e sasisë së sekrecioneve në mes të ciklit. Nqs ju vini re një sekrecion më të shtuar, pak a shumë transparent ose lehtësisht opaleshent, të ngjajshëm me të bardhën e vezës kjo është pasojë e rritjes së prodhimit të mukusit nga cerviksi (qafa e mitrës). Kjo është një shenjë që tregon se ovulacioni ka ndodhur ose do të ndodhë së shpejti. Prodhimi i këtij mukusi cervikal ka për qëllim të lehtësojë dhe filtrojë spermatozoidet në rrugën e tyre nga vagina drejt mitrës dhe tubave.
  2. Rritja e libidos. Me afrimin e ovulacionit, ju mund të ndjeni një rritje të libidos (dëshirës seksuale). Kjo është përgjigja natyrale e trupit ndaj ovulacionit.
  3. Rritja e temperaturës bazale të trupit. Temperatura e trupit pëson një rritje të lehtë pas ovulacionit duke qëndruar kështu “e rritur” çdo ditë deri në ardhjen e ciklit menstrual. Kjo tregon se ovulacioni ka ndodhur.
  4. Tendosje dhe fryrje të gjoksit. Rritja e niveleve të estrogjenit që kulminon me ovulacionin është përgjegjës për këtë fenomen.
  5. Dhimbja e ovulacionit quhet ndryshe edhe dhimbja e mes ciklit (mittelschmerz). Është një dhimbje e mprehtë në mes të ciklit dhe që paralajmëron ovulacionin. Kjo dhimbje mund të ketë trajtën e krampeve në fund të barkut (majtas ose djathtas) dhe shpjegohet me “rupturën” që bën folikuli në momentin e ovulacionit.
  6. Testet pozitive të ovulacionit. Testet e ovulacionit janë një mënyrë e lehtë për të konfirmuar ovulacionin. Këto teste gjurmojnë hormonin luteinizues në urinë, një indikator ky që ovulacioni do të ndodhë.

 

Shenjat që ovulacioni NUK ndodh:

  1. Ciklet e çrregullta. Zakonisht cikli menstrual ndodh çdo 21 – 35 ditë dhe duhet të ndryshojë vetëm me disa ditë nga muaji në muaj. Nqs cikli mungon, ose vjen më shpejt se 21 ditë ose më vonë se 35 ditë ose ndryshon me shumë ditë nga muaji në muaj, të gjitha këto janë shenja që kemi probleme me ovulacionin.
  2. Mungesa e rritjes së temperaturës bazale. Nqs ju nuk konstatoni një rritje të temperaturës bazale përgjatë muajit, me shumë mundësi kemi mungesë të ovulacionit ose ai ndodh më rallë se norma.

Monitorizimi i ciklit menstrual është një pjesë e rëndësishme e njohjes së trupit tuaj. Nqs u jepni rëndësinë e duhur në mënyrë të rregullt fazave të ciklit tuaj menstrual, do ta keni më lehtë të identifikoni këto shenja pozitive të ovulacionit.

Categories : Blogu i fertilitetit
error: Content is protected !!