Vitamina D & Fertiliteti

Kohët e fundit, gjithnjë e më shumë po flitet për vitaminën D, e njohur ndryshe si edhe vitamina e rrezeve të diellit. Ajo prodhohet nga lëkura si përgjigje ndaj ekspozimit ndaj rrezeve të diellit, por mund të merret edhe përmes ushqimit apo suplementeve në farmaci. Vitamina D është e nevojshme për trupin tonë dhe luan një rol të rëndësishëm në rregullimin e niveleve të kalciumit dhe fosforit në gjak, duke mbajtur kështu të shëndetshme kockat tona. Por ende shumë pak njihet roli i vitaminës D në fertilitet.

Si e prodhojmw Vitaminwn D?


Zakonisht, lëkura jonë do të prodhojë sasinë e nevojshme të vitaminës D, nqs kemi një ekspozim të mjaftueshëm në diell. Por jo të gjitha femrat arrijnë të ekspozohen mjaftueshëm ndaj rrezeve të diellit dhe për rjedhojë e kanë të pamundur të mbajnë nivelet normale të vitaminës D. janë pak ushqime të pasura në Vitaminë D; kështu që është e vështirë të marrësh sasinë e duhur të Vitaminës D përmes dietës.

 

Ka edhe faktorë të tjerë që ndikojnë në nivelet e vitaminës D. Kemi një mundësi më të madhe për mungesë të vitaminës D tek femrat obeze apo ato me lëkurë të errët.

Si lidhet Vitamina D me fetilitetin tek femrat?


Për femrat që janë duke kërkuar një shtatzani, Vitamina D duket se lidhet me një fertilitet më të mirë, por edhe me një shtatzani më të shëndetshme.

Nivelet e vitaminës D në gak prej 30 ng/ml ose më shumë, shoqërohen me shanse më të larta për shtatzani. Disa prej studimeve (por jo të gjitha!) tregojnë se normalizimi i niveleve të vitaminës D shoqërohet me rritje të shanseve për sukses (pra për të lindur një fëmijë) përmes trajtimeve të fertilitetit, përfshirë këtu edhe Fertilizimin In Vitro (homolog dhe heterolog).

Sa është nevoja për vitamin D tek femrat që kërkojnë një shtatzani?


Ende nuk ka një rekomandim fiks në këtë drejtim. Dozat e rekomanduara për femrat që janë në kërkim të një shtatzanie variojnë nga 400 IU deri në 2000 IU në ditë.

Çfarë roli ka vitamina D tek fertiliteti i meshkujve?


Nivelet e larta të vitaminës D lidhen me një morfologji dhe lëvizshmërisë të mirë të spermatozoideve. Studimet tregojnë se rritja e vitaminës D tek meshkujt mund të rrisë nivelet e kalciumit në spermën e tyre duke shkaktuar kështu një rritje të lëvizshmërisë së spermatozoideve. Studime të tjera kanë treguar se mungesa në vitamin D tek meshkujt mund të dëmtojë levizshmërinë dhe përqëndrimin e spermatozoideve në spermë.

Çfarë roli ka vitamina D gjatë shtatzanisë?


Vitamina D luan një rol të rëndësishëm edhe në mbarëvajtjen e shtatzanisë. Studimet tregojnë se mungesa e vitaminës D gjatë shtatzanisë lidhet me një rrezik më të rritur për lindje premature, diabet të shtatzanisë, pre-eklampsi, bakteriozë vaginale. Një pjesë e studimeve (por jo të gjitha!) e lidhin mungesën e vitaminës D edhe me rritjen e rrezikut për të patur një femijë me autizëm.

Pra vitamina D është e rëndësishme si për shëndetin e nënës shtatzanë ashtu edhe të bebes. Marja e vitaminës D është e sigurt gjatë shtatzanisë dhe efikase në parandalimin e mungesës së vitaminës D tek të porsalindurit.

Categories : Blogu i fertilitetit
error: Content is protected !!