Endometriumi i hollë

Endometriumi ….

Një nga ndryshimet e rëndësishme tek trupi i femrës që ndodhin përpara implantimit të embrionit në mitër është edhe trashja e endometriumit. Endometriumi është shtresa që vesh kavitetin (dhomën) e mitrës. Kjo trashje përgatit mitrën për të pritur embrionin. Një trashje jo e mjaftueshme do të thotë një pamundësi për implantim (infertilitet) ose një implantim jo optimal (humbje të shtatzanisë në Tremujorin I).

Si ndikon një endometër i hollë në Fertilizim In Vitro?

Matja ekografike e endometriumit është një nga parametrat më të rëndësishëm gjatë Fertilizimit In Vitro. Një endometër i shëndetshëm duhet të arrijë një trashësi 7 – 12 mm 3 – 6 ditë përpara transfertës së embrioneve. Nqs endometriumi nuk arrin të kalojë mbi 7 mm atëherë ai do të cilësohet si i hollë. Vlera < 7 mm shoqërohen me reduktim të shanseve për sukses në Fertilizim In Vitro.

Megjithatë kjo nuk duhet të merret në mënyrë absolute. Kemi parë edhe shtatzani më se normale edhe pse embrionet janë transferuar në endometrium < 7 mm. Megjithatë, ekziston një “konsensus” i përgjithshëm që embrionet duhet të transferohen në mitër vetëm pasi endometriumi të ketë arritur 7 mm trashësi në ekografinë transvaginale.

Si përgatitet endometriumi për të arritur trashësinë e duhur?

Endometriumi përpara transfertës së embrioneve të ngrira përgatitet përmes estrogjenit të dhënë në formë tabletash orale ose flasterave transdermike (ngjitësave me strogjen që vendosen në lëkurë). Zakonisht terapia me estrogjen kërkon 10 – 14 ditë trajtim për të arritur një endometër me trashësi optimale.

Një transfertë e embrioneve të ngrira mund të kryhet edhe pa përdorur aspak estrogjen, por duke u bazuar në ciklin natyral të pacientes (pra tek estrogjeni që prodhon vetë folikuli i saj që do të ovulojë).

Si duhet vepruar në rast se kemi një endometër të hollë? Në të tilla raste alternativat janë:

  1. Zgjatja e terapisë me estrogjen edhe për 5-7 ditë të tjera, derisa endometriumi të arrijë trashësinë optimale. Gjatja e terapisë mund të kërkojë edhe disa javë shtesë trajtim ndonjëherë.
  2. Dhënia e tabletave të estrogjenit edhe në rrugë vaginale. Kjo sepse në disa paciente mund të ketë përthithje më të mirë të estrogjenit përmes kësaj rruge.
  3. Shtimi në terapi edhe i Aspirinës 100 mg në ditë. Aspirina është parë që shton fluksin e gjakut në endometër kur ky nuk arrin trashësinë e duhur. Kjo kontribuon në rritjen e shanseve për implantim.
  4. Në rast se endometriumi është i hollë për shkak të traumave të shkaktuara nga radioterapia, këshillohet trajtim më i zgjatur (deri 12 muaj) me pentoxifilinë 800 mg në dt dhe Vitaminë E 1000 mg/d.
  5. Shtimi i sildenafilit (Viagra) përmes rugës vaginale është parë të përmirësoje fluksin e gjakut në mitër dhe trashësinë e endometriumit.
  6. Përdorimi i PRP (plazma e pasuruar në trombocite).
Categories : Blogu i fertilitetit
error: Content is protected !!